“What is this shit newspaper”, Haxhiu rrëfen një moment tensioni me ambasadorin Hill në të kaluarën
Gazetari Baton Haxhiu kanë nxjerrë në pah disa momente tensioni dhe mosmarrëveshjesh në të kaluarën me ish-ambasadorin amerikan në Kosovë, Christopher Hill.
Haxhiu tha në "Pressing" se në të kaluarën ka pasur vërejtje për Hillin, veçanërisht për rolin e tij në disa ngjarje të rëndësishme për Kosovën. Në veçanti, ai përmendi një takim të ashpër me Hill për çmilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të vështira.
“Ne kemi vërejtje plotë për Hillin. Kur ka ardhë bashkë me Rubnin në takimin e ashpër për çmilitarizimin e UÇK-së, ka qenë një nga takimet më të vështira”, tha Haxhiu.
Haxhiu tregoi edhe një situatë tjetër tensioni kur Hill u ishte drejtuar me fjalët “what is this shit newspaper” pas botimit të draftit për autonomi.
“Në tetorin e vitit 1998 kemi pas shumë problem me Chris Hill, ai në një moment edhe ka ardhë në Prishtinë dhe ka thënë “what is this shit newspaper”, kur e kemi botu draftin për autonomi”, tha Haxhiu.
Në lidhje me deklaratat e fundit të Hillit se "Serbia është më afër anëtarësimit të NATO-s se sa Kosova", Haxhiu i ka vlerësuar ato si një "kërkim falje [ndaj Serbisë] për bombardimet".
Në fund, Haxhiu shtoi se konteksti politik në të cilin Hill funksionon duket se e vendos atë në një pozicion "me bë dhunshëm Serbinë evropiane".
“Konteksti politik ku funksionon Hilli realisht e ka njëfarë detyre që duket se është serioze për me bë dhunshëm Serbinë evropiane. Është politikë e një Perandorie. Ti duhesh me ia leju asaj që ta bëjë atë punë. Ne mund ta kritikojmë individualisht, si njerëz publikë, dhe të shkruajmë për Hillin”, tha Haxhiu më tej.