“Zgjedhjet në vitin 2025”, kryetarët në veri nuk pajtohen me kërkesën për zgjedhjet e reja - NACIONALE

“Zgjedhjet në vitin 2025”, kryetarët në veri nuk pajtohen me kërkesën për zgjedhjet e reja

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në ditët e fundit, katër komunat veriore të Kosovës kanë qenë në qendër të vëmendjes për shkak të tensioneve. Kreu i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dha betimin e tij më 19 maj, ndryshe nga kryetarët e komunave të Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan që dhanë betimin e tyre më 25 maj. Një ditë pas 25 majit, disa serbë lokal u mblodhën për të penguar hyrjen e kryetarëve të rinj në komuna, kështu duke tensionuar situatën në veri. Për gjatë një jave situata në veri vazhdojë duke u tensionuar.

Situata e krijuar atje gjatë tetë ditëve të fundit ka bërë që kërkesat për de-eskalim të menjëhershëm të situatës dhe organizim të zgjedhjeve të reja të jenë tashmë obligative për Kosovën

Kapërcimi i Kurtit, erdhi pas një telefonate të vonshme me Jon Finer, zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra ishte amerikani Finer, gjermani Olaf Scholz dhe francezi Emmanuel Macron, që e sollën idenë dhe i bindën kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani për zgjedhje të reja në veri.

Edhe pse përsëritjen e zgjedhjeve në veri e pranuan krerët e shtetit, duke se me një mendim të tillë nuk janë pajtuar kryetarët e sapo zgjedhur në veri.

Kryetari i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, nga radhët e VV-së, ka thënë se mandati i tij do të zgjasë deri në vitin 2025.

Atiq në një intervistë për T7 ka thënë se nuk beson që do t’i kërkohet dorëheqja nga dikush, dhe i njëjti ka thënë se po angazhohet që t’i plotësoj kërkesat dhe nevojat e kësaj komune.

Nuk mendoj që kanë me na e kërku dorëheqjen. Ne nuk mundemi me ndiku në politika më të mëdha, por e imja si kryetar komune është që ta jap maksimumin për premtimet të cilat i kemi pasur në fushatë. Po shpresoj që kena filluar me një vrull të mirë dhe pozitiv. Shpresoj që në ditët e fundit, në zgjedhjet e rregullta në vitin 2025, t’ia arrijmë me kry punë të mira.” – ka thënë Atiq.

Njëjti si Atiq mendon edhe kreu i Zveçanit, Ilir Peci nga PDK-ja, i cili ka thënë se nuk është duke menduar për zgjedhjet të reja.

Në lidhje me mundësinë e dorëheqjes për t`i hapur rrugë zgjedhje të jashtëzakonshme, ai ka thënë se duhet të konsultohet me kabinetin.

Për bese ne s’e kemi menduar atë. Nuk mund të them diçka përfundimisht. Na duhet të bisedojmë me kabinet.” - ka thënë Peci për Klan Kosova.

I të njëjtit mendim është edhe i pari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i cili ka deklaruar se nuk i ka pëlqyer ideja e zgjedhjeve të reja.

Sipas Zeqirit, zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhja e duhur.

“Do një analizë pse duhet të hyhet ne zgjedhje, a ka ndonjë element të tërheqjes dhe çka mund të prodhojë më pas kjo. Edhe sot po vazhdojmë me disa takime për konsolidimin e kabinetit. Unë nuk dua të bie ndesh me ligjin, për t’u shpallur zgjedhjet e reja duhet të ketë njëfarë arsye, por për momentin s’jam duke menduar për këtë gjë.” – ka deklaruar ai për Klan Kosovën.

Gazeta Nacionale ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga kreu i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, mirëpo i njëjti për dy ditë nuk e ka hapur telefonin.

Lajme të ngjashme