Zgjedhjet në veri, garë VV vs PDK: Sa mund të jetë përqindja e pjesëmarrjes bazuar në vitin 2021? - NACIONALE

Zgjedhjet në veri, garë VV vs PDK: Sa mund të jetë përqindja e pjesëmarrjes bazuar në vitin 2021?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zgjedhjet e 23 prillit që do të mbahen në katër komunat veriore me shumicë serbe rrezikojnë të mos konsiderohen legjitime nga faktorët ndërkombëtarë për shkak të përqindjes së ulët në zgjedhje. Çka na thonë shifrat e vitit 2021 dhe kush kundër kujt po lufton?

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, takoi të katër kandidatët e partisë së tij për katër komunat veriore me shumicë serbe.

Sipas asaj që shkruan partia në pushtet, Kurti ka ndarë besimin “që procesi do të kalojë ashtu siç duhet dhe i ka hije një procesi demokratik”.

Por më e rëndësishmja, është se Kurti ka ndarë besimin që do të ketë pjesëmarrje të lirë e të lartë të qytetarëve në komunat veriore”.

Se mund të ketë pjesëmarrje të lartë është e vështirë të thuhet, pasi që Lista Serbe që i kishte fituar bindshëm zgjedhjet paraprake nuk po merr pjesë në këto zgjedhje. E këto zgjedhje, edhe ashtu nuk po mbahen në vendet ku ishin mbajtur më herët.

Mitrovica e Veriut

Në zgjedhjet e vitit 2021, kandidati i Listës Serbe në Mitrovicë të Veriut Millan Radojeviq do t’i merrte 91.12 për qind të votave. Megjithatë, i dyti ishte kandidati i tanishëm i VV-së (që asokohe mbështetej nga të gjitha partitë politike shqiptare) Erden Atiq. Atiqi do t’i merrte 8.88 për qind të votave, ose 1056 sosh.

Pjesëmarrja në votime në vitin 2021 kishte qenë 69,16 për qind, nga 17 mijë e 721 votues të regjistruar.

Nëse do të qëndronin këto shifra, dhe të gjithë votuesit e Atiqit do të votonin atëherë pjesëmarrja në zgjedhje do të ishte 5.95 për qind.

Por, vlen të thuhet që në garë janë edhe dy kandidatë tjerë. Është Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica të cilën e përfaqësonte dikur Atiqi. Dhe Taulant Kelmendi nga PDK-ja.

Leposaviqi

Në Leposaviq garonte Zoran Todiqi nga Lista Serbe dhe Shaqit Hetemi nga Partia Demokratike e Kosovës. Todiqi do t’i fitonte 97.85 për qind ndërkaq Hetemi 2.15 për qind.

VV në këtë garë e ka Lulzim Hetemin.

Pjesëmarrja në votime në këtë komunë kishte qenë 74,95 për qind nga 12 mijë e 707 votues.

Nëse do të dilnin të gjithë 199 votuesit e z. Shaqir Hetemi i PDK-së për ta votuar Lulzimin e VV-së, atëherë përqindja e pjesëmarrjes në votime do të ishte 1.56 për qind.

Përveç z. Lulzim Hetemi nga VV-ja, në Leposaviq garon edhe znj. Albulena Hetemi nga PDK-ja dhe Aleksandër Jabllanoviqi nga komuniteti serb.

Ky i fundit në një intervistë për gazetën Nacionale ka lënë të kuptohet se edhe mund të largohet nga gara nëse zgjedhjet nuk janë profesionale dhe “absolutisht të ligjshme”.

Zveçan

Në Zveçan, VV-ja do ta kandidojë Fetah Pecin.

Në zgjedhjet e vitit 2021, do të kandidonin Dragisha Milloviq nga Lista Serbe dhe Sllaxhana Pantoviq. Dragisha do t’i fitonte 98,43 për qind të votave.

Pjesëmarrja në zgjedhje në këtë komunë të vogël ishte 84,02 për qind nga 6879 votues të regjistruar.

Nëse do të dilnin vetëm votuesit e Sllaxhanës, atëherë përqindja e daljes në votime do të ishte 1.25 për qind.

Sllaxhana do të marrë pjesë sërish, por do të marrin pjesë edhe dy kandidatë shqiptarë me mbiemrin Peci. Ilir Peci nga PDK-ja dhe Fetah Peci nga VV-ja.

Zubin Potok

Në vitin 2021, Lista Serbe do të kishte rezultatin më të dobët – e megjithatë të fortë – në komunën e Zubin Potokut.

Srxhan Vulloviqi nga Lista Serbe do t’i fitonte 83,53 për qind të vota ndërsa Sllavisha Bishevaci do t’i fitonte 9,76 për qind. Kandidati shqiptar Qerkin Veseli do t’i merrte 6.71.

Në zgjedhjet e 23 prillit, Qerkini duket se do të kemi përsëri betejën PDK dhe VV. Flatron Hasani nga partia që drejtohet nga Albin Kurti do të ketë përballë Izmir Zeqirin nga partia që drejtohet nga Memli Krasniqi.

Pjesëmarrja në zgjedhje në këtë komunë kishte qenë 65,39 për qind në vitin 2021 nga 6443 votues të regjistruar.

Nëse do të dilnin vetëm votuesit shqiptarë të z. Qerkin Veseli, pra 259 sosh, atëherë përqindja e daljes në zgjedhje do të ishte 3,92 për qind.

Duhet ët kujtojmë se në ato zgjedhje veçse dihej fitorja e kandidatëve të Listës Serbe, gjë që mund të ketë qenë dekurajuese për votuesit shqiptarë që të dalin e të votojnë.

Lajme të ngjashme