Zgatja dorën Rubios: Osmani arrin ta ‘zahtet’ top diplomatin amerikan, ndërsa ‘Dialogun Strategjik’ e merr Serbia
- “Mund të llogarisni në neve si aleat”
Këto fjalë Vjosa Osmani ia tha një gazetari, e jo zyrtari, amerikan. Në “Fox News” që është porta mediatike e republikanëve, Osmani shkoi dje e ia tha një varg këngë lavdesh Donald Trumpit. Në ato katër-pesë minutë paraqitje televizive ajo madhëroi–në televizionin më madhërues të Trumpit–presidentin amerikan dhe se sa Kosova dhe populli i saj është pro-amerikan. Por, bashkëbiseduesi i saj ishte gazetar e moderator – e megjithatë Osmani, fjalët e fundit ndarëse nga emisioni ia tha atij: “Mund të llogarisni në neve si aleat”.
Teksa po merr pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së (Kosova nuk është pjesë e OKB-së), Vjosa Osmani, po zhvillon takime në pritjet e hapura ku marrin pjesë e mbarë bota e madje edhe vendet joanëtare. Ajo zhvilloi një seri që i quan “takime” ndonëse shumica shihen të jenë në salla të gjera me pjesëmarrje gjithëçfare: e më së fundi e realizoi një fotografi me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubion.
Pa asgjë konkrete dhe të prekshme ajo shkroi se pati “bisedë përmbajtësore” në Facebook, ndërsa në “X” në gjuhën angleze tha “substantive meeting”.
Substantive ose në shqip "Përmbajtje thelbësore" nënkupton çështje të rëndësishme, të peshë të vërtetë ose kuptimplotë në përmbajtje. Një "takim substantiv" përkatësisht do t’i binte se janë mbuluar tema të rëndësishme dhe produar rezultate kuptimplote.
Por, asgjë nga këto: thjesht “bisedë përmbajtësore”.
“Një bisedë thelbësore mbrëmë me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, gjatë pritjes së udhëheqësve të Presidentit Donald Trump në New York”, shkroi ajo.
Këtë takim nuk ia shpërndau Rubio, as s’bëri postim për takim me të.
Por, ndryshe nga Vjosa Osmani dhe shteti i Kosovës i përjashtuar nga “Dialogu Strategjik” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – e pati hapin Serbia.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takoi Marco Rubion, dhe vetë ky i fundit e dha “substantivitetin” e takimit me të: me Serbinë, njoftoi Rubio, ShBA po nis Dialogun Strategjik, dialog nga i cili e kanë përjashtuar Kosovën.
“Më vjen mirë që e shoh përsëri Presidentin serb @avuçiç sot në Nju Jork. Diskutuam Dialogun Strategjik që dy kombet tona do të nisin së shpejti dhe pjesëmarrjen e SHBA-së në EXPO 2027, të dyja mundësi për të forcuar më tej marrëdhënien tonë dypalëshe, ndërsa kërkojmë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë së bashku”, shkroi ai.
Më pastaj Rubio vazhdoi me postime për një numër takimesh tjera me vende si Vietnami, Republika Dominikane, Guyana (etj,) por jo edhe me Vjosa Osmanin.
‘Sanksionimi’ amerikan ndaj Kosovës
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara sërish ka konfirmuar për median “Koha.net” se qeveria e deputetit Albin Kurti ka shkaktuar pezullimin e Dialogut Strategjik me Uashingtonin.
Zyrtari amerikan ka shpjeguar se vendimi erdhi si rezultat i "kalimit të vijës së kuqe" nga ana e qeverisë kujdestare, veçanërisht përmes tentativave për të vijuar me përjashimin e partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Listës Serbe, dhe kësisoje të vazhdonte mospërfaqësimi politik i serbëve në veri të Kosovës.
“Gjëja e vetme që do ta theksoja veçanërisht, që për ne ishte më shqetësuese, ishin përpjekjet konkrete për t'ua pamundësuar qytetarëve të Kosovës, dhe në këtë rast serbëve të Kosovës, që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, si në kuptimin e gjerë ashtu edhe në pozitat udhëheqëse në institucione” – ka deklaruar zyrtari amerikan.
Sipas të njëjtit, situata nuk përbën një incident të izoluar, por reflekton një vazhdimësi të veprimeve që kanë thelluar tensionet dhe kanë rritur pasigurinë në rajon.
“Ka një varg veprimesh më gjerësisht, lidhur me veriun, që mendojmë se do të ishin destabilizuese dhe për të cilat kemi ngritur shqetësime. Por, mendoj se gjëja kryesore që duam të theksojmë janë veprimet që do t'ua mohonin qytetarëve të Kosovës të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre” – ka shtuar zyrtari i lartë amerikan.
Zyrtari ka përkujtuar se administrata amerikane kishte paralajmëruar autoritetin kosovar për pasojat e mundshme nëse qasja e qeverisë Kurti nuk do të ndryshonte.
“Ne ishim të qartë, gjithashtu, se do të kishte pasoja nëse kjo do të vazhdonte. Dhe në një moment e ndiem se nuk mund të prisnim më gjatë dhe se duhej të mbronim interesat tona” – ka thënë ai.