Zyrtarë e mbështetës të VV-së nisin ‘qortimin’ e Amerikës, a do të ketë edhe ‘gjoba’? - NACIONALE

Zyrtarë e mbështetës të VV-së nisin ‘qortimin’ e Amerikës, a do të ketë edhe ‘gjoba’?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Amerika është ‘shqetësuar’ dhe ‘zhgënjyer’ me Qeverinë Kurti së fundmi. Por, populli i Kosovës – ndoshta më pro-amerikani në botë - duket çuditërisht i ‘qetësuar’ meqë i ‘gënjyer’. E kjo qetësi duket se ka ‘trimëruar’ mbështetësit dhe zyrtarët e VV-së që të nisin edhe me ‘qortime’... ndaj Amerikës.

Partia në pushtet e drejtuar nga Albin Kurti vazhdimisht ka mohuar në mënyrë ngulmuese kritikat se po dëmtonte raportet e Kosovës me ShBA-të. Kritikat thonin se ky dëmtim do të ndodhte jo për shkak të pikëpamjeve personale të Kurtit, apo komunikatave problematike tashmë të fshira të partisë së tij, por shkaku i qëndrimeve të tij.

Duhet thënë se shumë premtime të Vetëvendosjes nuk janë mbajtur e shumë qëndrime janë ndërruar. E megjithatë, duket se kjo nuk ka mjaftuar.

Bislimi lë ‘pa përgjigje’ Amerikën

Në një intervistë të dhënë më 17 nëntor, Zv. Kryeministri Besnik Bislimi foli edhe në lidhje me kërkesën amerikane që të shtyhej afati i zbatimit të vendimit për targat ilegale për 10 muaj. Dhe, u shfaq me një ton qortues ndaj partnerit të Kosovës.

Kur unë pyes (Amerikën dhe BE-në) se çka ndodh në gusht të vitit 2023 (kur mbaron afati shtesë prej 10 muajsh), nuk ka pasë përgjigje,”- u shpreh Bislimi.

Duhet të kujtojmë se e gjithë bota ndodhet në një moment mjaft të tensionuar për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Frika e madhe është se Rusia kërkon të shpërndajë luftën edhe në zona tjera, çka ka shtyrë ShBA-të të kërkojnë shmangie të retorikës nxitëse dhe shmangie të tensioneve.

Është e vështirë të besohet që ShBA-të të kenë mbetur përnjëmend pa përgjigje para Besnik Bislimit. Sidoqoftë, edhe eksponentë të tjerë të pushtetit kishin kritikuar kërkesën, që e kishin interpretuar si arbitrare.

“Pse 10 muaj e jo 6?!” – ishte një prej pyetjeve retorike të këtyre eksponentëve që silleshin sikur të kishin ‘zënë ngushtë’ partnerin më të madh të Kosovës.

Në fakt, ShBA-të kishin kërkuar shtyrje njëvjeçare (12 mujore) të këtij vendimi qysh në muajin gusht të këtij viti, e koha siç e dimë rrjedh. Mos u habitni nëse këtë muaj kërkojnë shtyrje nëntë muajshe. Është bazikisht, riformulimi i të njëjtës kërkesë.

Robelli i mëshon Escobarit

Gazetari Enver Robelli që mbështet tash e një kohë Vetëvendosjen në pikë të natës së kaluar bëri një postim që përbënte sulm brutal ndaj zyrtarit të lartë të administratës Biden, z. Gabriel Escobar.

Ai aludonte në mënyrë të ashiqartë se Escobar ishte i lidhur në një mënyrë me krimin e organizuar serb. Fillimisht, Robelli shërbehej përmes një shkrimi të gazetës serbe Vreme që sulmonte ambasadorin amerikan Willam Montgomery, për të dalë pastaj te Escobari.

“Para dy dekadave Escobar ishte vartës i Montgomeryt. Tani ai ushtron një funksion tjetër: është i ngarkuar për Ballkanin i Departamentit të Shtetit, me fokus në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë.”

Meselja: Escobari si përfaqësues i ShBA-ve për Ballkan është pro-serb. Meselja tjetër: Dëmtimi eventual i raporteve ShBA-Kosovë s’ishte për faj të Kurtit, por për faj të Escobarit. Siç kishte qenë më herët për faj të Grenellit.

Kuku për Cholletin

Derek Chollet, nënsekretari amerikan, foli në telefon me Albin Kurtin. Dhe ashtu si më herët, ai do të kërkonte shtyrjen e afatit për targa. Por, reagimi ndaj tij në postim ishte i ashpër nga mbështetësit e Kurtit.

“Blla blla blla, Sugjerimet tuaja janë pa kuptim” “Politikat e ShBA-së për Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën së fundi janë shumë të shëmtuara. Duket se ju djem luani për ekspansionizmin kroat e serb.” – ishte njëri nga shumë reagimet në Twitter.

“Serbia e merr atë që e dëshiron. E merr në Bosnjë, këtu në Republikën Serbe, dhe duke iu falënderuar ShBA-së, tash një republikë serbe 2.0 në Kosovë. Më 2030 përgatituni për një konflikt tjetër, zotëri,” – tha një tjetër.

“Është e dhimbshme të shoh SHBA-në duke mbajtur politikën e qetësimit të përfaqësuesit kryesor të Rusisë në Evropë - Serbisë.” – një edhe më tjetër.

Për më keq, kryeministri Kurti po ashtu shkroi për telefonatën dhe nuk përmendi fare targat. Por, ai përveç targave s’do të përmendte në formën e zakontë (me thurje, ang. tag) nënsekretarin Chollet.

Nëse VV do të kalojë nga faza e ‘qortimit’ të amerikanëve në fazën e ‘gjobave’ ndaj amerikanëve mbetet të shihet, por dihet se ky kalim mund të ndodh nëse nuk ka shtyrje për qytetarët serbë me targa ilegale prej 21 nëntorit.

Lajme të ngjashme