Shefi i KEK-ut në Polici: Pse i kishte mbajtur takimet sekrete në Zagreb me Martin Berishajn? - NACIONALE

Shefi i KEK-ut në Polici: Pse i kishte mbajtur takimet sekrete në Zagreb me Martin Berishajn?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nacionale ka mësuar se pas bastisjes së sotme nga Departamenti i Krimeve Ekonomike në KEK ka përfunduar i arrestuar edhe kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi. Por, çka raportonte Nacionale për takimin e tij ‘sekret’ me tashmë të famshmin e energjisë, Martin Berishajn?

Shefi i KEK-ut që ishte edhe anëtar i Vetëvendosjes e kishte vizituar Kroacinë gjatë muajit mars. Siç mund ta dini, në Kroaci është ambasador Martin Berishaj i skandalit të madh financiar në Slloveni.

Në bazë të informacioneve të Nacionales ofruar nga burime të afërta me hierarkinë më të lartë në Korporatën Energjetike dilte se Nagip Krasniqi kishte qëndruar në kryeqytetin kroat, Zagrep, prej datës 16 e deri më 20 mars të vitit të kaluar.

Nga e mërkura deri në të dielen e asaj jave të marsit, Berishaj dhe Krasniqi kishin mbajtur takime me njëri tjetrin.

Krasniqi kishte drejtuar komitetin për energji në partinë që drejtohet nga Albin Kurti.

Siç mësonte Nacionale, në takim ishte edhe përfaqësuesi i kompanisë HEP Kroacia (Hrvatska Elektroprivreda), z. Zekë Aliu. Kjo është kompani publike kroate që merret me eksport dhe import të energjisë elektrike.

“Kur kemi pasë kriza energjetike, Zekë Alia i është ofruar udhëheqësve të KEK’ut me oferta për të blerë rrymë nga një termocentral i madh në Bosnje Hercegovinë, atë në Stanari. Ai thoshte që ai termocentral e ka një lidhje me sistemin energjetik kroat, por realisht pronar i atij termocentrali është Vuk Hamoviq, i ditur botërisht si njeri i Shërbimit Sekret Serb,” - ka thënë ky burim.

Edhe Kurti gjatë kohës si opozitar e kishte denoncuar ashpër Vuk Hamoviqin si tregtar të rrymës.

Nuk dihej se në çfarë cilësie z. Berishaj ka qenë i pranishëm në takimet e zhvilluara në Zagreb mes datave 16 dhe 20 mars 2022.

Bastisja e sotme siç ka mësuar Nacionale me anë të burimeve është bërë për shkak të dyshimit për keqpërdorime për tenderin e bllokut A5. A5-shi ka mbetur jashtë funksionit për gati nëntë muaj, megjithëse ishte premtuar se do të funksionalizohej shpejt.

Nuk dihet në anën tjetër nëse në këto hetime do të shqyrtohet edhe ky takim mes dyshes Nagip Krasniqi-Martin Berishaj.

Nagip Krasniqi e kishte mohuar se kishte mbajtur takime të tilla me ambasadorin Martin Berishaj.

Nacionale kishte raportuar më herët se Nagip Krasniqi kishte negociuar personalisht me një kompani polake në lidhje me bllokun A5.

Një gjë të tillë edhe e kishte dokumentuar me anë të një emaili.

Nagip Krasniqi po akuzohet për veprën keqpërdorim për detyrën zyrtare.

Lajme të ngjashme