Konfirmohen dallaveret me punësime në KEK, anulohet konkursi - NACIONALE

Konfirmohen dallaveret me punësime në KEK, anulohet konkursi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Janë konfirmuar dallaveret në rekrutimin e më shumë se 100 të punësuarve në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Gazeta Nacionale kishte raportuar se në mesin e të punësuarve ishin familjarë të deputetit të Vetëvendosjes, Halil Thaçi, aktivistë të Vetëvendosjes dhe familjarëve të stafit menaxhues të KEK-ut.

KEK-u ka njoftuar se pas gjithë hulumtimeve, është marrë vendim që të anulohet konkursi dhe të përsëriten të gjitha fazat e testimit.

“Sot ka përfunduar punën komisioni i pavarur për vlerësimin e procesit të rekrutimit, i përberë nga eksperti i pavarur ligjor, i angazhuar në projektin e BE-së për reforma në administratën publike, eksperti i pavarur i proceseve të rekrutimit dhe zyrtari ligjor i KEK-ut. Duke u bazuar në rekomandimet e komisionit të pavarur, z. Nagip Krasniqi, Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, ka marrë vendim për anulimin procesit duke filluar nga selektimi, rezultatet e testit me shkrim dhe intervistat me gojë për të gjitha pozitat e shpallura sipas konkursit për plotësimin e 127 pozitave të lira, si dhe përsëritjen e këtyre fazave për të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

“Lidhur me këtë çështje, Korporata Energjetike e Kosovës menjëherë pas përfundimit të procedurave të rekrutimit sipas shpalljes publike për plotësimin e 150 pozitave të lira, ku kishin aplikuar mbi 5 (pesë) mijë kandidat, dhe ishin publikuar rezultatet përzgjedhjes për 127 pozita, kishte njoftuar opinionin se është duke përcjellë me shumë kujdes të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit duke siguruar se për këtë çështje do të formohet komisioni i pavarur i cili do t'i shqyrtojë me shumë kujdes të gjitha pretendimet”, bëhet e ditur më tutje.

Nga aplikuesit, kishin shkuar më shumë se 230 ankesa.

“Përtej kësaj, komisioni kishte trajtuar edhe tërë procesin e rekrutimit duke filluar nga selektimi, testimi me shkrim dhe testimi me gojë, duke përfshirë edhe pretendimet publike. Bazuar në të gjeturat, komisioni i pavarur ka dhënë rekomandim për anulimin selektimit, rezultateve të testit me shkrim dhe intervistave me gojë për të gjitha 127 pozitat e shpallura me konkurs, bazuar në të cilin është marrë edhe vendimi i Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

“Korporata Energjetike e Kosovës siguron opinionin publik dhe të gjithë kandidatët që kanë aplikuar se procesi do të udhëhiqet në mënyrë transparente, konform ligjeve në fuqi dhe praktikave më të mira. Po ashtu të gjithë kandidatët e selektuar në fazën e parë do të njoftohen individualisht dhe të njëjtit nuk do të kenë nevojë për riaplikim në konkurs”, përfundon komunikata.

RAPORTIMET E NACIONALES:

Krejt VV drejt e në KEK, pushteti i rehaton familjarët e aktivistët - këta janë emrat

"Bosët e KEK-ut" punësojnë familjarët e tyre në korporatë

Lajme të ngjashme