Xhelal Sveçla tash e suspendon nga puna Fadil Kodrën, bashkëluftëtarin e Adem Jasharit
Vetëm disa javë pasi Këshilli ka rikthyer në punë drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Fadil Kodra, ky i fundit është suspenduar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tani ka suspenduar nga detyra Fadil Kodrën, drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME).
Tri burimeve të gazetës Nacionale brenda MPB-së kanë konfirmuar lajmin për suspendimin e Kodrës.
“Z. Kodra është suspenduar nga puna të enjten”, ka thënë njëri prej burimeve të gazetës.
Për t`i mësuar arsyet e suspendimit, gazeta ka tentuar të kontaktojë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçela, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Gazeta Nacionale ka kontaktuar me drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Fadil Kodra. Ky i fundit nuk ka dashur të përgjigjet në pyetjet e gazetës.
I pa qasshëm ka qenë edhe avokati i Fadil Kodrës, Faton Fetahu.
Ndonëse një ditë me parë, ai kishte thënë se për këtë çështje gazeta mund ta kontaktojë sot(e shtunë), Fetahu gjatë terë ditës nuk e ka hapur telefonin.
Kjo është hera e dytë që Ministri Sveçla tenton ta largojë nga puna Kodrën, i cili ka qenë bashkëluftëtar i komandantit legjendar Adem Jasharit.
Herën e parë, gjatë muajit korrik, ministri Sveçla kishte shkarkuar në mënyrë të kundërligjshme Kodrën nga kjo pozitë.
Ish-komandanti i UÇK-së, ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), ku e kishte fituar rastin.
Në fillim të muajit shtator, Këshilli kishte aprovuar ankesën e Kodrës, duke e obliguar MPB-në që brenda 15 ditësh ka rikthejnë atë në punë.
“Obligohet ministri i Punëve të Brendshme, që brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi të kthejë ankuesin Fadil Kodra në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Menaxhim Emergjent, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës, dhe të bëjë kompensimin e pagës nga data 14.07.2022 deri në zbatimin e këtij vendimi”, është thënë në vendim e KPMSHCK-së.
Më pas, Faton Fetahu, avokat i Fadil Nurës, kishte treguar se përfundimisht ish-luftëtari i UÇK-së, Fadil Kodra, është kthyer në vendin e tij të punës, pas shkarkimit nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Ju njoftoj se sapo pranova Vendimin e Ministrit të Punëve të Brendshme z. Xhelal Sveçla, me të cilin z. Kodra kthehet në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent. Siç e dini, vendimi i mësipërm është rezultat i zbatimit të vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me të cilin u aprovua ankesa dhe u obligua ministria që ta kthejë z. Kodra në pozitën e punës nga ku ishte shkarkuar kundërligjshëm. Pas vendimit të sotëm, mund të themi se u përmbyll tërësisht dhe suksesshëm beteja juridike e filluar tre muaj më parë”, kishte shkruar Fetahu në profilin e tij në “Facebook”.
Fetahu kishte dorëzuar edhe kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër ministrit të Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla.
Aty Kodra e ka akuzuar Sveçlën për cenim të të drejtave në marrëdhëniet e punës dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Shkarkimi kishe nxitur reagime të shumta
Shkarkimi i Kodrës në muajin korrik kishte nxitur reagime të shumta.
Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, shkarkimin e kishte quajtur veprim të turpshëm.
“I turpshëm e skandaloz lajmi se është shkarkuar nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Emergjencave të Kosovës, njëri prej themeluesve të UÇK-së, pjesëtar i grupit të Komandantit Legjendar Adem Jashari, luftëtar i dalluar i UÇK-së, Gjenerali Fadil Kodra. Duket që kjo qeveri e turpit ka aq shumë antipati ndaj UÇK-së, sa askush nuk mund të imagjinonte se veprimet e saj do të bien deri në këtë nivel”, kishte shkruar ai.
Fadil Kodra ka shërbyer si udhëheqës i agjencisë që menaxhon me njësitë e zjarrfikësve që nga viti 2010, kur ishte emëruar në këtë pozitë nga Qeveria “Thaçi 1”.
Për shtatë vjet, Kodra shërbeu si Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, ndërkaq në pesë vitet e fundit ka ushtruar pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë agjenci.
Fadil Kodra ka qenë prej luftëtarëve të parë të UÇK-së dhe një prej bashkëluftëtarëve të afërt të Adem Jasharit.

