Gërvalla pati një votë më pak sesa Haxhiu: A i numëroi gabimisht Kuvendi votat?
Në seancën e parë konstituive pas shpalljes së Aktgjykimit nga Gjykata Kushteuese ku u vendos që veç votimi i hapur është i vlefshëm dhe se një kandidat mund të propozohet vetëm një herë, Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate. Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla ishin kandidatet e VV-së. Pas përfundimit të votimit, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari “konstatoi” se për Albulena Haxhiun kishin votuar “pro” 57 deputetë, gjithashtu ai "konstatoi" se edhe për Donika Gërvallën votuan “pro” 57 deputetë. Por, e vërteta nuk është kështu. Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për kandidaten Donika Gërvalla “pro” votuan 56 deputetë, meqenëse votë për të s’pati Shqipe Selimi, e Vetëvendosjes.
Gazeta Nacionale ka numëruar me kujdes votat “për” të dyja kandidatet dhe del se për Haxhiun “për” ishin 57 vota, ndërsa për Gërvallën 56 vota.
Votat për Haxhiun:

Votat për Gërvallën

Edhe faqja zyrtare e Kuvendit të Kosovës pretendon se të dy kandidatet patën numër të njejt të votave.
Pse Selimi nuk e votoi Gërvallën?
Duket se deputetja Shqipe Selimi nuk ia ka harruar fyerjet e rënda që Donika Gërvalla ia kishte bërë dikur bashkëshortit të saj, Rexhep Selimi.
Vite më parë, Gërvalla kishte fjalor të ashpër ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në veçanti, ajo disa herë e kishte fyer ulët Rexhep Selimin.
Madje, Gërvalla e kishte quajtur Rexhep Selimin njeri të botes së krimit.
Në vitin 2019, disa ditë pasi ishte votuar Qeveria Kurti I, Gërvalla e kritikonte ashpër VV-në që e kishte propozuar Selimin për kryetar të Grupit Parlamentar.
“Nëse mund t’ju besohet informacioneve të mediumeve të ndryshme, Rexhep Selimi qenka propozuar si kryetar i Grupit Parlamentar të VV-së. Ky do të ishte një sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës”, kishte shkruar Gërvalla.
Kurse, në një status të mëvonshme, ajo pretendonte se Rexhep Selimi është njeri i botes së krimit.
“Sa gërditshëm me e pa pikërisht Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së drejtës. Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të diskredituara të botës së krimit”, kishte shkruar ajo.