|Zgjedhje fer?| Kurti katër ditë para zgjedhjeve ndan nga 100 euro, kritika të mëdha se "po blen vota"
Albin Kurti i Vetëvendosjes i dha edhe një goditje të radhës njërit nga parimeve më fundamentale të zgjedhjeve, atë të zgjedhje “fer”, kur nga një qeveri thjesht në kapacitet kujdestar dhe tre ditë para zgjedhjeve parlamentare, iu drejtua buxhetit të shteti për të ndarë nga 100 euro për pensionistët dhe fëmijët. Zgjedhje të lira mbase po, por “fer” assesi. Një mal kritikash ka vërshuar në opinionin publik për këtë shfrytëzim avantazhi nga Albin Kurti për të “blerë vota” me para të arkës së shtetit. Qysh në hyrje të njoftimin për ndarje të 100 eurove për këto dy kategori, Albin Kurti shkroi për “fitoren e Vetëvendosjes” më 28 dhjetor, ndërsa në fund i uroi “t’i gëzojnë 100 eurot” pranuesit e këtyre parave. Ndërsa partitë politike garojnë me sllogane dhe premtime, Vetëvendosja fushatën e zgjeron me vendimarrje që i përgjigjet buxheti i shtetit: subtancialisht, me “ferësi” të kompromentuar.
- “Me 28 dhjetor fitojmë bindshëm dhe festojmë, pastaj me 29 dhjetor gëzohen të gjithë fëmijët e pensionistët. Sepse me fitoren tonë, Viti i Ri vjen më herët. Sikurse çdo vit, edhe sivjet kemi vendosur të mbështesim fëmijët dhe pensionistët me shtesat e fundvitit prej 100 eurove. Mosvotimi i buxhetit nga opozita na e ka vështirësuar punën tejmase, mirëpo ne e kemi bërë të pamundurën që edhe këtë vit të sigurojmë mbështetjen e fundvitit, e cila do të procedohet para natës së Vitit të Ri. Urime festat e fundvitit, dhe t’i gëzoni bashkë me familjet tuaja!”, shkroi Kurti.
Juristi Ehat Miftaraj e ka quajtur “vendim korruptiv” dhe mënyrë “të përsosur për të vlerë vota” për çka e argumentoi se është vendim “pa bazë ligjore”.
“Qeverisje me duar te pastra nga Albin Kurti dhe LVV. 100 Euro per femije dhe pensionista. Menyre e persosur me ble vota. Nje ose dy vendime me nga nje faqe pa baze ligjore pa ndonje arsyetim te bazuar qe kushtojne mbi 100 milion Euro”, tha ai.
“Albin Kurti dhe LVV e kane jete a vdekje me mbet ne pushtet, me çdo kusht perfshire permes vendimeve korruptive si ne rastin konkret. Vuk Hamoviç dhe mafia energjetike pa pike dyshimi se jane shume shume te interesuar qe edhe pas 28 dhjetorit Kosova te qeveriset me duar te "pastra" qe ne kater vite shtese me pas qasje ne mbi 1 miliard Euro te buxhetit te Albin Kurtit”, përfundoi Miftaraj.
Ekonomisti dhe opinionisti Dardan Sejdiu tha se “bankomati” i Albin Kurtit janë në fakt taksat e qytetarëve të Kosovës që po përdoren për mashtrim zgjedhor.
“Bankomati i Kurtit s’është “dhuratë!” Janë taksat tona që po na kthehen si karem e mashtrim elektoral. Nëse as kjo s’të bën përshtypje, problemi s’është buxheti. Është standardi i ulët që e kemi normalizu”, tha ai.
Ermal Sadiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës gjitashtu ka reaguar duke konstatuar se Kurti buxhetin e shtetit e ka shndërruar në “bankomat për interesa të ngushta elektorale”.
“Vota nuk është mall. Vullneti nuk shitet e nuk blihet. Shteti nuk mundet me u shndërru në bankomat për interesa të ngushta elektorale. Nuk mundet i njëjti pushtet që ua rriti çmimet e produkteve esenciale, ua shtrenjtoi rrymën e i varfëroi, me u shfaqë katër ditë para zgjedhjeve si shpëtimtar me nga 100 euro për fëmijë e të moshuar”, tha Sadiku.
“Sigurisht që ata sot e çdo ditë kanë nevojë për çdo cent, por më shumë se kaq kanë nevojë për arsim e shëndetësi cilësore dhe për zhvillim të qëndrueshëm e trajtim të dinjitetshëm. Dhe krejt këto, kjo qeveri s'ka ditë me ofru për 5 vite. Në vend të tyre servoi bllokada e izolim. 28 dhjetori po vjen. Stagnuesit e bllokuesit duhet me marrë përgjigjen. Duhet me marrë JO-në e madhe për papërgjegjësinë e tyre me shtetin, për transaksionet elektorale me taksat tuaja”, përfundoi ai.