Zgjedhje në kontejnerë: Si dështoi Qeveria që ta sigurojë hapjen e të gjitha qendrave të votimit në veri?
Institucionet e Kosovës kanë dështuar që të sigurojnë hapjen e të gjitha qendrave të votimit për zgjedhjet e 23 prillit në veri të vendit. Pas rekomandimit të institucioneve të sigurisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur se nga 44 qendra të votimit t`i hap vetëm 19 prej tyre.
Madje, vetëm 6 nga to do të jenë të rregullta, kur 13 prej tjerat do të jenë qendra alternative, apo qendra kontejnerë.
Kjo po konsiderohet si dështim i Qeverisë dhe Presidencës për të ofruar siguri për ato qendra.
Njohësit e procesit zgjedhor kanë bërë me dije se në këto kushte nuk mund të flitet për proces të suksesshëm zgjedhore.
Ish-anëtari i KQZ-së, Betim Gjoshi, ka thënë për gazetën Nacionale, se këtu përgjegjësia bie mbi kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
“Kjo vërteton që kemi një degradim të sigurisë, por edhe përgjithësi të situatës në veri. Edhe procesi zgjedhor dhe mënyra e organizimit të jep me kuptu që kemi një kthim mbrapa. Qeveria e Kosovës dhe Presidentja në njerën anë nuk ka arritur që të krijoj kushte e as klimë për një proces të mirëfilltë të zgjedhjeve. Dhe në anën tjetër kemi Listën Serbe dhe qeverinë në serbi që bënë presion të qytetarët”, ka thënë ai.
Ai shpreson që të ofrohet siguria e duhur edhe në qendra alternative të votimit.
“Lusim institucionet e sigurisë, që të krijojnë kushte të paktën në këto qendra që KQZ-ja të organizojë zgjedhjet”, ka thënë Gjoshi.
Zgjedhjet s`do të jenë të lira
Edhe Eugen Cakolli nga KDI ka bërë me dije se mbajtja e zgjedhjeve në këto kushte do të jetë problematike.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka treguar se pse ka ndodhur kjo.
“Veç ka qenë e ditur se KQZ-ja nuk do të mund të ketë qasje në të gjitha qendrat e votimit në veri të vendit, sepse zyrtarët lokalë serbë kanë refuzuar që të ofrojnë qasje në qendrat e zakonshme të votimit. Nga ajo kohë janë diskutuar modalitet e votimit nëpër qendra alternative. Vlerësoj se votimi në qendra alternative tregon edhe një herë se këto zgjedhje janë vetëm sa për të thënë që organizohen”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe interesimi i votuesve për këto zgjedhje do të jetë minimal.
“Është e qartë se do të këtë interes minimal nga ana e votuesve të komunitetit serb që të marrin pjesë në këto zgjedhje, duk shërbye kështu si bazë edhe për kontestim të institucioneve te reja ta dala nga zgjedhjet. Nga ajo çfarë kemi parë është se këto kontejnerë do të vendosen pran magjistraleve në mënyrë që të jenë në zona të hapura publike, ku mund të ketë më shumë ofrim të sigurisë nga policia”, është shprehur ai.
Cakolli ka bërë me dije se këto zgjedhje nuk do të jetë as të drejta e as të lira.
“Ky proces nuk i plotëson mbase asnjë prej parakushteve për të qenë proces i rregullt dhe i mirëfilltë zgjedhor siç jemi mësuar të kemi në Kosovë tash e një dekadë. Mirëpo, ka qenë e ditur se ky proces do të organizohet në rrethana të tilla për shkak të dorëheqjeve. Në kuptimin formal, zgjedhjet do të jenë të rregullta, do të plotësohen kriteret minimale ligjore, por në kuptimin përmbajtjesor dhe cilësor vlerësoj se zgjedhjet nuk do të jenë as afërisht të drejta dhe të lira siç do të duhej të ishin”, ka thënë ai.
Vendimi i KQZ-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur zvogëlimin e numrit të qendrave të votimit për zgjedhjet e 23 prillit në veri.
Në mbledhjen e sotme, KQZ-ja ka marrë vendim që për këto zgjedhje të hapen vetëm 6 qendra të rregullta të votimit dhe 13 alternative.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, i cili e ka prezantuar rekomandimin, ka thënë se ky ka qenë rekomandim i institucionet e sigurisë.
Sipas tij, këto qendrat alternative do të jenë në kontejner.
“Është konstatuar se nga 44 e qendrat të votimi që zakonisht është zhvilluar procesi zgjedhor në vitin 2021 dhe 2019, 8 prej tyre kanë konfirmuar se do t’i hapin ato. Sidoqoftë duke u bazuar në vlerësimin edhe të KKZ dhe të organeve të sigurisë është konstatuar se vetëm 6 qendra të votimit mund të hapen në lokacione të zakonshme. Dhe 13 qendra të votimit do të jenë qendra alternative apo në kontejner”, ka thënë Elshani.
Në këtë mbledhje KQZ-ja ka marrë edhe disa vendime në lidhje me procesin zgjedhor të 23 prillit.
KQZ-ja ka vendosur që të ulet edhe numri i vendvotimeve. Nga 69 sosh sa kanë qenë më herët, tani do të jenë vetëm 34.
Gjithashtu, është vendosur që të rritet edhe numri i votuesve për një vendvotim të rritet nga 750 në 2 mijë votues. Kjo për shkak të zvogëlimit të qendrave të votimit.

