Zyra e Kryeministrit u kërkon vartësve në Qeveri t’i dërgojnë tabela me dosje të dërguara në Prokurori
Beteja ndërmjet pushtetit e sistemit prokurorial ka qenë njëra nga më të diskutuarat në opinionin publik. E këtu ka kontribuar gjithashtu fakti që presidentja e vendit, nuk po e dekreton kryeprokurorin e shtetit.
Duke nisur nga postimet në facebook, deklaratat në Kuvend, njoftimet për media e konferencat për shtyp, pushteti ka kritikuar disa herë sistemin prokurorial. Kjo pasi sipas ekzekutivit, prokuroria nuk po merret me dosjet që ata i kanë dorëzuar për hetime nëpë prokurori, e në anën tjetër po i heton zyrtarët e caktuar.
Kulmi i përplasjeve ishte me rastin e arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Kryeministri bashkë me pothuajse të gjithë zyrtarët e pushtetit, akuzuan Prokurorinë se nuk i ka hetuar kontratat e dëmshme të KEK-ut, por njeriun e tyre që është në krye të ndërmarrjes që kanë vlerësuar se e ka kthyer kompaninë në profitabile.
E duket se një betejë e tillë pritet të vazhdojë. Kjo bazuar në faktin se pushteti po vazhdon të dërgojë dosje në prokurori. Madje, pothuajse të gjitha ministritë.
Gazeta Nacionale ka siguruar një Email që Arlinda Berisha, asistente e shefit të kabinetit të Kurtit, Luan Dalipi, ua ka përcjellur stafit të të gjitha ministrive. Aty, ajo ka kërkuar nga kabinetet e ministrave që t’i dorëzojnë tabelat me dosjet që i kanë dorëzuar në Prokurori e Polici.

“Ju lutem ta plotësoni tabelën e bashkëngjitur me kallëzimet penale dhe rastet e dërguara në Prokurori e Polici. Tabela duhet të dorëzohet deri më 9 maj (e marte)”, thuhet në këtë email të dërguar nga Arlinda Berisha tek të gjitha kabinetet e ministrave të tjerë.
Bazuar në praktikat e këtyre dosjeve që ka dorëzuar pushteti edhe më herët, ato mund të përmbajnë kontrate e shkelje të ndryshme që pushteti aktual pretendon se i kanë kryer qeveritë e kaluara.
Beteja Pushtet vs Prokurori
Kur u arrestua kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, kryeministri Kurti në Kuvend doli e kritikoi ashpër kryeprokurorin e Speciales, Blerim Isufaj. Madje, për këtë të fundit tha se nuk do të bëhet kryeprokuror i shtetit.
“Unë nuk kam dyshim që prokurorinë e shtetit dhe atë sa më larg aq më shumë ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vete ndaj meje, si kryeminsiter, por ndaj qeverisjen tonë, ndaj pushteti të ri të dal nga 14 shkurti 2021. Kjo lidhet me shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurit Bleirm Isufajt”, tha fillimisht Kurti.
“Bëhet fjalë për një prokuror, i cili është mirënjohur në skenen tonë publike që rastin e vrasjes seëish shefit të AKP, Dino Hasanajt e ka kategorizoj në vetëvrasje ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish drejtorit të informimit në kryeministri Hamdi Sopa e shndërroi në vrasje. Njëkohësisht bëhet fjala për një prokuror, i cili asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të behet kryeprokuror “, tha Kurti.
Për dosjet e dorëzuara në Prokurori, së fundmi ka shkruar në facebook disa herë ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
“Çile guri gojën prokuroria. Po, duke heshtë bash si këto villat e gurit në Stankaj të Rugovës, të ndërtuara në tokë të shtetit bash nga ata që për mandat kanë patur ruajtjen e tokës dhe pronës shtetërore e jo keq-përdorimin e saj. 7 muaj kanë kaluar prej se kam denoncuar publikisht këto uzurpime dhe asnjë reagim, asnjë veprim i ndërmarrë… Për të tilla denoncime duhet reaguar brenda 24 orëve besoj unë…”, shkroi Peci.
“Janë bërë më shumë se 7 muaj prej që kemi denoncuar dhe ofruar të gjitha faktet e poseduara se lokale afariste në zemër të Prishtinës, janë pronë e Ministrisë së Bujqësisë. Veprimtari që ushtrohet kundërligjshëm sepse ska se si të jetë ndryshe kur edhe kundërligjshëm janë ndërtuar e po në atë mënyrë vazhdojnë të funksionojnë. 700 metra katrorë! Oborr i shndërruar në depo! Vepra penale me bollëk!”, shkroi ai në një tjetër postim.
E bazuar në Emailin e mësipërm të kabinetit të Kurtit, duket se dosje të tilla kanë dorëzuar të gjitha ministritë. Ato tash, vetëm duhet ta njoftojnë kabinetin e Kurtit se për cilat raste kanë çuar dosje saktësisht.
