Zyrtari i BE-së: Pa Asociacion, s'ka sukses në dialog
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë mbetet “kusht mbi të gjitha kushtet” në normalizimin e marrëdhënive mes Kosovës dhe Serbisë dhe se pa zbatimin e plotë të marrëveshjes për Asociacionin s’mund të ketë hapa tutje sipas disa burimeve diplomatike në Bruksel të siguruara nga Radio Evropa e Lirë.
Sipas BE-së, Ekipi – tashmë i shuar – Menaxhues nuk ishte “as në delegacionin e Serbisë, as në atë Kosovës“, por Ekip “në vete”. Sipas tyre, formimi i këtij ekipi është i definuar në marrëveshje dhe ai përbëhet nga persona që i propozon pala serbe, por emërohen formalisht nga ekzekutivi kosovar.
“Diskutimet duhet të bazohen në marrëveshje dhe në praktika të mira evropiane,“ - sipas zyrtarit të lartë të BE-së. “Procesi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për fatin e dialogut. Pa pajtim rreth statutit dhe pa formimin e Asociacionit nuk mund të ketë sukses në dialog“.
Megjithatë, identifikimi i çështjes së formimit të Asociacionit si “kusht mbi të gjitha kushtet” bie ndesh me një pikë të aneksit për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve – për të cilën palët ranë dakord në Ohër më 18 mars. Rendi i pikëve nuk korrespondon me renditjen e prioriteteve dhe se të gjitha pikat janë po aq të rëndësishme. Megjithatë, në çdo dalje publike, jo vetëm zyrtarët e BE-së, por edhe ata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, theksojnë zhvillimin e Asociacionit si prioritet kryesor.
Draft-Statuti i Asociacionit të Komunave të me shumicë serbe i prezantuar të martën në Bruksel ishte “i papajtueshëm në themel” me Kushtetutën e Kosovës, deklaroi kryeministri Kurti, pas konkludimit të takimit të Nivelit të Lartë dhe njoftoi se Ekip Menaxhues që hartoi atë është “dekomisionuar”, përkatësisht shpërbërë. Ky draft, pohoi Kurti, shpërfaqte “dëshirë të zjarrtë për Republika Srpska në Kosovë”. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për këtë mospranim të Draftit nga pala kosovare u shpreh se “nëse ashtu duan të luajnë, atëherë s’ka as nevojë e as kuptim të marrim seriozisht argumentimin”.
Ky reagim i palëve dhe drafti i prezantuar në Bruksel nuk ishin befasi për Bashkimin Evropian duke marrë parasysh qëndrimet e mëparshme mes palëve.
“Nuk e kishim parë dokumentin para prezantimit. Por, nuk ishte befasi për ne, sepse kishim dëgjuar qëndrimet e palëve më herët. Ishte propozim për kompetenca shumë të gjëra ekzekutive. Dhe, për ne nuk ishte befasi që Kurti e refuzoi. Kurti prezantoi propozimin e tij, krejt të kundërt nga drafti i Ekipit Menaxhues. Asgjë e papritur nuk ishte as kjo. Tash duhet të tentojmë t’i tejkalojmë dallimet mes palëve. Prandaj, prezantimi nuk ishte akt në vete, por nisje e një procesi të domosdoshëm“, thotë një zyrtar i lartë i BE-së.” – ka thënë një zyrtar i BE-së për REL.
"Të gdhenden propozimet"
Në anën tjetër, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar deklaroui se vizioni i palës serbe edhe ai i palës kosovare “ishin serioze”, u tha ai gazetarëve në një konferencë online për media. Por, këtyre vizioneve “serioze” Escobar tha se duhet që edhe seriozisht t’i gjendjet një mes. Andaj, palët “duhet të gdhendin propozimet e tyre” për ta shkrirë në një model të pajtueshëm për të dyja palët, elaboroi ai.
Sepse ky Asociacion, u shpreh i bindur Escobar, është edhe nisësi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke konfirmuar atë që pretendonte vetëm Serbia, se ata pa zbatimin e Asociacionit nuk nisin as zbatimin e marrëveshjes.
Tashmë situata është kështu, thotë Escobar: “Topi është në oborret e palëve për të nisur të gdhendin propozimet e tyre për t’i bërë më të pajtueshme për palën tjetër dhe të nisin të kërkojnë për një model të bëshëm evropian(...)”. Tash palët do të paraqesin “versionet më të rafinuara” të tyre për këtë Asociacion, sipas Escobar.
Escobar lë të kuptojë se Asociacioni si i tillë do të vendoset në rishikim “parlamentar dhe ligjor”, dhe kjo për një arsye kryesore. “Që të sigurohet që ajo (Asociacioni) të bëhet i pakthyeshëm dhe pjesë qendrore e normalizim të marrëdhënieve”.
“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës janë tepër të përqendruara në sigurimin që kjo marrëveshje, për të cilën kemi punuar shumë, të bëhet realitet. Dhe ky realitet – nis me Asociacionin. Kjo – që normalizimi është i qendërzuar në të drejtat e pakicave, veçnaërisht minoritetit serb, në Kosovë. Prandaj është absolutisht kyçe. Andaj, është edhe pritshmëria jonë dhe do të thoja është kërkesa jon që të shkohet para në këtë”.
"Gatishmëri për kompromise"
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, u shpreh se këndvështrimet e palëve sa i përket Asociacionit “ishin të ndryshme”, megithatë dha edhe tone optimiste duke thënë se “është bërë hap simbolik drejt themelimit të Asociacionit”.
“Kurti i dha këndvështrimet e tij për mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë. Këndvështrimet mes palëve janë të ndryshme sa i përket Asociacioinit të Komunave me Shumicë Serbe. Dua të inkurajoj të dyja palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për këto negociata, dhe të jenë të gatshme për të bërë kompromise. Procesi duhet të udhëzohet nga marrëveshjet e kaluara”, ka thënë Josep Borrell.
