Zero fjalë: Kurti, Osmani e Konjufca heshtin rreth gjykimit ndaj Thaçit e të tjerëve
Nga sot në Hagë ka filluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në gjykimin që organizohet nga Gjykata Speciale, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, që të gjithë ish-zyrtarë të lartë të UÇK-së, përballen me akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Natyrisht, gjykimi i tyre është përcjellur me shumë vemendje nga politikanë, analistë, gazetarë e qytetarë, duke u konsideruar gjerësisht si një betejë e rëndësishme për Kosovën.
Megjithatë, kjo betejë e rëndësishme ligjore e ish-krerëve të UÇK-së duke se nuk ka ngjallur interesimin e udhëheqësve shtetëror të Kosovës. Albin Kurti, Vjosa Osmani e Glauk Konjufca, që udhëheqin tri institucionet më të rëndësishme në vend, nuk kanë shkruar asnjë shkronjë në lidhje me nisjen e këtij gjykimi.
Kurti, që e kundërshtoi themelimin e Gjykatës Speciale, gjatë ditës u bë i gjallë vetëm në faqen e tij në Facebook. Ai e bëri një shkrim, por jo për gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Kurti shkroi rreth punësimit të një gruaje si pasojë e përkrahjes nga ana e Qeverisë Kurti.
“Përmes masës 1.6 - Mbështetje e Punësimit të Personave me Aftësi të Kufizuara, të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, vitin e kaluar janë punësuar 239 persona, 120 gra dhe 119 burra. Yllka është njëra nga ta.” – shkroi Kurti.
Ndërsa shefja e shtetit, pra zonja Vjosa Osmani postoi në lidhje me fëmijët me autizëm. Në një postim tjetër, por jo në faqen e saj në Facebook, por në atë të Presidencës së Kosovës, u njoftua se ekipit të Osmanit i është bashkuar edhe Donika Kada-Bujupaj, ish-deputete e ish-analiste.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka emëruar sot znj. Donika Kadaj Bujupi, këshilltare në Kabinetin e Presidentes.
Znj. Kadaj Bujupi ka përvojë të gjatë parlamentare, si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës në pesë mandate, ku ka shërbyer në komisione të ndryshme, përfshirë atë të politikës së jashtme, integrimit evropian, arsimit.” – shkroi Presidenca e Kosovës.
Njëjtë, pra i heshtur, ka qëndruar edhe Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai nuk ka postuar asgjë në profilin e tij në Facebook, që nga dita e 31 marsit, kur e pëkrahu marshin për drejtësi, që u organizua si shenjë solidarizimi me ish-krerët e UÇK-së.
Nga figurat e rëndësishme të LVV-së, publikisht ka reaguar vetëm Liburn Aliu, një nga themeluesit e VV-së e ministër i Infrastrukturës e Ambientit. Ish i burgosur politik, z. Aliu e përmendi në postimin e tij vetëm Selimin, të cilin dikur e kishte shef në grupin parlamentar. Ai shkroi se beson në fitoren e pashmangshme të gjeneralit, siç ai i referohet Selimit.
“Deri në fitoren tënde të pashmangshme, Gjeneral! Lavdi luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të bindur se drejtësia do të triumfojë përherë!” – shkroi ai.
E pasi mori ca kritika në postim e tij, z. Aliu e shkroi sërish një postim, duke përmendur edhe Thaçin, Veselin e Krasniqin, të cilët i quajti luftëtarë të lirisë.
“Sot luftëtarët tanë të lirisë, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, gjenerata që e çliroi më në fund Kosovën, po përballet me padrejtësinë e radhës. Por e bardha nuk nxihet dot nga shpifjet. Jam i bindur se ata do të triumfojnë. UÇK-ja është e shenjtë, luftëtarët dhe prijësit saj janë heronj!” – shkroi Aliu në postimin e dytë.
Çka ndodhi në Hagë?
Pas një pritje për më shumë se 2 vjet e gjysmë, ka nisur edhe zyrtarisht gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Në Hagë u mbajt seanca e parë hapëse ku Prokuroria pati 5 orë kohë për ta thënë fjalën e saj. Përderisa jashtë objektit mijëra protestues ishin mbledhur nga diaspora, duke kërkuar drejtësi për krerët e UÇK-së.
Ashtu siç u deklaruan qysh kur u arrestuan, ashtu u deklaruan edhe 2 vjet e gjysmë pas. Katër ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e përsëritën se janë të pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës. Disa patën vërejtjet për vonesat në nisjen e gjykimit.
Alex Whiting, ushtrues detyre i Prokurorit të Specializuar, qysh në nisje të fjalimit të tij bëri të ditur akuzat kryesore ndaj krerëve të UÇK-së. Ai përmendi qindra arrestimet të personave që etiketoheshin si tradhtarë dhe vrasjen e rreth 100 personave. Whiting tha se ka pasur një plan e strategji për t’u marrë me këta persona. Sigurisht, në këtë ditë të parë kishte edhe deklarata të çuditshme.
Njëri nga prokurorët që mori fjalën në seancë ishte Matt Hawling. Ai bëri një deklarim që u kritikua mjaft shumë në rrjete sociale. Tha se UÇK-ja i kishte sulmuar me granata 12 stacione të Policisë. E sipas tij, kjo bëri që Serbia ta kryejë masakrën në Likoshan e Qirez.
“Në vitin 1997 UÇK-ja arriti në një pikë ku mund të kryente sulme të orkestruara ndaj Ushtrisë serbe në të njëjtën kohë. Provat treguan se në 1997. Në vitin 1997 UÇK sulmoi 12 stacione të policisë me granatahedhës. Provat tregojnë se sulmi u organizua nga Rexhep Selimi teksa u ndihmuan nga Thaçi dhe Veseli për të siguruar armët”, deklaroi ky prokuror.
Tutje, ai i lidhi në një mënyrë të pakuptimtë vrasjet, masakrat e krimet serbe me përpjekjet e UÇK-së për liri.
“Pas sulmeve të UÇK-së, forcat serbe nisën një aksion në Likoshan e Qirez që çuan në humbje të jetës së civilëve. Forcat serbe në 1998 sulmuan Adem Jasharin duke e vrarë atë dhe gjithë familjen. Kjo ngjarje kishte efekt nxitës në Kosovë, me shumë vullnetarë. Luftimet u përshkallëzuan në mars 1998. Zhvillimet e marsit 1998 i kërkuan stafit të përgjithshëm të ndante përgjegjësi e të konsolidonte radhët e veta. Fatmir Limaj shkoi në Kleçkë, Shukri Buja që u udhëzua nga Thaçi të shkojë në Lipjan”, theksoi më tutje prokurori Hawling.




