Zgjedhjet në ShBA – kur mbyllen qendrat e votimit në shtatë shtetet kyçe?
Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara pritet të vendoset nga gara në shtatë shtete: Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, Wisconsin, Pensilvani dhe Karolinë e Veriut.
Nënpresidentja Kamala Harris dhe ish-presidenti Donald Trump i kanë vizituar më së shumti këto shtete. Së bashku, ato pritet t’i ofrojnë votat e Kolegjit Zgjedhor që i nevojiten kandidatit fitues për ta siguruar shumicën prej 270 sosh, raporton agjencia “Associated Press”.
Këto shtatë shtete shtrihen në katër zona të ndryshme kohore, prandaj përcjellja e rezultateve do të jetë interesante në raport me kohën.
Arizona
Qendrat e votimit hapen në orën 8 të mëngjesit sipas zonës kohore të Arizonës. Atje, presidenti Joe Biden kishte fituar për 0,3 për qind më 2020. Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 21:00 (në orën 5:00 të mëngjesit të mërkurën, sipas zonës kohore të Kosovës).
Arizona nuk i publikon votat derisa të kenë raportuar të gjitha distriktet ose një orë pas mbylljes së qendrave të votimit – cilado që ndodh e para.
Më 2020, agjencia “Associated Press” e kishte raportuar rezultatin në Arizona, në orën 22 e 2 minuta të 3 nëntorit, ditën e zgjedhjeve, dhe e kishte shpallur Bidenin fitues në orën 2 e 51 të mëngjesit të 4 nëntorit.
Georgia
Qendrat e votimit hapen në orën 7:00 të mëngjesit. Georgia kishte luajtur rol kyç në zgjedhjet e kaluara. Bideni ishte demokrati i parë që kishte fituar atje që nga viti 1992, duke e mposhtur Trumpin për më pak se çereku i 1 përqindëshit.
Qendrat e votimit në Georgia mbyllen në orën 19:00 (në orën 01:00 pas mesnatës të mërkurën, sipas zonës kohore të Kosovës).
Më 2020, agjencia “Associated Press” i raportoi rezultatet në Georgia në orën 19:20 më 3 nëntor, ndërsa Bidenin e shpalli fitues në orën 19:58 më 19 nëntor, më shumë se dy javë pas ditës së zgjedhjeve.
Michigan
Qendrat e votimit hapen në orën 7 të mëngjesit. Më 2016, Trumpi kishte fituar atje me rezultat të ngushtë, pas gati 30 vjetëve të fitoreve të demokratëve. Sidoqoftë, Bideni fitoi më 2020.
Shteti Michigan shtrihet në dy zona kohore, por shumica e vendvotimeve mbyllen në orën 20:00 sipas zonës kohore lindore (në orën 02:00 pas mesnatës të mërkurën sipas zonës kohore të Kosovës), ndërsa pjesa tjetër një orë më vonë.
Më 2020, agjencia “Associated Press” i raportoi rezultatet në Michigan në orën 20 e 8 minuta më 3 nëntor, ndërsa Bidenin e shpalli fitues në orën 17 e 58 minuta më 4 nëntor.
Nevada
Qendrat e votimit hapen në orën 10:00 në Nevada, shteti me më së paku vota në Kolegjin Zgjedhor në mesin e shtatë shteteve kyçe. Sidoqoftë, ky shtet shpesh ka qenë tregues i fituesit të garës. Kandidati që ka fituar në Nevada, i ka fituar edhe zgjedhjet në 27 prej 30 zgjedhjeve të kaluara.
Qendrat e votimit atje mbyllen në orën 22:00 (në orën 04:00 të mëngjesit të mërkurën sipas zonës kohore të Kosovës). Shteti nuk i publikon rezultatet derisa të votojë edhe votuesi i fundit që është duke pritur në radhë. Agjencia “Associated Press” e kishte shpallur fitues Bidenin në Nevada në orën 12 e 13 minuta më 7 nëntor.
Karolina e Veriut
Qendrat e votimit hapen në orën 6 e 30 minuta në Karolinën e Veriut, ku demokratët kanë fituar vetëm dy herë në zgjedhje presidenciale nga viti 1968. Megjithatë, shteti ka qenë me konkurrencë të fortë mes dy partive. Trumpi fitoi atje më 2020 me rreth 1 për qind epërsi. Qendrat e votimit mbyllen në orën 19:30 (1 e 30 minuta pas mesnatës të mërkurën sipas zonës kohore të Kosovës).
Pensilvania
Qendrat e votimit hapen në orën 7 të mëngjesit. Bideni kishte fituar atje më 2020 me epërsi të vogël ndaj Trumpit. Qendrat e votimit mbyllen në orën 20:00 (në orën 2 pas mesnatës të mërkurën, sipas zonës kohore të Kosovës). Shteti ka 19 vota në Kolegjin Zgjedhor, më shumë se cilido prej gjashtë shteteve të tjera kyçe.
Wisconsin
Qendrat e votimit në këtë shtet hapen në orën 8 të mëngjesit. Atje fituesi zakonisht del me epërsi të ngushtë – më pak se 1 për qind më 2020, 2016, 2004 e 2000. Agjencia “Associated Press” e shpalli fitues Bidenin në zgjedhjet e kaluara në orën 14 e 16 minuta më 4 nëntor 2020. Qendrat e votimit atje mbyllen në orën 21:00 (në orën 3 të mëngjesit të mërkurën sipas zonës kohore të Kosovës)./Nacionale