‘Zhvatësit’: Mijëra eurot që i morën portalet ‘që bëjnë punë të mirë’ sipas Kurtit - NACIONALE

‘Zhvatësit’: Mijëra eurot që i morën portalet ‘që bëjnë punë të mirë’ sipas Kurtit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sinonimi i fjalës media me atë ‘kriminalizim’ është trend i ri që s’e kemi parë në qeveritë e kaluara, por kasta e fundit në pozitë [sepse tash e re s’mund t’i themi], po tenton që fjalën krim dhe media ta paraqesë afër njëra-tjetrës pa ofruar asnjë provë. Këtë fillimisht e bëri Prindon Sadriu i Vjosa Osmanit, e tash edhe tabori i kryeministrit Kurti. Por, cilat media [të mira në sytë e tyre] s’janë kriminale?

Se kasta e Kurtit i sheh mediat si grup kriminal, na e vërteton edhe Shefi i Stafit të kryeministrit, Luan Dalipi. Ky i fundit thotë se portalet ngjasojnë me kompani të kriminalizuara.

Thurja e gënjeshtrave apo kurtheve dhe plasimi i tyre në portale i bën këto të fundit të ngjasojnë me kompani të kriminalizuara, që model biznesi kanë shpifjen dhe tentimin për të shantazhuar qeverinë dhe/apo manipuluar publikun, ose thjeshtë për të fituar pandershëm sa më shumë përmes klikimeve/shikueshmërisë së ‘lajmeve’ të tyre” – shkroi Dalipi.

Pas reagimeve për shefin e Stafit të vet, Kurti doli në televizionin publik [RTK] për të thënë se jo të gjitha mediat duhet lidhur me krimin. Sipas tij, ka media që bëjnë punë të mirë. Po të vazhdonte Kurti edhe pak, ndoshta edhe mund t’i emëronte nja dy media që i ka më për zemër.

Po shefi i stafit tim është edhe pak si aktivist politik, është e vërtetë kjo punë. Por, unë nuk kisha dashur që të gjitha mediat të konsiderohen të njëjta sepse s’janë. Unë besoj se shumë media bëjnë punë të mirë”, tha Kurti.

Por cilat nga mediat [të mira në sy të tyre] s’janë kriminale?

Ta lënë televizionin publik mënjanë.

Burri i presidentes – Zotëria i Parë [siç ka qejf të quhet] – nënkoloneli rezervist i FSK-së, Prindon Sadriu, qe i pari që i quajti mediat ndërmarrje të përbashkët kriminale.

Pas reagimeve brenda dhe jashtë, shkrimi u shlye, por presidentja u detyrua të dalë në një intervistë në televizionin publik - RTK, për të na e fyer inteligjencën duke thënë se në të vërtetë burri i saj nuk i quajti mediat ndërmarrje e përbashkët kriminale.

Shkrimi i ushtarakut Prindon ku mediat i quan ndërmarrje e përbashkët kriminale ekziston edhe sot si ‘screenshot’, i zi mbi të bardhë.

Derisa shefi i Dalipit, Albin Kurti, zgjedh që intervistat t’i bëjë në Kallxo.com dhe Kohavision, mund të themi që këto media janë të afërta me pozitën.

E meqë Dalipi thotë se mediat që u paguan për reklama nga Telekomi dhe ministritë ngjasojnë me kompani të kriminalizuara, ku qëndrojnë këto mediat të afërta me pushtetin?

Një dosje që u publikua në media, tregon se vetëm portali Koha mori 24 mijë e 193 euro për reklama nga Telekomi.

E kompania mediale Birn nga e cila buron Kallxo.com – ku Kurti pyetej se si i siguron pitalkat e nxehta – ka marrë 7 mijë e 800 euro në vitet 2018 dhe 2019. Në atë kohë, në pushtet ishte koalicioni i ashtuquajtur PAN (PDK, AAK, Nisma).

Vetë dokumenti është publikuar nga Kallxo.com, emri i të cilit është “ktv_doc-1”.

Mediat në Kosovë, kush më pak e kush më shumë janë paguar për të reklamuar. Kjo është varur edhe nga vizitat që këto media marrin në baza ditore. A kishin vizita Kallxo dhe Koha? Të gjithë e dinë se cilat gazeta online lexoheshin më së shumti në atë kohë, dhe mes tyre nuk figuron asnjëra prej të lartpërmendurave.

Fakti që këto dy media marrin më pak vizita se gjigantët medialë, nënkupton që edhe Telekom këto media i ka kontraktuar në vlera më të vogla, por i ka paguar.

Kur mediet sulmohen nga VV-ja, si mund të mungojë zëri i zhurmuesit të saj?

Edhe pse zëdhënës i VV-së, Arlind Manxhuka, s’është që jep shumë informacion për media kur ato pyesin. Tashëm dihet jo-transparenca e pushtetit të VV-së me media.

Por, sa herë që mediat sulmohen, ‘zhurmuesi’ i VV-së është i gatshëm të vjellë vrer kundër tyre. Këtë e bën përmes shkrimeve të tij në facebook.

Kur Dalipi skandalizoi me shkrimin kundër mediave, Manxhuka qe i gatshëm t’ia shpërndajë shkrimin për të thënë në fund “Nuk ka më”.

Për të mos i hyrë në hak, Kurti një intervistë tjetër e ka realizuar në ATV – medium ky që më shumë njihet si medium argëtues se sa transmetues i ngjarjeve politike.

Lajme të ngjashme