Prezenca policore është zvogëluar, por mënyra e largimit të kryetarëve në veri mbetet e paqartë - NACIONALE

Prezenca policore është zvogëluar, por mënyra e largimit të kryetarëve në veri mbetet e paqartë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosova është duke bërë hapa konkret për deeskalimin e situatës në veri të vendit. Ashtu siç është pajtuar me BE-në me marrëveshjen e Bratisllavës, Kosova është duke i larguar njësitet policore sipas planit.

Pas largimit kohë më parë të 25 për qind të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në dhe rreth objekteve komunale në katër komunat e veriut, sot ka ndodhur edhe tërheqja tjetër prej 25 për qind e policëve në veri.

Për zvogëlimin prezencës policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre ka folur edhe kryeministri Albin Kurti.

Ai ka bërë me dije se kjo ka ndodhur pasi situata është e qet në atë pjesë të vendit.

Nga sot filloi zvogëlimi edhe për 25% të tjera i pranisë së policisë së Kosovës në tri ndërtesat e komunave në veri të vendit tonë. Kjo vjen pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë nga mbledhja që pardje mbajtën drejtues të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in. Pra, siguria është e mirë, situata është e qetë, dhe mund ta zvogëlojmë ca praninë e policisë sonë. Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mirë. Janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk kemi incidente të theksuara e protesta të dhunshme. Falënderojmë policinë dhe qytetarët pa dallim për bashkëpunimin dhe korrektësinë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.

Por, ajo që mbetet e paqartë ende është mënyra e largimit katër kryetareve të komunave të veriut, veprim ky që do t`i hapte rrugë zgjedhjeve të reja.

BE-ja ka kërkuar dorëheqjen e tyre, si rrugë më të shpejt drejtë zgjedhjeve të reja, ndërsa Qeveria e Kosovës ka bërë me dije se largimi i tyre duhet të bëhet sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, i cili kërkon që ky proces të realizohet me anë të një kërkese të qytetarëve për largimin e tyre.

Madje, Qeveria e Kosovës ka ndërmarr edhe hapa konkret për realizimin e këtij skenari.

Këtë javë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka marrë një vendim për caktimin e një Grupi Punues që do të hartonte Udhëzimin Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largonte kryetarët e komunave në veri të vendit.

Në dokumentin e nënshkruar nga ana e ministrit Elbert Krasniqi ky grup e ka zgjedhur kryesues z. Besim Myrtezani, ndërsa si anëtarë Xhevat Tavën, Fetije Begollin e Flurim Arifin.

Në vend thuhet se ky grup do ta ketë përgjegjësinë për “hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.”

Afati që i është dhënë është deri më 1 shtator.

Rruga e peticionit po kontestohet

Rruga që po synohet të ndiqet nga Qeveria për largimin e katër kryetarëve po kritikohet nga opozita dhe njohësit e rrethanave politike në vend.

Ata kanë vlerësuar se kjo mënyrë e largimit të kryetarëve kërkon mbajtjen edhe të një referendumit, i cili me legjislacionin aktual nuk lejohet.

Miratimi i një ligji për referendumin, sipas tyre, mund të keqpërdoret në të ardhmen.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë për gazetën Nacionale se largimi i kryetarëve me peticion është rrugë e gabuar.

Personalisht e konsideroj gabim që të kërkohet rruga e peticionit të 20 për qind të atyre që janë në listën e votuesve, e cila i hap rrugë referendumit që do të duhej të kalonte me mbi 50 për qind të votuesve për shkarkimin e kryetarëve. Kjo për dy arsyeje, e para që nuk ka bazë ligjor të qartë. Sepse Kosova kurrë nuk e ka miratuar ligjin për referendumin. Dhe e dyta, nuk besoj që ne duhet ta krijojmë një traditë politike ku komunitet e caktuar etnike në Kosovë i arrijnë qëllimet e tyre politike përmes referendumit”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për gazetën Nacionale.

Edhe politologu Avdi Smajljaj mendona se peticioni dhe referendumi nuk janë rruga e duhur për largimin e kryetarëve.

Mendoj se mënyra me praktike për t`i hapur rrugë zgjedhjeve në këto komuna do të ishte dhënia e dorëheqjes së kryetarëve aktual. Peticioni është paraparë me ligj si instrument demokratik, nder të tjera, kur qytetarët nuk janë të kënaqur me qeverisjet lokale. Ndërsa referendumi do të mund të përdorej pastaj për veprime demokratike që bien ndesh me interesat shtetërore të vendit, marrë parasysh specifikat e kontekstit tonë”, ka thënë Smajljaj për gazetën Nacionale.

Kurse, Bekim Salihu nga Instituti GAP ka përmendur edhe sfida tjera që mund të ketë rruga e largimit të kryetarëve që po synohet të ndiqet nga Qeveria.

Ideja që kryetarët aktual në veri të shkarkohen përmes peticionit nuk është e qëlluar dhe mund të kontestohet shkarkimi i tyre nga ta në procedurë gjyqësore. Për disa arsyje: E para: Kosova nuk ka ligj për peticione. E dyta: Kush (cili institucion) e verifikon saktësin e një peticioni. E treta: Kush e inicon dhe kush e administron peticionin. E katërta: Nuk kërkohet peticion nga qytetarët, por vetëm nga trupi elektoral. Gjetja e vetëm një rasti në peticion që dikush ka nënshkruar pa qenë në listen komunale të votimit e bënë jo kredibil krejt procesin e peticionit”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Ligji për Vetëqeverisje Lokale specifikon mënyrën e largimit të kryetarëve të komunave.

Në nenin 72 të këtij ligji tregohet se si mund të bëhet kjo me një iniciativë të qytetarëve.

72.1 Qytetarët e komunës mund të ndërmarrin iniciativë për largimin e kryetarit të komunës. 72.2 Kërkesa e tillë duhet të nënshkruhet nga njëzet (20) për qind e votuesëve të regjistruar dhe i dorëzohet kryesuesit të kuvendit të komunës, i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit. 72.3 Nëse shumica e votuesëve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet”, thuhet në nenin 72 të këtij ligji.

Lajme të ngjashme