Zelensky dëshiron të takohet me presidentin e Kinës për ta diskutuar propozimin për paqe - NACIONALE

Zelensky dëshiron të takohet me presidentin e Kinës për ta diskutuar propozimin për paqe

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ai planifikon që të takohet me homologun kinez, Xi Jinping, për t’i diskutuar propozimet e Pekinit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Duke folur në njëvjetorin e fillimit të pushtimit rus, ai tha se propozimi kinez është shenjë se Kina është e përfshirë në kërkimin e paqes. “Vërtet dua të besoj se Kina nuk do t’i japë armë Rusisë”- tha ai.

Plani i Kinës bën thirrje për bisedime të paqes e respektim të sovranitetit kombëtar. Megjithatë, në dokumentin me 12 pika nuk thuhet në mënyrë specifike se Rusia duhet t’i tërheqë trupat nga Ukraina si dhe dënohet përdorimi i “sanksioneve të njëanshme”, term që shihet si kritikë e tërthortë ndaj aleatëve perëndimorë të Ukrainës.

Autoritetet kineze deri më tani nuk i janë përgjigjur publikisht thirrjes së presidentit ukrainas për një samit me Xi Jinpingun, raporton televizioni BBC.

Ndërkohë Rusia i ka vlerësuar lart propozimet kineze për paqe. “Ne i ndajmë pikëpamjet e Pekinit”- thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

Këtë javë, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, tha se Pekini është duke e shqyrtuar furnizimin e Rusisë me armë dhe municion – pretendim që është mohuar fuqishëm nga Pekini. Të premten, mediet amerikane raportuan përsëri se Kina është duke e shqyrtuar dërgimin e dronëve dhe artilerisë në Rusi.

Kur u pyet për planin kinez, presidenti amerikan, Joe Biden, të premten tha: “Putini po e duartroket, prandaj si mund të jetë i mirë? Nuk kam parë asgjë në atë plan që do të ishte shenjë se aty ka diçka që do të ishte e dobishme për ndokënd tjetër pos Rusisë.”

Propozimet e Kinës dolën pas një vizite të kryediplomatit kinez, Ëang Yi, në Moskë, ku ai u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe me ministrin e punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, të mërkurën.

Zyrtarët perëndimorë i pritën me rezerva propozimet e Kinës. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Pekini “nuk ka shumë besueshmëri”, sepse “nuk ka qenë i aftë ta dënojë pushtimin ilegal të Ukrainës”.

Lajme të ngjashme