Zgjedhjet në Maqedoni, aktivizohet “artileria e rëndë” e VV-së: Bajqinovci, Muja e Ramabaja përfshihen në fushatë të VLEN-it - NACIONALE

Zgjedhjet në Maqedoni, aktivizohet “artileria e rëndë” e VV-së: Bajqinovci, Muja e Ramabaja përfshihen në fushatë të VLEN-it

2 vjet më parë

nga NACIONALE

“Artileria e rëndë” e VV-së është përfshirë në fazën finale të fushatës zgjedhore në Maqedoninë e Veriut.

Nuk dihet se sa janë të njohur te shqiptarët e Maqedonisë, por deputetët Mefail Bajqinovci e Armend Muja janë përshirë në aktivitetet elektorale të koalicionit VLEN, i cili fuqishëm po mbështet nga VV-ja dhe kryeministri Albin Kurti. Madje, në këtë aktivitet që është mbajtur në Strugë është parë edhe këshilltari i Kurtit, Hysamedin Feraj si dhe aktivistët e VV-së, Sadri Ramabaja dhe Elvis Hoxha, raporton Nacionale.

Derisa dy deputetët shihen të ulur në rendin e parë përkrah Arben Taravarit dhe Bekim Qokut, Ramabaja, Hoxha dhe Feraj janë të ulur në rreshtin e dytë.

Nuk dihet nëse të pranishmeve në sall, që ishin te pakt në numër, u janë drejtuar zyrtarët në fjalë, por deputeti Bajqinovci me krenari e ka postuar një fotografi në profilin e tij në “Facebook”, duke shprehur mbështetje të fuqishme për koalicionin e Arben Taravarit.

Kjo nuk është hera e parë që zyrtaret e lartë të VV-së përfshihen direkt në fushatën zgjedhe në Maqedoni të Veriut.

Lëvizja Vetëvendosje prej muajsh është duke u marrë intensivisht me zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni të Veriut. Madje, kryeministri Albin Kurti shihet si “kumbara” i koalicionit VLEN, ku janë mbledhur shumica e partive shqiptare për të rivalizuar BDI-në e Ali Ahmetit.

Pavarësish kritikave të shumta se veprimet e tilla paraqesin ndërhyrje në punët e një vendi tjetër, VV-ja dhe Albin Kurti nuk janë ndalur se ndërhyri në këto zgjedhje.

Më 16 prill, kur në Kosovë ishte ditë zie për grat e vrara nga bashkëshortet e tyre, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufa dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë marrë pjesë në fushatë zgjedhore në Maqedoni për të përkrahur kandidatin për president të VLEN-it, Arben Taravari.

Më pas, ishte paralajmëruar pjesëmarrja e kryeministrit Albin Kurti në një tubin zgjedhor të VLEN-it në diasporë. Pa u treguar arsyet, në momentet e fundit pjesëmarrja e Kurtit në këtë tubim ishte anuluar. Në këtë tubim, që kishte marrë pjesë Ministrja Albulena Haxhiu, Bekim Qoku kishte lexuar një letër e Albin Kurtit.

Pas tubimit, udhëheqësit e VLEN-it ishin ata që i erdhën në zyre kryeministrit Albin Kurti.

Arben Taravari kishte thënë se Kurti i mbështeti fuqishëm ata.

Megjithatë, mbështetja e Kurtit nuk e ka ndihmuar Taravarin që të fitoi vota më shumë se Bujar Osmani nga Koalicioni Fronti Evropian. Ky i fundit ka fituar mbi 120,000 vota.

Përfshirja e kryeministrit Kurti në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut ka nxitur reagime të mëdha në vend dhe rajon. Veprimet e tij janë vlerësuar si të dëmshme për Kosovën dhe shqiptarët e Maqedonisë.

Një ditë para zgjedhjeve presidenciale, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti kishte treguar dëmet që mund të sjell kjo ndërhyrje.

Në një intervistë për emisionin “ClickPlus” të RTV21 Maqedonia, ai ka thënë se në këtë kohë Kosovën i duhet aleatë.

Kjo çështje nuk është mirë për Kosovën. Se për Maqedoni nuk e di se çfarë efekti do të ketë kjo. Edhe pse z. Kurti deklaroj publikisht që ai nuk garon në Maqedoni, sepse nuk është i regjistruar, por eksponentë të tij janë të angazhuar drejtpërdrejt. Qoftë e vërtetë apo e pavërtetë ndërhyrja nuk i bën mirë shëndetit të Kosovës. Kosovës i duhen miq, Kosovës i duhen njerëz të mirë, Kosovën i duhet mbështetje në qendrat ndërkombëtare”, ka thënë Ahmeti.

Ndërsa, Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se kjo që po bën Kurti është një kopje e dobët e politikës së Vuçiqit dhe liderëve autokratë.

Ai ka treguar se veprime të tilla bëjnë vetëm shtete që nuk janë demokratike.

Përfshirja e Kurtit në zgjedhjet në Maqedoni, është një kopje e dobët e politikës së Vuçiqit dhe liderëve autokratë. Rusia, Turqia, Greqia, Hungaria, Serbia janë disa vende shembull ku partia në pushtet ose qeveria, kanë një histori të përfshirjes dhe ndikimit destruktiv në jetën politike të vendeve fqinje. Gjithnjë në emër të të drejtave kombëtare dhe komuniteteve që jetojnë atje”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Dite më parë, gazeta Nacionale ka raportuar se në organiizmin e fuashtës së koalicionit VLEN është i përfshirë aktivisti i VV-së, Arbër Zaimi. Deri me tani ai është parë në disa tubime të këtij koalicioni.

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj 2024, në këtë ditë do të mbahet edhe rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

Lajme të ngjashme