Zgjedhjet serbe në Kosovë të mos mbahen në lokale publike shtetërore e as me personel publik shtetëror - NACIONALE

Zgjedhjet serbe në Kosovë të mos mbahen në lokale publike shtetërore e as me personel publik shtetëror

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Gazmend Demolli

Banorët e Kosovës duhet ta kuptojnë cilat janë objektet e Republikës së Kosovës, dhe se aty nuk mund të ketë autoritet asnjë shtet tjetër. Kjo do t’i ndihmojë të kuptojnë se këto zgjedhje janë për një vend të huaj, dhe se vetëm zgjedhjet nacionale e lokale të Kosovës kanë legalitet në Kosovë dhe për Kosovë. Nëse zgjedhjet nacionale të Serbisë mbahen në të njëjtin lokal sikurse ato të Kosovës, qytetari nuk do t’a kuptonte dallimin. Solemniteti i zgjedhjeve të Kosovës do të vendosej karshi parëndësisë së atyre të Serbisë. Kur ia shton këtu edhe faktin se strukturat komunale të zgjedhura nuk do të mirreshin me vëzhgim dhe organizim, në një mënyrë tjetër ia zhvesh rëndësinë dhe solemnitetin e tyre.

Si fillim, nuk ka shumë nevojë të theksohet që Kosova është vend demokratik dhe mekanizmat e elementet e këtij sistemi qeverisës duhet të zbatohen për çdokë, në çdo moment. I tillë është edhe lejimi i mbajtjes së zgjedhjeve për qytetarët e minoritetit serb të cilët kanë dyshtetësi. Demokracia nuk duhet të jetë opsion dhe duhet t’i prijë rrugëtimit të shtetndërtimit. Sovraniteti nuk ka kuptim pa demokraci. E kundërta ka. Kësisoji, qeveria duhet të bëjë çmos për të lejuar zgjedhjet e Serbisë për qytetarët serbë të Kosovës.

Por, duhet zgjedhur betejat.

Askush në Francë, as edhe partitë më ekstremiste, as opinionistët më ksenofobë nuk janë deklaruar asnjëherë kundër mbajtjes së zgjedhjeve nacionale të Algjerisë në Francë. As kundër atyre të Marokut apo Turqisë, Senegalit apo shteteve tjera me diasporë të shumtë në Francë.

As në Gjermani, kur mbahen zgjedhjet turke në Berlin, Mynhen, a Frankfurt nuk e dëgjon askënd të merret me këtë çështje, të kundërshtojë këtë, ose në ndonjë mënyrë të merret me të drejtën e votës së shtetasve ose dyshtetasve turk. Për t’i marrë vetëm këta dy shembuj.

Këto zgjedhje, për shkak të numrit të votuesve dhe shtrirjes së tyre nuk mund të mbahen vetëm në objektet konsulare. Një milion votues turq në Gjermani nuk mund të votojnë në një ambasadë, konsulatë. Ose shtetasit algjerianë që jetojnë në Francë. Prandaj ata organizojnë zgjedhjet në lokale të përshtatshme por që nuk janë objekte administrative shtetërore.

Nëse i shikoni adresat e vendvotimeve, shumica e tyre ndodhen në salla sportive ose kulturore. Sigurisht për mundësinë e instalimit të hapësirave izoluese, por edhe për organizimin e turmave.

Përgaditja e vendvotimeve për zgjedhjet presidenciale të Turqisë në Frankfurt Fraport Arena, Korrik 2014

Në asnjë rast nuk ndodh që zgjedhjet të mbahen në hapësira publike, administrative shtetërore. Nuk mbahen as në lokalet komunale, as shkollore, pra në asnjë objekt që administrohet nga shteti. Sepse nuk mund të ketë përzierje të një shteti në sovranitetin e tjetrit. Nëse Franca do t’i organizonte zgjedhjet algjeriane, shpejt mund të akuzohej për ndërhyrje në rezultatin zgjedhor, pra në sovranitet.

Edhe Kosova do të duhej të organizonte zgjedhjet e veta nacionale në vendet me dendësi më të madhe të diasporës. Me të njëjten logjikë dhe me të njëjtat metoda si bëjnë vendet me diaspora të ngjashme. E huazon një hapsirë, angazhon komisionerë dhe punëtorë të tjerë organizativë, dhe në këtë mënyrë e respekton edhe diasporën. Nuk ka ndërhyrje në sovranitet këtu. Nuk ka asnjë problem.

Po ashtu nuk ka problem as në organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në vendet ku ka popullatë të koncentruar me dyshtetësi, ose shtetas të tyre në Kosovë. Por duhet të merren parasysh disa principe që nuk guxojnë të shkelen. Së pari, zgjedhjet nuk duhet të mbahen në hapësirat publike të Kosovës, pra jo në shkolla, as në hapësira komunale etj. Së dyti instancat shtetërore Kosovare nuk duhet të marrin pjesë në organizimin e tyre as nga larg, pra askush nga punëtorët e administratave komunale të komunave kosovare nuk do të duhej të punonte në organizimin e vendvotimeve. Së treti, organet e sigurisë duhet të informohen për detajet.

Po ndalem te pika e parë. Banorët e Kosovës duhet t’a kuptojnë cilat janë objektet e Republikës së Kosovës, dhe se aty nuk mund të ketë autoritet asnjë shtet tjetër. Kjo do t’u ndihmojë të kuptojnë se këto zgjedhje janë për një vend të huaj, dhe se vetëm zgjedhjet nacionale e lokale të Kosovës kanë legalitet në Kosovë dhe për Kosovë. Nëse zgjedhjet nacionale të Serbisë mbahen në të njëjtin lokal sikurse ato të Kosovës, qytetari nuk do t’a kuptonte dallimin. Solemniteti i zgjedhjeve të Kosovës do të vendosej karshi parëndësisë së atyre të Serbisë. Kur ia shton këtu edhe faktin se strukturat komunale të zgjedhura nuk do të merreshin me vëzhgim dhe organizim, në një mënyrë tjetër ia zhvesh rëndësinë dhe solemnitetin e tyre.

Zgjedhjet duhet të lejohen, patjetër. Metodat për organizimin e tyre ekzistojnë. Tjetër gjë është populizmi.

Lajme të ngjashme