"Me koordinim a pa koordinim": VV publikon video tjetër, sulmon më rëndë se asnjëherë partitë opozitare - NACIONALE

"Me koordinim a pa koordinim": VV publikon video tjetër, sulmon më rëndë se asnjëherë partitë opozitare

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë një video në të cilën sulmon më rëndë se asnjëherë partitë opozitare në Kosovë.

Vetëvendosje në këtë video që zgjat më pak se dy minuta shpreh pretendime të rënda në drejtim të tri partive opozitare parlamentare.

“Opozita flet për izolimin e vendit, por nuk i del zëri për zgjedhje të reja!” - është fjalia e parë e kësaj videoje, që duket si konstatim e si akuzë.

Partia në pushtet pretendon se PDK dhe LDK po e godasin pas shpine qytetarin dhe Republikën e Kosovës.

VV – përkundër deklaratave të përsëritura nga kryeministri Kurti se kryetarët shqiptarë në katër komunat veriore – i konsideron këta të fundit si legjitimë në video.

“Mirë që janë në opozitë, se po të ishin në qeveri do ta dorëzonin e gjunjëzonin sërish shtetin.” – thotë videoja në fjalë.

Aty përsëritet edhe akuza e bërë dje nga kryeministri Kurti ndaj partive opozitare për mos-votim të marrëveshjeve ndërkombëtare që mbajnë një vlerë prej rreth 150 milionë eurove.

Sa i përket çështjes së izolimit, VV ka këto fjalë për t’i thënë:

“Flasim për izolim, kur për 20 vjet na kanë mbajtur të izoluar duke na vjedhur.”

Partia në pushtet vijon tutje duke akuzuar PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se kanë nisma që janë më afër Serbisë dhe më larg popullit dhe Republikës.

“Qytetarët nuk janë të izoluar por hajnat e dikurshëm janë izoluar jashtë pushtetit.” – thotë video.

Kush janë personazhet?

Personazhet negative të këtij rrëfimi të bërë nga Vetëvendosje janë si vijon:

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së; Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së; Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së; Abelard Tahiri, deputet i PDK-së; Blerta Deliu, deputete e PDK-së; Hashim Thaçi, ish-kryeministër; Isa Mustafa, ish-kryeministër; Avdullah Hoti, ish-kryeministër; Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së; Eliza Hoxha, deputete e PDK-së; Besian Mustafa, deputet i LDK-së; Driton Selmanaj, deputet i LDK-së, Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së etj.

Video e plotë:

Lajme të ngjashme