Walker për "Marshin e Drejtësisë": Shumë mirë që e përkrahi VV-ja, do të doja të isha atje - NACIONALE

Walker për "Marshin e Drejtësisë": Shumë mirë që e përkrahi VV-ja, do të doja të isha atje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, e ka cilësuar si pozitive përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje për “Marshin për Drejtësi”.

Walker, në një përgjigje për Insajderin, ka thënë se do të dëshironte që edhe ai të ishte në Kosovë e të merrte pjesë në këtë organizim.

Mes tjerash, ai e ka quajtur “padrejtësi” atë që po ndodhë në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Mendoj se kjo është shumë mirë, shumë pozitive. Për këtë marshim do të doja edhe unë të isha atje të marrë pjesë. Shpresoj që e mbarë Kosova, të gjithë njerëzit pavarësisht se cilën parti politike mbështesin, të marshojnë ndaj kësaj padrejtësie që po ndodh në Hagë ndaj Thaçit, Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e të tjerëve.” – ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se do të dëshironte që të gjithë, jo vetëm LVV-ja, të thonë se kjo që po ndodhë është padrejtësi.

“Kjo është shumë lajm i mirë. Më vjen mirë që më treguat. Do të doja që jo vetëm Vetëvendosja, por të gjithë, sikur në Izrael siç dolën, dhjetëra ose qindra mijëra, dhe të thonë: ‘Kjo nuk është ajo çfarë do të duhej të ndodhte, kjo është padrejtësi’. Do të doja të isha aty të marrë pjesë në këtë ngjarje.” - ka thënë ai.

Mes tjerash, ai është shprehur si vijon: “Do t’ju thoja se kjo çfarë po ndodh në Hagë është tejet e padrejtë duke provuar të përcaktohet se kush është kriminel lufte, ndërsa për aq sa unë jam në dijeni kriminelet e luftës janë në anën tjetër (në Serbi)”.

Lëvizja Vetëvendosje, që është partia më e madhe në Kosovë dhe udhëheqëse me Qeverinë e Kosovës, e ka përkrahur marshin solidarizues për Hashim Thaçin dhe të tjerët, që do të mbahet me 2 prill.

Megjithatë, VV-ja e ka përmendur vetëm Rexhep Selimin me emër, ish-deputet i VV-së, duke i anashkaluar emrin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, që po ashtu janë të paraburgosur në të njëjtën akuzë sikurse Selimi.

“Rexhep Selimit, ish-shefit të grupit tonë parlamentar, anëtarit të Kryesisë, që së bashku me Lëvizjen ishin kundër themelimit të kësaj gjykate, i është këputur përgjysmë angazhimi i rëndësishëm e kontributi i mirë për vendin. Por, është e sigurt se Rexha ashtu siç ka kryer secilën punë me sukses do të dali fitimtar edhe në betejën e radhës.” – thuhet në komunikatën e VV-së.

Lajme të ngjashme