ZPS-ja ia konfiskon telefonin edhe Bajram Zejnullahut, vëllait të heroit Hakif Zejnullahu - NACIONALE

ZPS-ja ia konfiskon telefonin edhe Bajram Zejnullahut, vëllait të heroit Hakif Zejnullahu

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Aksionet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për konfiskimin e telefonave të familjeve të dëshmoreve dhe veteranëve të UÇK-së nuk kanë të ndalur.

Gazeta Nacionale nga burime mirë të informuara ka mësuar se hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë ia kanë konfiskuar telefonin edhe Bajram Zejnullahut, vëllait të heroit Hakif Zejnullahu.

Aksionet për konfiskimeve të telefonave të veteranëve të UÇK-së nga ZPS-ja kanë filluar qysh në fillim të kësaj jave.

Këto aksione kanë përfshirë edhe bastisjen e disa familjeve të dëshmoreve.

Zyrtarët e kësaj prokurorie, të asistuar edhe nga pjesëtaret e EULEX-it, të martën kanë bastisur banesën e heronjve Fahri e Bahri Fazliut në Prishtinë. Pas bastisjes disa orëshe, Fadil Fazliu, vëllai i heronjve Fahri e Bahri Fazliut, ia kanë marrë telefonin mobil.

Pas bastisjes, ai ka thënë se nuk e di se për çka janë bastisur.

Kah ora 7 u kanë, kanë ardhur brenda me kontrollu. Kanë kontrolluar, por nuk kanë marrë asgjë, nuk kanë pasur çka marrin. Sigurisht janë të porositur me marrë diçka, pasi ka qenë bazë e vjetër e luftës prej 88-89 sigurisht ata shokët Salih Mustafa e të tjerët, kanë qenë në shtëpinë tonë sidomos në përvjetore. Ata kanë munduar që do të gjejnë diçka. Ka pasur libra. Telefoni jem personal, telefonin e djalët nuk patën nevojë me marrë. Lap-topin tim. Nuk kanë pasur çka morën”, ka thënë ai.

Në të njëjtën ditë, zyrtarët Zyrës së Prokurorit të Specializuar kishte ndalur edhe ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit UÇK-së, Rrustem Mustafa – Remi.

Pas dërgimit në zyrat e tyre në Fushë Kosovë, Muftaës ia kanë konfiskuar telefonin.

Sonte rreth orës 20:00 para shtëpisë time më janë prezentuar hetuesit e Gjykatës Speciale të Kosovës me një urdhër nga prokuroria e Gjykatës Speciale për kontroll të telefonit. Gojarisht më shpjeguan se duhet të bëjmë një bisedë zyrtare në zyre të Eulexit. Personeli nga Gjykata Speciale janë sjellur me respekt. Në zyre të Eulexit më është sekuestruar telefoni im dhe posa është bërë kjo kontrollë pa asnjë interesim shtesë nga ana e tyre, ka përfunduar biseda dhe tani gjendem në shtëpi”, ka shkruar Remi në profilin e tij në “Facebook”.

Telefoni i është konfiskuar edhe Arben Mustafës, vëllait të Salih Mustafës, i cili është i dënuar në shkallë të parë nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim.

Në vazhdën e ndalimeve që janë bërë kohëve të fundit, Gjykata Speciale, ditë më parë, kishte ndaluar edhe ish të burgosurin politik, deputetin dhe ish-ambasadorin, Nait Hasani, te cilit po ashtu iu kishte konfiskuar telefoni.

Veteranët kundërshtojnë këto aksione

Në shenjë pakënaqësie ndaj këtyre aksioneve, përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së sot kanë protestuar para zyrave të ZPS-së dhe EULEX-it në Fushë Kosovë.

Duke shprehur pakënaqësinë e tyre me konfiskimeve e telefonave që i janë bërë disa veteranëve të UÇK-së, protestuesit kanë hedhur disa telefona në ambientet e zyrave të EULEX-it.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë me dije se aksionet e fundit të këtyre institucioneve janë të papranueshme.

Ai ka thënë se procesi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së po dëshmon se dosjet e Gjykatës Speciale janë krijua nga Serbia.

Kjo gjë po dëshmohet në sallën e gjykatë në Hagë kur po bëhen seancat publike. Mirë që po dëshmohet edhe në përgjimet që po dalin, por do të ishte edhe më mirë që sa më shumë dëshmitar të dalin në seanca publike që ta marrim vesh edhe ne kur dëshmitë e tyre përmbysen nga mbrojta e kreve të UÇK-së dhe bashkëluftëtareve tjerë në Hagë”, ka thënë Klinaku para protestueseve.

Ai ka thënë se bastisjet e fundit kanë shqetësuar familjet e veteraneve dhe të dëshmoreve.

“Jemi dëshmitar që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i janë duke i shqetësuar familjet e bashkëluftetarëve tanë dhe familjet e dëshmoreve, duke dërguat pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kohë për gjoja intervistime duke i bastisur e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personal”, ka thënë ai.

I pari i veteranëve ka kritikuar edhe institucionet vendore për mos reagim.

Zyra e Prokurorit të Specializua në Hagë në mungesë të fakteve po vazhdojnë me filmat e tyre. Kjo gjë siç po bëjnë këta ta panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohen e pushtuesit. Dhe institucionet tona vetëm po heshtin”, është shprehur Klinaku.

Sipas tij, Gjykata Speciale po gjykon vetëm shqiptarët.

Dhomat e specializuara të Kosovës gjykojnë vetëm shqiptarët por jo krimet e kryera në Kosovë, jo krimet që i kanë shkaktuar pushtuesit serb civilëve. Ata gjykojnë luftën tonë çlirimtare, gjykojnë vetëm UÇK-në, duke quajtur ndërmarrje të përbashkët kriminale”, është shprehur ai.

Lajme të ngjashme