Zyrtare: Rritet Shtëpia e Bardhë
...ose, pse duhet ta rrisim Shtëpinë e Bardhë?
U desh të gënjehej për shumë e shumë kohë që Kosova s’do të zhvillonte negociata me Serbinë. Kur nisën ato tekniket, u desh të gënjehej për shumë e shumë kohë që ato s’do të bëheshin politike. U desh edhe që negociatat të quheshin ‘dialog’ në mënyrë që Ai të mos kukaste aq shumë.
Sot, na kërkohet ta rrisim Shtëpinë e Bardhë brenda mendjeve tona në mënyrë që ta zë edhe Atë. Pra, duhet të gënjehet që Shtëpia e Bardhë nuk është ajo ndërtesa me ngjyrë të bardhë që strehon presidentët amerikanë dhe familjet e tyre, por Shtëpi e Bardhë është edhe ndonjë sallë dasmash nëpër qoshe të ndryshme nëpër Amerikë. Pra, me Shtëpi të Bardhë i referohemi krejt zyrtarëve të administratës Biden. Pashë zotin?!
Ai shkoi në Amerikë dhe u kthye prej saj. Nuk e zhvilloi asnjë takim të rëndësishëm. E megjithatë, ne duhet të bëhemi sikur ka zhvilluar takime të rëndësishme.
Ne duhet të bëhemi sikur Ai nuk i ka shkelë qëndrimet e dikurshme politike. Duhet të bëhemi sikur jemi më të pasur prej që erdhi në pushtet. Sikur janë hapur përnjëmend 25 mijë vende të reja pune e sikur kishte pasur punëtorë me 130 pagë minimale e që tash e kanë 250 për shkak të mirësisë së tij. Sikur nuk është përmendur kurrë prej Tij Bashkimi Kombëtar. Sikur s’e ka përdhos demokracinë me gjuhë të urrejtjes e shantazhit për çdo ditë të lume. Duhet të bëhemi sikur po e shohim Ndryshimin e Madh. E kështu me radhë.
Në fakt, asgjë nuk ka ndryshuar përveç pozicioneve të palëve. Vetëvendosja është aty ku ishte PAN-i, e PAN-i është aty ku ishte Vetëvendosja. Ama, ne duhet të bëhemi sikur e gjithë kjo nuk ka ndodhur. Sikur ndërrimi RADIKAL i qëndrimeve të partive është vetë demokracia. Se fundja, demokracia s’ka të bëjë me qëndrime politike por me figura biblike: e mira/e keqja, Davidi/Goliathi.
Para nja një muaji, pra para se Ai të fluturonte për në Amerikë, e kam botuar një artikull në formë replike ndaj Berat Buzhalës, që e titulloja “Pse i besoj Albinit kur paraqitet servil para Amerikës?”
Një politikan që thotë “Kur kërkon Amerika të kërcejmë, ne nuk pyesim pse por sa!” nuk shpërfaq politikë shtetërore por karakter servili. Një politikan që i ndërron qëndrimet më shpesh se çorapet nuk shpërfaq karakter parimor por karakter servili. Cilado narrativë që merr forcë e bëhet popullore, përqafohet menjëherë prej Tij. Ai e kapi sentimentin e pakënaqësisë me UNMIK-un dhe gjendjen socio-politike të viteve 2000. E kapi edhe sentimentin e pakënaqësisë me PAN-in në vitet 2010 dhe me gjendjen socio-politike të viteve 2010. Sot, ai po i del kundër të dyja pakënaqësive – të gjitha pakënaqësive – për të kapur sentimentin e shtet-ndërtimit. Për t’i parë një nga një lëshimet e bëra nga Kurti përgjatë kohës sa ishte në pushtet – pra, për një vit - ndaj Amerikës, ju ftoj ta lexoni këtë shkrim.
Ajo çka po kërkon Amerika është ajo çka ka kërkuar gjithnjë. Stabilokraci në vend të demokracisë. Asaj nuk i bën dhe nuk i bënte asnjëherë që demokracia jonë të kishte një farë substance. S’i linin përshtypje as pazaret e natës në vitin 2010 kur përkrahës kryesor e kishin Christopher Dellin. As rreshtimi i krejt partive politike kundër PDK-së në vitin 2014. S’u bënte as kur e zgjodhën një qytetare të panjohur si presidente më 2011. E as kur i dhanë mbështetje ideve destruktive për të ardhmen e Kosovës.
Prandaj, ashtu siç i ishte nënshtruar çdo pushteti deri sot, Ambasada e Amerikës do t’i nënshtrohet edhe këtij pushteti. Bile edhe më zi, marrë parasysh masën e pushtetit që ka marrë Ai. Pra, ajo që në të vërtetë kërkohet është të sulmohet me çdo kusht çdo mundësi që nesër në Kosovë të kishte zemërim e pakënaqësi nëse Ai do të tradhtonte vendin siç i ka tradhtuar krejt idetë e mëhershme. Prandaj, s’është puna te Shtëpia e Bardhë!
*Ky tekst tregon qëndrimin personal të autorit dhe jo të Bordit Redaktorial të Nacionales!