"VV të bëhen institucionalista", analistët e këshillojnë Kurtin të bëjë hapa tutje me Asociacionin - NACIONALE

"VV të bëhen institucionalista", analistët e këshillojnë Kurtin të bëjë hapa tutje me Asociacionin

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Përveç problemeve që i ka me gjumë dhe flokë të thinjura, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tashmë i është shfaqur edhe një shqetësim tjetër. Ai u pa i nervozuar kur u pyet në një intervistë për televizionin publik rreth qëndrimeve të emisarit amerikan Gabriel Escobar në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Analistët thonë se qëndrimi i SHBA-së për asociacionin nuk ka ndryshuar, teksa mendojnë se kjo temë është përmendur edhe në takimin e kryeministrit Albin Kurti e presidentes Vjosa Osmani me sekretarin amerikan, Anthony Blinken.

Qëndrimi amerikan

Në fakt, qëndrimi amerikan për asociacionin nuk ka ndryshuar, përderisa i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të premtën, në asnjë fjali të deklaratës së tij, nuk tha se asociacioni nuk duhet të bëhet.

Madje, Escobar përmendi nevojën e diskutimit për këtë çështje, duke shtuar se asociacioni nuk duhet të jetë “shtet brenda shtetit”.

Megjithatë, një deklaratë e tillë, e moçme për nga përmbajtja, e gëzoi fort deputetin Dimal Basha të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilin kjo parti e ka emëruar Kryetar i Grupit të Miqësisë me SHBA-në.

Madje, deklaratën e Escobar, Basha e konsideroi si sukses të shefit të tij në parti.

Por, çehre krejt tjetër pati dyshi i Kurtit, Besnik Bislimi, që udhëheq grupin negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Ai u duk mjaft i nervozuar kur u pyet për Asociacionin, e madje deklaroi se mediat po merren me këtë çështje shumë.

"LVV të bëhen institucionalista"

Grupi

Analistët nuk shohin ndonjë ndryshim në qëndrimin amerikan për asociacionin.

Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, i ka thënë gazetës Nacionale se qëndrimi i SHBA-së, ka qenë i njëjtë edhe më herët. Por, theksoi se partitë nuk mund t’i marrin meritat për këtë, derisa pati edhe një këshillë për Lëvizjen Vetëvendosje.

Sa i përket reagimit të Escobar, ka qenë një qëndrim që e ka dhënë edhe më herët, por tash edhe një herë e rikonfirmoi qëndrimin zyrtar të SHBA-ve që Asociacioni mund të jetë vetëm i bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Secila parti që mundohet ta marrë ndonjë sukses mbi këtë çështje, është më të vërtetë militantizëm dhe naivitet, sepse në fund të ditës kjo ka të bëjë me Republikën dhe shtetin e Kosovës. LVV të bëhen më institucionalista, jo militantista”, ka thënë ai.

Arifi, mes tjerash deklaroi se tema e Asociacionit është diskutuar edhe në SHBA gjatë takimit të Kurtit e Osmanit me sekretarin amerikan, Antony Blinken.

“Besoj që gjatë vizitës së Kurtit dhe Osmanit në SHBA, normalisht që është hapë tema e Asociacionit, por SHBA-të edhe më herët e kanë kërkuar që kjo çështje të diskutohet dhe të jipet një alternativë që është në kuadër të ligjeve të Kosovës, asgjë më pak, asgjë më shumë. Problemi është te guximi i kryeministrit që të ecë një hap tutje, pra që ne të dakordohemi me partnerët tanë që kjo është alternative për serbët e Kosovës. Vizita e z.Kurti normalisht u mundësua në Departamentin e Shtetit, pikërisht për shkak të pranimit të marrëveshjes për energjinë, kjo i hap rrugë edhe marrëveshjeve të tjera që duhet të respektohen, por gjithmonë duke respektuar ligjet e Kosovës”, tha ai.

Se kjo temë është diskutuar në SHBA, mendon edhe Gazmir Raci, ish-anëtari i delegacionit të Kosovës gjatë bisedimeve në Bruksel. Ai për gazetën Nacionale, theksoi se pa progres në dialogun me Serbinë, edhe procesi i integrimit në Bashkimin Evropian mund të stagnojë.

Natyrisht, mendoj që e kanë diskutu. Gjithmonë takimet bilaterale me qeverinë amerikane, por edhe me qeveri të shteteve anëtare të BE-së, dialogu është një ndër temat kryesore në tryezën e diskutimeve. Për shkak, se ne, e kemi kusht dialogun për anëtarësim në BE. Në marrëveshjen e MSA-së thotë se nëse nuk ka progres në dialog, procesi i integrimit mund të stagnojë, të njëjtën gjë e ka edhe Serbia. Domethënë është kusht i yni që ne me i rregullu raportet tona, në mënyrë që të ecim drejt anëtarësimit në BE. Këtë e tha edhe kancelari austriak gjatë vizitës në Prishtinë”, ka thënë Raci.

Ai për gazetën Nacionale e komentoi edhe deklaratën e emisarit Escobar, për të cilën tha se është në kuadër të asaj për të cilën është angazhuar SHBA-ja që prej themelimit të shtetit të Kosovës.

“Amerikanët që nga fillimi, asnjëherë nuk kanë kërku apo nuk ka tentu që ta krijojnë ndonjë mekanizëm që e prish sistemin e Kosovës. SHBA-të vetë kanë ndihmuar në krijimin e Republikës së Kosovës, me sistem unitar në dy nivele, qeverinë nacionale dhe qeverinë lokale. Kështu që, kjo është në kuadër të asaj për çka është angazhu Qeveria Amerikane që prej themelimit të shtetit Kosovës”, ka thënë Raci.

Në fund, ai pati disa fjalë edhe për kryeministrin Kurti, për të cilin konsideron se i ka dhënë një qasje të re vendit në dialogun me Serbinë.

“Kryeministri Kurti ka krijuar një qasje të re të Kosovës në dialogun e Brukselit dhe pozicionin e Kosovës e ka ngritë në një nivel më të lartë në raport me Serbinë, sepse ka qenë stoik në qëndrimet e tij, sepse nuk i ka lëvizë veprimet. Tri veprime që kanë të bëjnë me moslejimin e zgjedhjeve, referendumit, vendosja e reciprocitetit, kjo ka tregu që ky ka instalu një qasje të re për të cilën e kanë mbështet edhe amerikanët”, ka thënë Raci.

Deri më tani përpos Bislimit, askush nga Qeveria nuk ka folur në lidhje me deklaratat e përfaqësuesit të SHBA-së, Escobar.

Njëjtë, edhe nga opozita, përveç një reagimi të nënkryetares të PDK-së, Vlora Çitaku, këtë çështje nuk e ka komentuar dikush tjetër.

“Me një kërkim të thjeshtë në google gjeni dhjetëra deklarata nga Administrata Amerikane ku kërkohët zbatimi i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Qëndrimi amerikan është konsistet. Nuk ka ndryshuar asgjë. E tash te shohim a ka me qenë Kryeministri konsistent”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Kurti kishte qenë shumë aktiv në kundërshtimin e asociacionit, duke deklaruar se nuk mund të ketë asociacion një etnike, të cilën deklaratë e kishte ripërsëritur edhe Bislimi.

Lajme të ngjashme