Xhaçka në Këshillin e Sigurimit: Bota po vuan pasojat e agresionit rus
Ministrja e Punëve të Jashmte të Shqipërise, Olta Xhaçka foli në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për situatën në Ukrainë, në shënimin e përvjetorit të parë të agresionit rus.
Në fjalimin e saj tha se ky përvjetor është tragjik, dhe se ky vit ishte katastrofik për Ukrainën, shkatërrues për Evropën dhe formësues i historisë për botën.
“Ky është një përvjetor tragjik. Nuk ka asgjë për të festuar, përkundrazi gjithçka për të penduar. Por megjithatë, ka një gjë thelbësore për t'u vënë në dukje dhe për të mos harruar kurrë: nga një luftë katastrofike dhe pasojat e saj të tmerrshme, ne kemi parë një botë jashtëzakonisht të bashkuar në dënimin e një lufte, në refuzimin e aneksimit territorial me forcë, në respektimin e ligjit ndërkombëtar, dhe duke mbrojtur Kartën e OKB-së.Një vit më parë, trupat ruse vrapuan përtej kufijve të Ukrainës dhe raketat ruse mbushën qiellin e saj, duke ndezur luftën brutale që vazhdon deri në këtë orë. Ajo që Rusia filloi pikërisht në këtë ditë të vitit të kaluar ka qenë katastrofike për Ukrainën, shkatërruese për Evropën, formësuese e historisë për botën”, ka thënë ajo.
"Mijëra civilë kanë humbur jetën; miliona fëmijë kanë humbur shkollat e tyre; njerëz të panumërt kanë humbur shtëpitë e tyre; miliona të tjerë janë zhvendosur dhe dëmi në infrastrukturën dhe ekonominë e Ukrainës është thjesht i pamatshëm. Miliona në mbarë botën, veçanërisht më të varfërit dhe më të cenuarit, kanë vuajtur shumë për shkak të efekteve globale, veçanërisht të rritjes së krizës ushqimore", ka vazhduar ajo.
Tutje, ajo tha se lufta duhet të marrë fund dhe kjo gjë do të ndodhë, ndërsa agresionit rus po i vjen fundi.
“Kjo luftë duhet të marrë fund dhe do të marrë fund. Por fundi që ne parashikojmë është fundi i agresionit, jo fundi i rendit botëror të bazuar në rregulla”.
