Zbulohen dokumente sekrete edhe në shtëpinë e Mike Pence
Avokatët e Mike Pence, javën e kaluar kanë zbuluar mbi dhjetë dokumente sekrete të ruajtuara në një kuti në shtëpinë e Pencë në Indiana.
Sipas një këshilltari të lartë të ish-zëvendëspresidentit të Trump, dokumentet e zbuluara i janë dorëzuar Departamentit të Drejtësisë.
Bëhet e ditur se, ish-këshilltari Greg Jacob, ka thënë se dokumentet ishin dërguar pa dashje në shtëpinë e Pence në fund të administratës së Trump, dhe Pence nuk kishte qenë në dijeni të tyre.
Zbulimi i këtyre dokumenteve, vjen pak javë pas zbulimit dhe sekuestrimit të disa dokumenteve të tjera në pronat e presidentit amerikan Joe Biden, si dhe qindra të tjerave në pronat e Donald Trump, duke ngritur pikëpyetje më shumë në lidhje me menaxhimin e të dhënave të ndjeshme të qeverisë.
Kujtojmë se për të hetuar Biden dhe Trump lidhur me këto dokumente janë caktuar këshilltarë të posaçëm.
Ky zbulim i fundit është një zhvillim i turpshëm për Pence, pasi ai i vitin e kaluar kishte thënë me besim se nuk kishte marrë asnjë material nga Shtëpia e Bardhë.
Trump – ish-shefi i Pence – ka qenë nën hetim federal për më shumë se një vit nëse ai ka ruajtur me dashje dokumentet e sigurisë kombëtare në resortin e tij Mar-a-Lago pas përfundimit të presidencës së tij dhe nëse ka penguar përpjekjet e Departamentit të Drejtësisë për të siguruar rikthimin i tyre duke filluar nga maji i vitit të kaluar.
Ndërsa, krahasuar me Biden dhe tani Pence, i cili lëvizi me shpejtësi për t'i kthyer dokumentet qeverisë, rezistenca e Trump për të dorëzuar materialet në pronën e tij në Florida, bëri që Departamenti i Drejtësisë ta kthejë rastin e tij në një hetim penal.

