ZRrE s’bëhet e gjallë nëse do të zbatojë vendimin e Komerciales, kërkohet që Prokuroria të aktivizohet ‘o sot, o kurrë’ - NACIONALE

ZRrE s’bëhet e gjallë nëse do të zbatojë vendimin e Komerciales, kërkohet që Prokuroria të aktivizohet ‘o sot, o kurrë’

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Paligjshmëria është konstatuar. Verdikti është dhënë. ZRrE ka marrë karton të kuq nga Gjykata Komerciale për vendimin e saj të vendosjes së dhunshme të 1 mijë e 300 bizneseve vendore në të ashtuquajturin treg të lirë të energjisë elektrike. Por, pavarësisht krejt kësaj, asnjë shenjë se do të zbatojnë vendimin e gjykatëss nuk e kanë dhënë Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Nacionale ka provuar të kontaktojë Kryesusin e Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahun, por ai s’është bërë i gjallë – por, mbrëmë u citua nga “Kallxo.com” të ketë thënë se vendimi i Komerciales nuk ka efekt të menjëhershëm dhe se do të dërgojnë ankesë. Kësisoji duke lënë të kuptohet se ZRrE pavarësisht një mali aktgjykimesh në favor të padive të bizneseve kundër tyre, nuk do ta përfill atë.

"Ligjshmëria e këtij procesi po konfirmohet çdo ditë nga gjykatat kompetente, përmes aktvendimeve që mbështesin veprimet e ZRRE-së, duke vërtetuar se të gjithë hapat janë ndërmarrë në përputhje me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës”, shkroi ZRrE, duke u thirrur në zoti-e-di ku.

Nga sot përfundon afati i KEK-ut si furnizues fundor. Faturat e qershorit (dhe qershori është muaji me konsumin më të vogël të enegjisë gjatë vitit) bizneseve kanë nisur t’u vinë në 100% më shtrentjë, ndërsa çmimet në tregun e ashtuquajtur të lirë mbi 300% më shumë. Shih ofertën e vëllaut të Luan Dalipit, MDA-së: 240 euro megavat/orë.

Moszbatim i vendimit të Gjykatës Komerciale përbën vepër penale: por, gjer më tash asnjë indikacion se ZRrE do të zbatojë vendimin e ka dhënë. Ndaj ZRrE-së ka pasur reagime enorme nga përfaqësues të bizneseve, odat ekonomike, njohës të ekonomisë dhe politikanë. Për më tepër, është kërkuan urgjentisht “prokuroria të ndërhyjë”.

Kushtrim Ajvazi nga Shoqata e Prodhuesve Vendor ka bërë thirrje “të fundit” ndaj bordit të ZRrE-së që të zbatojnë vendimin e Komeciales përdnryshe “po kryejnë vepër penale për moszbatim të një vendimi gjyqësor të formës së prerë”.

“Zbatoni vendimin menjëherë! Mos na detyroni t’ju ngrisim kallëzime penale për secilin anëtar të bordit individualisht. Gjykata ka vërtetuar se dalja e bizneseve në treg të lirë është bërë në mënyrë të jashtëligjshme. Çdo mosveprim nga ana juaj do të konsiderohet i qëllimshëm dhe me pasoja penale personale”, shkroi ai.

Hykmete Bajrami e Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkoi pezullimin e menjëhershëm të vendimit nga ZRRE pas fjalës së Gjykatës Komerciale.

Siç argmentoi ajo, “nëse sot nuk e pezullon vendimin për përjashtimin e bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji, do të hyjë në histori si armiku më i madh i ekonomisë në vend”.

“Janë në rrezik mbi 140 mijë vende pune dhe valë e re inflacionit për secilin produkt. E kemi thënë që në fillimi: nuk ka treg të lirë, bizneset nuk janë të përgatitura, as institucionet, andaj bizneset e përjashtuara nga tregu i rregulluar ende nuk i kanë faturat e muajit qershor. Prokuroria nuk duhet të ketë pardon për bordin e ZRRE-së. Nuk duhet të lejohet asnjëherë që njerëz që paguhen me para publike me punu për interesa private”, shkroi ajo.

Për Hykmete Bajramin, prokuroria duhet të aktivizohet “ose sot, ose kurrë”.

Arben Mustafa i Partisë Demokratike të Kosovës po ashtu kërkoi nga Prokuroria të përfshihet në hetime ndaj ZRRE-së se pse nuk po e zbatojnë vendimin e Komerciales.

“Ky vendim nuk po duket se do të gjej zbatim nga anëtarët e Bordit të ZRRE-së, të cilët po shfaqin një zell të quditshëm dhe shumë të dyshimt për ta tronditur edhe më shumë ekonominë e vendit dhe për ti rrezikuar mbi 140,000 vende pune në sektorin privat. Kjo nguti për ta goditur sektorin privat, madje edhe pas konstatimit nga gjykata për paligjshmëri, fuqizon edhe më tej dyshimet për një angazhim të fuqishëm të mafisë energjetike në Kosovë”, shkroi Mustafa.

“Është koha e fundit që prokuroria të përfshihet për ti hetuar motivet e këtyre njerëzve, të cilët duke ushtruar funksione publike po rrezikojnë ti shkaktojnë vendit pasoja të parikuperueshme”, përfundoi ai.

Lajme të ngjashme