ZRRE gjakftohtë ndaj bizneseve se shkyçja nga rryma “është obligim”: i qëndron me zell tregut ‘të lirë’ të energjisë - NACIONALE

ZRRE gjakftohtë ndaj bizneseve se shkyçja nga rryma “është obligim”: i qëndron me zell tregut ‘të lirë’ të energjisë

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Boritë kanë rënë për rrezikimin e së paku 22 mijë vendeve të punës, reduktim ose mbyllje të reparteve të prodhimit, humbje të tregut përmes pamundësisë së konkurrencës e deri te falimentimi dhe mbyllja e fabrikave.

Por, Zyra e Rregullatorit të Energjisë s’do t’ia dijë për asgjë: shkyçën nga rrjeti edhe fabrika e ndërmarrje që kanë fituar lëndët kundër saj në Gjykatën Komerciale dhe kanë ‘masë sigurie’ nga gjykata për të qëndruar në shërbimin universal të furnizimit me energji elektrike.

Me zellin e një urgjence të shfrenuar ZRRE u lajmërua sot duke thënë se “shkyçja është obligim” dhe “sa më shpejtë” të lidhen kontrata në të ashtuquajturin “treg të lirë”.

Fjalët shpatë, ZRrE mbështetur masivisht nga Qeveria në detyrë me në krye deputetin, Albin Kurti, thanë se zbatimin e kanë të nevojshëm për përafrimin me “Direktivat Evropiane”.

Ndërkaq vetë BE-ja në përgjigje për media ka bërë thirrje për “liberalizim gradual të tregut të energjisë” dhe jo për fa(k)t-të-kryer dhe pa periudhë të ndërmjetme përgatitore.

“Sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energjinë Elektrike, konsumatorët të cilët dështojnë të hyjnë në marrëveshje me një nga furnizuesit e licencuar, operatori i sistemit është i obliguar të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për ta. ZRrE do të vazhdojë mbikëqyrjen e procesit (...)

(...) dhe inkurajon të gjithë konsumatorët që i plotësojnë kriteret për të dal në treg të hapur, e të cilët ende nuk kanë nënshkruar kontrata komerciale, sa më shpejt të lidhin kontratë me njërin nga furnizuesit e licencuar, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm”, thanë nga ZRRE.

Oda Ekonomike e Kosovës veçse e ka sfiduar në Gjykatë Supreme vendimin e ZRRE-së për shkyçje të bizneseve nga rrjeti elektrik me prani dhe mbështetje policore.

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami reagoi ndaj ZRRE-së duke ua rikthyer një raport të ZRRE-së të nëntorit 2024, ku konstatonin vetë se nuk ka treg të lirë të energjisë çka sot pretendojnë të ekzistojë.

Për më tepër, Bajrami parafrazoi vetë fjalët e kryesuesit të bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahut, se çfarë ka thënë ky i fundit në një takim të brendshëm.

“Ju e keni thënë, po parafrazoj: ‘e vetmja mundësi për t’i mbajtur bizneset në shërbimin universal të furnizimit të energjisë ka qenë nëse Qeveria do t’i ndante 50 milionë euro subvencion’. Ka dëshmitarë që e keni thënë këtë në takim me mua, e keni thënë edhe në takim me shoqatat e biznesit, e ka shumë mundësi ta keni thënë edhe publikisht”, shkroi ajo.

“Sot, represionin që po u bëni bizneseve e paskeni shitur si sukses. Paskeni treguar se 92% e njëhësorëve të këtyre kompanive tash janë duke u furnizuar nga operatorët privat, por asnjë fjalë nuk paskeni thënë për depozitat e majme monetare që janë detyruar kompanitë t’i bëjnë te këta operatorë privat (tregtarët e energjisë), çfarë kontratash janë nënshkruar, e me çfarë çmimi?”, shkroi mes tjerash ajo.

“Unë ftoj kryetarin e Bordit të ZRRE-së, pse jo edhe krejt bordin, në një studio televizive, të flasim për tregun e lirë, për dokumentin e aprovuar nga vetë ZRRE-ja, për ekskluzivitetin që kanë NOA dhe EFT-ja e Vuk Hamoviqit në tregtimin e energjisë dhe për përgjegjësinë që ka ZRRE-ja në krejt këtë katrahurë. A po e zbatoni Ligjin për liberlizim edhe në katër komunat veriore? Elektroserver është i licencuar nga ju apo jo?”, shkroi mes tjerash Bajrami.

Lajme të ngjashme