Zgjedhjet e 7 qershorit: Prurja e parë e Vjosa Osmanit të rikthyer në garë, Fahrije Hoti - NACIONALE

Zgjedhjet e 7 qershorit: Prurja e parë e Vjosa Osmanit të rikthyer në garë, Fahrije Hoti

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Ende nuk e ka njoftuar kthimin e vet me LDK-në se në çfarë modaliteti, por Vjosa Osmani njoftoi se është pjesë e garës për Kuvend të Kosovës.

Këtë të hëne, ajo e nisi ditën me njoftimin për një prurje të saj në garën zgjedhore: Fahrije Hotin.

“Një heroinë e gjallë në Kuvendin e Kosovës!... Fahrija po i bashkohet rrugëtimit tonë politik, sepse ne besojmë në një Kosovë ku dashuria e mund urrejtjen, integriteti dhe puna e ndershme e mundin manipulimin, dhe e vërteta e mund propagandën,” tha ajo.

Me këtë postim Osmani për herë të parë foli në vetën e parë për garimin e saj në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.

LDK, ditë më parë, përmes zëdhënësit të tyre, Beisan Mustafës, veçse e ka shpallur ‘tik-takun’ e kthimit të Vjosa Osmanit në mesin e radhëve të saj duke i vendosur emër ideologjik si ‘bashkim i së djathtës.’

Këtë javë, siç mëson Nacionale, edhe pritet zyrtarisht të shpallet kthimi i Osmanit në (ose me) LDK-në; ndonëse modaliteti s’është saktësuar.

Osmani, deri më tash, pas vete ka lënë të kuptohet se ka Meliza Haradinajn, Haxhi Avdylin dhe Burim Metën.

Lumir Abdixhiku pa ekuivoke ka njoftuar synimin e tij që ta kthejë Osmanin, me të cilën ditë më parë edhe u takua në një restaurant në Prishtinë.

Që të dy s’dhanë detaje për media për natyrën dhe përmbajtjen e bisedimeve.

Ish-aleatja, në fjalët e saj të para një muaji, “më e madhja” e Albin Kurtit, tashmë duket punë e kryer se do të jetë prej figurave të para në LDK.

Zyrtarë të lartë të LDK-së si Arben Gashi, ndonëse kthimin e saj e kanë nënkuptuar për fakt të kryer sepse “LDK nuk është më e vetëmjaftueshme,” kanë thënë se kthimi i saj “do të ishte më mirë...të ishte gradual.”

Në anën tjetër Vetëvendosja i ka mprehur sulmet ndaj Vjosa Osmanit.

Albin Kurti vetë e ka injoruar deri në heshtje të plotë emrin e saj, përveç një referenceje në një deklarim në Kuvend referuar dekretit antikushtetues të Vjosa Osmanit për shpërndarje parlamentit.

“Vullneti i popullit nuk mund të anulohet me dekret,” pati thënë Kurti.

Por, vartës të tij, i kanë çuar akuzat dhe sulmet, deri në vendosje të shenjës së saj të barazisë me armiq të shtetit dhe përshkruar asaj edhe “tradhti.”

I fundit, Agim Bahtiri i Mitrovicës, i cili shkoi aq larg sa të shkruajë se Vjosa Osmani “përfaqëson interesa” të kryediplomatit të Serbisë.

“Herën tjetër kur t’iu drejtohesh qytetarëve, vendose prapa këtë fotografi, me Grenellin e Gjuriçin (takimin të cilin ta ka mundësuar Baton Haxhiu), sepse aktualisht, interesat e këtyre je duke i përfaqësuar,” tha Bahtiri.

Sulm tjetër të rëndë–dhe fyes–erdhi edhe nga praktikisht Zotëriu i Parë, Alban Krasniqi, burri i Albulena Haxhiut, i cili i përshkroi “tradhti ndaj votuesve.”

“Fotoja e Rugovës në sfond nuk e mbulon tradhtinë ndaj votuesve dhe mbështetësve”, ka shkruar ai.

Osmani, në anën tjetër, prej deklarimeve se vendi erdhi në ngërç “nga persona me qëllime të rrezikshme” i ka reduktuar oktavat në thjesht-thumba ndaj pushtetit.

“Përçarje, propagandë,” i përshkroi ajo ditë më parë Vetëvendosjes indirekt, ndërsa goditi edhe Albin Kurtin se si presidente “po, kam takuar edhe Shoqatën e Zjarrfikësve.”

Foli për “udhë të mbyllura padrejtësisht, që do t’i hapë populli sërish”, si referencë ndaj mospërzgjedhjes së saj si kandidate e Vetëvendosjes për Presidente të Kosovës për një mandat të dytë.

Lajme të ngjashme