"Zgjat disa muaj": Qysh e mbrojti pushteti tenderin e dyshimtë në KEK?
Drejtori menaxhues i KEk-ut, Nagip Krasniqi, tashmë do të ketë probleme me ligjin, pasi Policia e Kosovës e ka bastisur edhe kompaninë që ai e udhëheq, por edhe shtëpinë e tij. Ai veçse është arrestuar. E gjitha bëhet fjalë për bllokun A5 të KEK-ut, për të cilën ai kishte folur në një intervistë për Kallxo, ku deklaronte se remonti i bllokut A5, mund të zgjas tre muaj.
“Te A5 ka pasur një problem gjatë muajit gusht edhe është ndalë. Edhe disa ditë presim të kryhet tenderi për remontin kapital sepse A5 është në plan për remont kapital këtë vit dhe remonti i tij mund të zgjas deri në tre muaj.”- kishte deklaruar Krasniqi.
Krasniqi, në këtë intervistë kishte treguar se pse ka vendosur që të fus në një llot, rregullimin e kaldajës edhe turbinës.
“Unë personalisht kam kërkuar që me qenë një llot sepse na ka ndodhë në vitin e kaluar ta zëmë që kaldaja është përfundu për tre muaj pastaj turbina është vonu për më shumë se tre muaj. Sepse njëra kompani e ka kryer punën, tjetra s’e ka kry. Çka kam dashtë unë me bo është që me pasë këto dy kompani që i bëjnë dy llote, që ato të hyjnë vetë në konsorcium edhe ne ta kemi një palë me të cilën bisedojmë edhe ka përgjegjësinë komplete jo të pjesshme. Kjo ka qenë arsyeja. Tani a ka qenë mirë apo keq, nuk e di. Mund të ndodhë që nuk ka qenë vendim i mirë.”- ka deklaruar Krasniqi.
Në të njejtën intervistë Krasniqi, nuk e dinte se kur është ndalur për remont blloku A5, duke potencuar vayhdimisht se kz bllok është ndalur në gusht, kur realisht blloku është ndalur në mënzre të dhunshme më 21 korrik 2022.
Për këtë ndalje të dhunshme kishte raportuar edhe Nacionale.
Ndërsa në anën tjetër ministja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, kishte deklaruar në Kuvendin e Kosovës, se gjasa për rikthimin e bllokut A5 në punë janë shumë të vogla deri në fillim të vitit 2023.
“Aktualisht janë në funksion dy njësi të Kosova A dhe dy të Kosova B. Në A3 remonti kapital ka përfunduar dhe është kthyer në funksion, ndërsa në A4 remonti kapital ka përfunduar me 3 tetor 2022 dhe është në funksion. Njësia A5 është jashtë funksionit, në KEK janë duke shqyrtuar mundësitë që kjo njësi të kthehet në funksion sa më shpejtë të jetë e mundur, aktualisht duket se para vitit të ri do të jetë e pamundshme” - ka thënë mes të tjerave Rizvanolli.
Shpresat për rikthimin në punë të bllokut A5 ishin shuar pasi që kontrata ishte nënshkruar tek në fund të muajit janar, ku Rizvanolli edhe dha edhe një datë të mundshme se kur do të filloj prodhimin ky bllok.
“Sa i përket vlerës së kursimeve, sigurisht mund të flasim për vlerësime por jo të sakta. Pasi secila prej pajisjeve varet nga specifikat teknike sa harxhon, po ashtu varet edhe sa kohë do të punonte ajo dhe sa do të ishte çmimi i energjisë elektrike të importit që varion nga koha në kohë. Po flasim për disa milionë euro, jo për disa qindra milionë apo dhjetëra milionë, por për disa milionë. Mendoj se edhe më e rëndësishme se vlera e kursimit është se Policia e Kosovës dhe Dogana e kanë pasur bazën ligjore që iu ka mundësuar të sekuestrohen këto pajisje që kanë qenë ilegale…Janë nënshkruar disa kontrata dhe pritet që bllokua A5 të rikthehet në punë prej datës 1 prill.’’- kishte thënë Rizvanolli.
Lidhur më mos funksionalizimin e bllokut A5 dhe dështimin e tenderëve, kishte folur edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Bislimi kishte deklaruar se kompani i kanë dorëzuar ofertat, por thotë se janë të papërgjegjshme dhe joserioze.
“Ka 2-3 muaj që po kemi telash me e gjet një kompani të përgjegjshme, e cila e rehabiliton A5shin. Nuk ka. Tash kanë ardh disa oferta, jemi në process të trajtimit. Shumica e tyre të papërgjegjshme, jo serioze, sepse thjeshtë ka pak gatishmëri të kompanive me renome të vazhdojnë të merren me renovim të kapaciteteve të vjetra me qymyr. Nuk po aplikojnë, sepse kanë marrë udhëzime me shku me u marr me energji të ripërtëritshme, kapacitetet e tyre me u marr me energji të ripërtëritshme. Nuk është tu punu fare A5’shi, aty është problemi. Pa u kry renovimi…”- ka thenë Bislimi.


