Zv.sekretarja e NATO-s: Pretendime të rreme për largimin e amerikanëve nga KFOR, kemi rritur prezencën në veri - NACIONALE

Zv.sekretarja e NATO-s: Pretendime të rreme për largimin e amerikanëve nga KFOR, kemi rritur prezencën në veri

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zëvendës sekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Sekerinska ka deklaruar se pretendimet për largimin e trupave amerikane nga KFOR-i dolën të jenë të rreme, derisa ka shtuar se “retorika ngajëherë është shqetësuese”, kur u pyet për deklaratat se “Serbia mund ta sulmojë Kosovën".

Sekerinska në një intervistë të dhënë së fundi, citohet të ketë thënë se dialogu është zgjidhja për normalizimin Kosovë-Serbi.

“Ne jemi të përkushtuar në rajon përgjatë dekadave të fundit, dhe posaçërisht për shkak të çështjes së dialogut. Jam takuar me emisarin evropian për dialogun Prishtinë-Beograd për të biseduar rreth asaj se ku mund të bashkëpunojnë BE me NATO-n edhe më mirë. Roli ynë është shumë i qartë, ne kemi misionin më të madh dhe që ka zgjatur më së shumti – KFOR – gjë e cila duhet të bind të gjithë se vetëm dialogu politik mund të kontrubojë në një zgjidhje të vërtetë të problemit dhe në stabilitet politik për të gjithë.

KFOR nisi me një mandat për të siguruar paqe dhe siguri për të gjithë njerëzit në Kosovë, dhe jemi shumë të përkushtuar në këtë. Kjo është arsyeja pse KFOR ka qenë shumë aktiv, dhe pas ngjarjeve që kontribuan në përkeqësimin e situatës, ne rritëm prezencën tonë. Çështja e dialogut është ku BE dhe NATO shohin dobi të bashkëpunimit. Kjo u konfirmua dje dhe sot në takimin e ministrave në Bruksel” – u shpreh ajo, transmeton Nacionale.

Pyetur se si e sheh situatën e sigurisë në Kosovë, dhe deklaratat se “Serbia mund ta sulmojë Kosovën”, sipas “Kosovo-Online” ajo ka thënë:

“E dini, kemi retorikë që ndonjëherë mund të jetë shqetësuese, por patëm përkeqësim të situatës ku personeli i KFOR-it u sulmua. Për këtë arsye riforcuam KFOR-in dhe të gjithë aleatët thanë se qëndrojnë të përkushtuar. Patrullimet tona në vijë janë shumë të rëndësishme, kemi rritur prezencën sidomos në veri, dhe kjo është parë si një sinjal inkurajues te qytetarët, autoritetet dhe gjithë rajonin. Ne i marrim këto gjëra shumë seriozisht, reagojmë ndaj tyre, insistojmë se dialogu politik është rruga e duhur dhe nuk ka zgjidhje të thjeshta ushtarake kur vjen puna te këto çështje. Për këtë arsye, ne besojmë se të dyja palët duhet ta përdorin dialogun dhe të qasen në mirëbesim, por gjithashtu t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tani”.

Tutje, ajo është pyetur edhe mbi raportimet se Shtetet e Bashkuara mund t’i tërheqin trupat ushtarake nga misioni i KFOR-it, gjë të cilën e demantoi.

“Ka pasur pretendime të tilla, që dolën të jenë të rreme. Është e rëndësishme që Aleanca ka treguar përkushtimin e saj ndaj misionit, dhe aleatët kanë dërguar më shumë trupa së fundi. Askush nuk duhet të dyshojë në përkushtimin dhe vendosmërinë e Aleancës. Ne së fundi kemi vizituar KFOR-in, shefi i NATO-s, unë dhe të gjithë këshilltarët, gjë që është indikacion i qartë në përkushtimin e Aleancës dhe interesimin në përkrahjen e mëtejme të dialogut, një zgjidhje paqësore dhe stabilitetit rajonal” – ka thënë ajo.

Lajme të ngjashme