ZRrE-ja heziton ta gjobitë KEK-un për tregti të energjisë me kompani të palicencuara - NACIONALE

ZRrE-ja heziton ta gjobitë KEK-un për tregti të energjisë me kompani të palicencuara

3 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Zyra e Rregullatorit për Energji po heziton ta gjobitë KEK-un për tregti të energjisë më kompani të cilat nuk janë të licencuara. Ndonëse në mbledhjen e 20 prillit ZRrE e kishte pjesë të agjendës shqyrtimin e dënimit me gjobë ndaj KEK-ut, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Gazeta Nacionale ka kërkuar të di pse është shtyrë kjo mbledhje, por Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ka treguar arsyet.

Burimet e gazetës kanë bërë me dije se shtyrja e dënimit ka ndodhur për shkak të arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Çka ndodhi?

Zyra e Rregullatorit për energji, në mbledhjen e katërt të tyre për këtë vit do të shqyrtonte 21 pika të rendit të ditës. Pika e shtatë, sipas njoftimit të lëshuar nga vet kjo zyrë, kishte të bënte me shqyrtimin/vlerësimin e propozimit për Masë Administrative dhe Gjobë për KEK-un.

Gazeta Nacionale përmes burimeve tw saj ka mësuar se gjoba për KEK-un, po përgatitej për shkak të tregtisë së energjisë nga kjo kompani me kompani të pa licencuara. Në zhurmën e skadnalit tashmë të njohur që lidhet me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, e me arrestimin e shefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, kjo gjobë nga ZRrE-ja, duket se do të jetë një tjetër goditje për sistemin energjetik në vend.

Në njoftimin zyrtar për shtyrje të mbledhjes nuk është treguar asgjë.

“Njoftojmë se mbledhja e paraparë që të zhvillohet sot, datë 20.04.2023, ora 10:00, e Bordit të ZRRE-së, do të shtyhet për një ditë tjetër.”, është thënë në njoftim.

Nacionale ka dërguar pyetje drejt Zyrës së Rregullatorit, për të mësuar më shumë në lidhje me pikën 7-të.

Në përgjigjet e tyre, ZRrE ka treguar se gjoba do të shqyrtohet në të ardhmen.

Sa i përket pikës 7 te agjendës së Bordit, që ka të bëjë me shqyrtimin e raportit përfundimtar të Monitorimin për Korporatën Elektroenergjetike (KEK), ju informojmë se ky Raport së bashku me përgjigjet e dhëna ndaj gjetjeve gjatë fazës së monitorimit do të shqyrtohet nga Bordi në mbledhjen e radhës të Bordit. Në përputhje me dispozitat ligjore dhe afatet kohore, pas shqyrtimit të raportit nga Bordi, raporti do te publikohet në faqen zyrtare të ZRRE-së.” është thënë në përgjigjen e ZRRE-së.

Sa i përket arsyes së shtyrjes së mbledhjes së 20 prillit, ky institucion ka bërë me dije se publiku do të njoftohet me kohë.

Mbledhjet e Bordit janë të hapura për publikun. Në lidhje me mbajtjen e mbledhjes së Bordit, publiku do të njoftohet me kohë siç parashihet me dispozitat ligjore të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë.”, thuhet në përgjigje.

Dosja e prokurorisë për Nagip Krasniqin

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë kërkesë që kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, t’i caktohet paraburgimi prej 30 ditësh dhe një pjesë e dyshimeve tanimë janë zbardhur.

Paraburgimi u dha me arsyetimin se ka rrezik ndikimi në dëshmitarë e prova nga Krasniqi.

Në dosjen e Prokurorisë të cilën e ka publikuar një pjesë grupi Koha, thuhet se Krasniqi dyshohet për dy kontrata të dëmshme. Njëra me kompaninë “Litëin SA” që kishte vlerë rreth 3.5 milionë euro për kaldaja në bllokun A5.

Tjetra në vlerë prej 60 mijë eurosh për konsulencë ligjore.

Sipas dosjes, dyshimet janë që shefi i prokurimit Ymer Dragusha ishte urdhëruar ta nënshkruante kontratën edhe pse ka pasur rekomandim nga komisioni lidhur me anulimin e tenderit. Kjo pasi kompania nuk po iu përmbahej kushteve.

Si rezultat, është dëmtuar buxheti i Korporatës Energjetike të Kosovës.

KEK-u në një reagim para pak kohësh ka deklaruar se për riparimin e kaldajës së njësisë A5 kontrata në fjalë ishte anuluar më 20 mars 2023 dhe kjo korporatë “nuk ka pasur asnjë shpenzim financiar”.

Krasniqi po dyshohet për veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, për “keqpërdorim i autoritetit e pozitës zyrtare” si dhe për “konflikt interesi”.

Lajme të ngjashme