Zelensky: Situata në Bakhmut është më e vështira në të gjithë Ukrainën
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha sot se situata në qytetin lindor të Ukrainës, Bakhmut është "më e vështira në të gjithë Ukrainën".
"Betejat më të vështira, më të ashpra po zhvillohen në atë zonë. Dua të përmend edhe zonën e qytetit Vuhledar, as atje nuk është e lehtë. Në përgjithësi, nuk është e lehtë për luftëtarët tanë në lindje", tha Zelensky në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin suedez Ulf Kristersson.
"Kjo luftë po i kushton shumë vendit tonë. Por njerëzit tanë janë të fortë. Ata mbrojnë veten dhe mbajnë pozicionet e tyre. Ata e kuptojnë se janë një kështjellë dhe se po ndihmojnë Ukrainën të përgatitet për de-okupimin e të gjitha territoreve tona", tha Zelenski, duke shtuar: Ata po qëndrojnë të vendosur dhe po përmbushin detyrat e tyre, duke shkatërruar forcat armike në maksimum. Është e vështirë, por ata po mbahen".
"Kjo është periudha më e vështirë e jetës sonë"
Kur u pyet për 24 shkurtin, pra përvjetorin e parë të pushtimit rus të Ukrainës, Zelensky tha se viti i kaluar "ishte viti më i vështirë në historinë e Ukrainës së pavarur" dhe shtoi: Unë besoj se ka shumë sfida përpara që do të jenë një provë e madhe për vendin tonë. Mendoj se kjo është periudha më e vështirë e jetës sonë".
"Në atë ditë, ne nuk duhet të harrojmë të gjithë ata që mbrojnë kufijtë tanë, njerëzit tanë dhe shtëpitë tona. Tani ka një ndjenjë që viti i ri në Ukrainë fillon më 24 shkurt, jo më 31 dhjetor. Ne duam që ky të jetë një vit i mirë, dhe ne besojmë në të dhe po punojmë shumë për të”, përfundoi presidenti ukrainas. /Nacionale/