Xhelal Sveçla humb betejën, Fadil Kodra rikthehet në punë - NACIONALE

Xhelal Sveçla humb betejën, Fadil Kodra rikthehet në punë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Avokati i PDK-së, Faton Fetahu ka bërë të ditur se përfundimisht ish-luftatari i UÇK-së, Fadil Kodra është kthyer në vendin e tij të punës, pas shkarkimit nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Pas vendimit të sotëm, mund të themi se u përmbyll tërësisht dhe suksesshëm beteja juridike e filluar tre muaj më parë.”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Shkrimi i plotë i Fetahut:

Të nderuar miq, dashamirë, kolegë dhe bashkëveprimtarë të z. Fadil Kodra!

Ju njoftoj se sapo pranova Vendimin e Ministrit të Punëve të Brendshme z. Xhelal Sveçla, me të cilin z. Kodra kthehet në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent.

Siç e dini, vendimi i mësipërm është rezultat i zbatimit të vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me të cilin u aprovua ankesa dhe u obligua ministria që ta kthejë z. Kodra në pozitën e punës nga ku ishte shkarkuar kundërligjshëm.

Pas vendimit të sotëm, mund të themi se u përmbyll tërësisht dhe suksesshëm beteja juridike e filluar tre muaj më parë.

Me këtë rast, nuk mund të mos e falënderoj edhe publikisht z. Kodra për besimin që ma ka dhënë për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesin e tij juridik në këtë betejë.

Siç e kam theksuar edhe në fillim, z. Kodra nuk është një emër i zakonshëm - i cili për dy dekada pas lufte, ka shërbyer me nder dhe përkushtim në institucionet ku ka punuar - por mbi të gjitha, ai është një nga gjeneralët më të shquar të ushtrisë tonë të lavdishme – Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe është njëri ndër etërit e celulave të para të saj.

Prandaj, meqenëse jam ndier i privilegjuar për besimin e një personaliteti të tillë dhe pasi rasti i tij përbënte interes për publikun, kam zgjedhur t’iu mbaj të informuar publikisht për të gjitha fazat që e kanë karakterizuar atë.

Lajme të ngjashme