Zonja Makbeth: nga lufta kundër UÇK-së te e para e Kuvendit
Për vite me radhë, Donika Gërvalla-Schwarz kërkoi me ngulm që të vihej në cung koka e UÇK-së. Duke e estetizuar me gjermanishten e saj të trashë, ajo thoshte se kjo kokëprerje duhej të bëhej për hir të “des inneren Heilungsprozesses” (procesit të brendshëm të shërimit)! Por ndërsa e rindërtojmë profilin e saj ndër vite, e vetmja që nuk i ka thënë ‘bujrum’ shërimit personal është vetë ajo. Prej artikullit të saj namkeq “Wohin gehört Kosova?”, i cituar me ëndje nga detraktorët e UÇK-së, Donika Gërvalla-Schwarz u investua me mish e shpirt në kundërdiplomaci për ta zezuar luftën çlirimtare. Nga bashkëbisedimet e saj, të dikurshme dhe ato më të vona, me Erich Rathfelderin, Hans-Joachim Wiesen e Andreas Reichin, ajo mbeti po e njëjta: Zonja Makbeth.
Col MEHMETI
20 gusht 2025 – Në vitin 2007 kur UNMIK-u po e mbante në arrest shtëpiak, Albin Kurti i shtynte orët e mërzisë duke pritur e përcjellur mysafirë.
Të vetmit që kujtoheshin për të ishin si nja 15-20 vetë, aq sa kishte e gjithë ‘Vetëvendosja’ e asokohe.
Një dreq e di se kah i kishte ardhur në shtëpi, në raftin e vitrinës e mbante një kukull ruse për fëmijë, nga ato që quhen ‘Babushka’ ose ‘Matryoshka’.
Në Rusinë fshatarake, ato ishin menduar nga ustahët popullorë asisoj që t’i kuriozonin të vegjëlit që duhej ta hapin ‘Babushkën’ e madhe, në të cilën gjendej një ‘Babushkë’ tjetër e përmasave më të vogla, e pastaj kur hapej ajo pasonte një tjetër Babushkë më e vogël e kështu me radhë.
Me këtë lodër në dorë, i ulur në kolltukun e zgjyrtë e të vjetër, Albini asokohe përpiqej të intelektualizonte para aktivistëve që e dëgjonin gojëhapur.
Në varfërinë e tij imagjinative, ‘Babushka’ i shërbente si metaforë për të thënë se si një pushtet mund të tallej me gjindjen duke e veshur ashtu e kështu po të njëjtën ide. Dhe njerëzit e shkretë, ndonëse e dinin rrengun e ‘Babushkës’, prapë kishin njëfarë kurreshtimi prej kalamajsh për të parë se mos helbete hapja e radhës nuk do të sillte figurën e njejtë.
Rrengu i Babushkës për kreun e Kuvendit
Me sa duket kjo e frymëzoi nënvetëdijshëm që kandidaten e stërkonsumuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun, ta zëvendësonte sa për sy e faqe me Donika Gërvalla-Schwarzin.
Sigurisht që propozimi i tij ishte menduar pikë-për-pé që të mos votohej nga kundërshtarët.
Për më tepër, propozimi me zonjën Gërvalla-Schwarz u bë duke ia njohur mirë asaj disponimin e egër anti-UÇK dhe njerëzve me sfond nga lufta.
Në kushtet e një politike krejt provinciale, ngjarje si këto bëhen shkas për të pjellur gjithfarë qyfyresh. Mosvotimin e saj të pritur njëri nga deputetët e dramatizoi krejt emocionalisht. Ai, madje, e portretoi atë jo si Donika Gërvalla-Schwarz, por si “mbesa e Nënës Ajshe” (sic!).
Një e pabërë në varrezat e Dubovikut
Në të vërtetë, rikthimi i historive familjare zor që do t’i bënte nder vetë mbesës idhnake të Nënës Ajshe.
Më 24 shkurt 2002, ditë e diel, varrezat e fshatit Dubovik nxinin nga një masë e madhe njerëzish. Atë ditë u bë rikthimi dhe rivarrimi i eshtrave të vëllezërve Gërvalla.
Kontrasti i vetëm me atmosferën funebër e të përmortshme të rivarrimit ishte një femër paksa e hallshme nga trupi.
Ndryshe nga të pranishmit e tjerë çehrengrysur, Donikën 30-vjeçare seç e kishin kapur për kapsitre të tjera halle.
Ajo nuk i ndahej asnjë çap gazetarit gjerman të ‘Die Tageszeitung’, Erich Rathfelder.
Me hove gulshuese e me gjermanishten që mezi ia përcillte urrejtjen që po ia shponte edhe tëmthat, ajo po i thoshte gazetarit se nuk e kishte lënë asnjë politikan shqiptar që të merrte pjesë në varrim.
Ndonëse zotit Erich i tha se druante që prania e tyre mund ta shndërronte varrimin në cak tarafesh politike, atë për një moment e tradhtoi e ndërdijshmja dhe gjuha e gjatë.
I ati i saj kishte flatruar në hava me përkthime e me artin e kitarës, përderisa bashkëkohësit e tij po qelbeshin nga ‘patriarkalizmi’. Këtë arriti t’ia thoshte shkoqur mikut gjerman.
Në gojën e gazetarit Erich që i kushtoi një kronikë të tërë kësaj atmosfere funebër: “Ai (Jusufi – v.j) ishte një mendimtar i pavarur, tha ajo, dhe donte që me veprën e vet të jepte impulse moderne për atë që asokohe ishte shoqëri prapanike dhe patriarkale”.
Donika, e cila si një fëmijë i prapë nuk i ndahej gazetarit gjerman, nuk e fshihte kënaqësinë që Trupat Mbrojtëse të Kosovës nuk i lejoi që të shtinin në ajër.
“Nuk pati qitje me armë nga ‘Trupat Mbrojtëse të Kosovës’ (TMK), të cilat e kanë emëruar njërën prej kazermave të tyre me emrin e Jusuf Gërvallës. As Rugovës nuk iu dha rasti që ta shpaloste veten si ‘mik’ dhe pasrendës i heroit kombëtar”, shkroi Rathfelder.
“Ah, këta barbarët e UÇK-së....”
Ky episod i Donikës ishte vetëm një nga shumë sosh në luftën e saj personale kundër të gjithëve.
Një vit më parë, aktivistja e LDK-së në revistën gjermane ‘Ost-West. Europäische Perspektive’ nuk kishte lënë kusur pa thënë kundër UÇK-së në Kosovë, UÇPMB-së në Luginë të Preshevës dhe UÇK-së në Maqedoni.
“Diese Barbaren”, shfryente ajo në gjermanisht për të rinjtë e të rejat shqiptare që i fajësonte se po përhapnin provokime të dhunshme në rajon.
Artikulli i saj namkeq “Wohin gehört Kosova?” (Kujt i përket Kosova?) u bë citim i shpeshtë për të gjithë detraktorët e kritikët e huaj që e shënjestronin UÇK-në dhe shqiptarët.
Artikulli skandaloz i zonjës Gërvalla kundër UÇK-së
Thika pas shpine për ata që ishin në gjyq
Ndërsa aktiviteti i saj anti-UÇK jo gjithherë dokumentohet, nëpër arkivat e mediave gjermane shpesh gjenden të transkriptuara intervista e paraqitje skandaloze.
Njohjet me gazetarë e njerëz të mediave i shfrytëzoi rregullisht për të tejçuar kudo disponimin e saj anti-UÇK.
Fjala vjen, më 14 mars 2005, ajo pati një bashkëbisedim me gazetarin Hans-Joachim Wiese në radion gjermane ‘Deutschlandfunk’.
Gjatë gjithë intervistës, Gërvalla, asokohe 34-vjeçare, nuk foli asgjë tjetër përpos për Ramush Haradinaj, i cili sapo ishte deklaruar i pafajshëm në rragatjen e tij të gjatë me Tribunalin e Hagës.
“Haradinaj ist kein Held der Albaner” (Haradinaj nuk është hero i shqiptarëve), ngutej të thoshte pa i lënë radhë gazetarit as për të bërë pyetje.
‘Shërimi’ duke e goditur UÇK-në
E njëjta Donikë e akuzave kundër UÇK-së ishte edhe kur u bë ministre e Punëve të Jashtme. Ajo më nuk po iu bënte rixha askujt, por të tjerët po prisnin në radhë e po e ‘lusnin’ për intervista.
Në bashkëbisedimin e paradovjetshëm që pati me gazetarin Andreas Reich të ‘Neue Zürcher Zeitung’, ajo mezi u durua të fliste për “vrasjet politike” (“die politischen Morde”).
“Tok me të tjerët, unë vazhdimisht kam kërkuar që vrasjet politike pas përfundimit të luftës të hetohen plotësisht. Duhet të ketë drejtësi për secilin. Kjo na duhet për procesin e brendshëm të shërimit të shoqërisë sonë” (“Ich habe zusammen mit anderen immer wieder verlangt, dass auch die politischen Morde nach dem Ende des Krieges restlos aufgeklärt werden. Es müsse Gerechtigkeit für alle geben. Wir brauchen das für den inneren Heilungsprozess unserer Gesellschaft”).
Njëherë anti-UÇK, gjithmonë anti-UÇK
E votuar së fundmi nga 113,239 qytetarë të Republikës së Kosovës – duke qenë e treta në listën e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje – Gërvalla-Schwarz ka qenë për katër vite me radhë ministrja që diplomacinë e Kosovës e ktheu në një zero me xhufkë.
Krejt kjo ngjau në rrethanat e izolimit të plotë dhe sanksioneve të dyfishta nga Washingtoni dhe Brukseli.
Me afrimitetin e saj gjithnjë e më të madh me ish-kryeministrin Albin Kurti, në kurriz të braktisjes së kryepartiakes së saj Vjosa Osmani, ajo prodhoi një kundërdiplomaci për Kosovën, sidomos me qëndrimet e saj konsekuente kundër UÇK-së dhe krerëve të luftës.
Dikur ajo kishte shpallur me grimasa krenarie se po depozitonte materiale në Speciale kundër Thaçit e Veselit – madje, kjo ishte shfrytëzuar edhe nga vetë ish-ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq.
“Ju keni ndihmuar të akuzohet Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli për krime me dëshmitë që keni mbledhur nga familjarët e viktimave, pra juve ju kanë dalë në ndihmë viktimat e krimeve të kryera nga ana e Thaçit dhe Veselit”, kishte thënë kryediplomati serb. /Nacionale/