EULEX-i me bastisje në banesën e heronjve Fahri e Bahri Fazliu: Flasin familjarët
Njësitet e EULEX-it janë duke kryer bastisje në banesën e heronëjve Fahri e Bahri Fazliu në lagjen “Kodra e Diellit”.
Lajmin e ka konfirmuar për gazetën Nacionale nipi i Fahri Fazliut, Fahriu, i cili ka trashëguar emrin e xhaxhait të tij.
“Avokati më ka informuar që janë duke kryer bastisje në banesën e heronjëve Fahri Fazliu e Bahri Fazliu në Kodrën e Diellit”, ka thënë Fazliu.
Ai ka thënë se nuk ka detaje pse po kryhet kjo bastisje.
“Tani jam duke shkuar te banesa, nuk dimë asgjë se pse po ndodh kjo bastisje”, ka deklaruar ai për gazetën Nacionale.
Por, Fahriu më parë kishte qenë i ftuar nga Gjykata Speciale e Hagës. Kjo pavarësisht se ai kishte qenë shumë i ri në moshë në kohën e luftës.
Fahri Fazliu, u lind në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e vitit 1981. Ai aktivitetin e tij në çlirim të atdheut e vazhdoi gjatë tërë kohës edhe në vendin e tij të punës dhe kudo ku i jepej mundësia.
Kështu më 2 nëntor të dy, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, u rrethuan në lagjen “Bregu i Diellit” nga UDBA serbe dhe prej orës 12:45 deri në ora 19:00 të shtënat nuk janë ndalur, ku ranë heroikisht të dy atdhetarët.
Kurse, Bahri Fazliu ishte anëtar i LKÇK-së dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për disa vjet jetoi në ilegalitet dhe ishte kryeredaktor i revistës “Çlirimi”, e cila botohej nga LKÇK-ja.
Ishte vëlla i heroit Fahri Fazliut, i cili më 2 nëntor 1989 së bashku me Afrim Zhitin bien heroikisht në një betejë me policinë serbe në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.
Më 7 maj të vitit 1998 në vendin e quajtur Bogiqe të Malit të Zi bie heroikisht Bahri Fazliu.