Zyra e BE-së në Kosovë: Kërkohen masa të qarta kundër abuzimit me Byronë për Konfiskim të Pasurisë
BE-ja ka dilema për Byronë
Reagimi i shefit të zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog një ditë më parë, lavdëroi Kuvendin e Kosovës për disa Ligje që u miratuan. Megjithatë, ai nuk e zuri në gojë Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, që u miratua dje në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.
Një ditë pasi Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të parë këtë ligj, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka shfaqur dilema për efikasitetin e këtij ligji.
Në një përgjigje për gazetën Nacionale, nga zyra e Bashkimit Evropian kërkojnë masa të qarta mbrojtëse kundër keqpërdorimit dhe abuzimit të mundshëm.
“Sistemi i konfiskimit civil, i parashikuar në Draft-ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Aseteve të Pajustifikueshme kërkon masa të qarta mbrojtëse kundër keqpërdorimit dhe abuzimit të mundshëm”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së.
Më tutje, BE-ja kërkon që të zbatohen të gjitha rekomandimet nga Komisioni i Venecias, dhe të mos shkelet Kushtetuta e Kosovës.
“Ai duhet t’i respektojë parimet e përfshira në Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtat themelore të individëve. Në këtë aspekt, institucionet duhet t’i adoptojnë rekomandimet e Komisionit të Venecias”, bëhet e ditur më tutje në përgjigjen për Nacionalen.
Sipas zyrës së BE-së në Kosovë, një Byro e tillë nuk duhet të minojë në asnjë moment ligjet ekzistuese.
“Për më tepër, një sistem i tillë nuk duhet ta zëvendësojë ose minojë zbatimin e kornizës ligjore ekzistuese për konfiskimin kriminal, përfshirë Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit”, thuhet në përgjigje.
Krejt në fund të përgjigjes, Bashkimi Evropian ka kërkuar unitet me partitë politike e shoqërinë civile, gjë e cila në rastin konkret, nuk ka ndodhur. Kjo pasi edhe opozita edhe shoqëria civile kanë pasur dilema të mëdha.
“Shtuar kësaj, si te çdo ligj tjetër, edhe ky ligj duhet të jetë subjekt i konsultimit të gjerë me partitë opozitare dhe shoqërinë civile brenda një kornize kohore adekuate”, përfundon përgjigja e zyrës së BE-së për Nacionalen.
Reagimet nga shoqëria civile
Me t’u miratuar në Kuvendin e Kosovës në lexim të parë, ka pasur shumë reagime nga shoqëria civile.
Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës ka bërë një gabim të madh, duke e miratuar këtë ligj në lexim të parë. Krasniqi ka thënë se ligji, do të duhej të kthehej në qeveri.
“As nuk mund të mendohet në një demokraci, që Kuvendi me vetëdije të miratoi një projektligj që nuk garanton të drejtat themelore të njeriut; që nuk respekton standardet ndërkombëtare; dhe që është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, tashmë ka një vlerësim të tillë nga mekanizmat më kredibil ndërkombëtar, të cilat nuk i kontestoi askush nga brenda”, ka shkruar Krasniqi.
“Të vetmin argument që Qeveria kishte, ishin numrat që kontrollonte në Kuvend! Nga aspekti procedural, është shumë më vështirë që Kuvendi të adresoi vërejtje për pothuajse secilin nen të këtij projektligji. Çdo ndryshim duhet të bëhet në formë të votimit të amendamenteve në seancë. Nuk është parim që Kuvendi të ndryshojë kaq shumë një projektligj të cilin nuk e ka iniciuar vet”, thuhet në postimin e tij.
Reagim të ngjashëm pati edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës. Cakolli ka thënë se zgjidhja e duhur, do të ishte kthimi i ligjit në pikën zero.
“Komisioni i Venecias ka dhënë aq rekomandime dhe vërejtje mbi projektligjin për Byronë Shtetërore, saqë praktikisht pjesa më e madhe e tij duhet të rishkruhet – sidomos për çështjet më esenciale. Duke ditur që ekzekutivi ka shumëfish më shumë resurse dhe ekspertizë sesa Kuvendi, ka qenë e udhës që Qeveria t'a tërheqë këtë projektligj, e Ministria e Drejtësisë t'i adresojë të gjitha rekomandimet e Venecias para se Kuvendit t'i dërgohet drafti i ri”, ka shkruar Cakolli.
“Ndryshe, Kuvendi edhe mund t'i adresojë vet rekomandimet e Venecias, por kësisoj Qeveria po lirohet nga përgjegjësia që ka për garantimin e përputhshmërisë së projektligjeve me standardet ndërkombëtare apo opinionet e Venecias, veçanërisht kur ato janë dhënë mbi akte të draftuara nga Qeveria”, thuhet në postimin e tij.
Edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi kishte kërkuar që ligji të kthehet në pikën zero.
Debati në Kuvend
Dje në Kuvendin e Kosovës ishte zhvilluar debat i ashpër për këtë temë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku madje, kishte paralajmëruar se do ta tërheqin edhe përkrahjen për Vettingun, pasi qeveria nuk po do koncesus.
“Mund t’i ndash këto dy ligje por atëherë do të veprosh vetë dhe pa mbështetjen e të tjerëve. Rendi e do që të kemi konsultime. Në këtë drejtim keni kërkuar gjithpërfshirje. Nëse kryeministri e vendos në votim, vazhdoni ju. Qëndrimin mbështetës e kemi dhënë. Por që reforma në drejtësi të mos e prek Kushtetutën e Kosovës. Jam vullnetar pë verifikim të pasurisë. Nëse kryeministri vendos të shkojë pa konsultim, sic e dha urdhrin, vazhdoni rruga e mbarë iu qoftë”, tha Abdixhiku.
Përderisa opozita pati dilemat e veta, dhe e ndërlidhi Byronë me Vetingun, Kurti tha se këto dy procese nuk duhet të përzihen.
“Besoj se është i nevojshëm koordinimi me të gjitha partitë, sepse bëhet fjalë për një proces me shumë vendime që tejkalon mandatin tonë, dhe mandatin pas mandatit tonë. Duhet ta bëjmë ndarjen e qartë të gjërave që nuk janë të njëjta. Byroja dhe Vettingu nuk janë e njëjta gjë. Nuk është mirë të fusim gjithcka në një thes”, tha Kurti.
Pas miratimit në lexim të parë, pushteti ka premtuar se në shqyrtime nëpër komisione do të merren për bazë të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias.