VV po e injoron Aktgjykimin, PDK kërkon një vendim të ri nga Kushtetuesja, bazuar në seancën me tri episodet e fundit - NACIONALE

VV po e injoron Aktgjykimin, PDK kërkon një vendim të ri nga Kushtetuesja, bazuar në seancën me tri episodet e fundit

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës, e përfaqësuar nga avokati Faton Fetahu ka dorëzuar këtë të enjte kërkesën e kësaj partie për vlerësimin e kushtetutshmërisë së seancës së 29 qërshorit, me dy episodet e tjera të 1 dhe 3 korrikut, të mbajtura pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushteutese. Meqenëse edhe pas Aktgjykimit të para një javëve, subjekti i parë dhe kryesuesi (që qëlloi më i moshuari, në partinë e VV-së), nuk e kanë ndërmarrë asnjë hap ndryshe, por kanë vazhduar ta pezullojnë seancën me arsyetimin se nuk ka kourum për Komisionin për votimin e Fshehtë, PDK ka parë të udhës, që lënden krejt specifike ta çoj në Kushtetuese, për interpretime, mbase edhe më specifike.

Çka thuhet në kërkesën e PDK-së?

Kërkohet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë gjatë seancës konstituive të mbajtur më 29 qershor 2025 dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.

Pretendimet kryesore të PDK-së

Vendimi për Komisionin për Votim të Fshehtë është jokushtetues, sepse:

Nuk është i paraparë në Kushtetutë as në Rregulloren e Kuvendit;

Shkel rendin e ditës të seancës konstituive, i cili nuk mund të ndryshohet sipas nenit 8.4 të Rregullores;

Është në kundërshtim me aktgjykimin KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërprerja e seancës nga Kryesuesi është arbitrare dhe jokushtetuese, sepse pengon mbarëvajtjen e seancës dhe zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.

Grupi më i madh parlamentar (LVV) ka dështuar të veprojë me përgjegjësi dhe të ndërtojë konsensus për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, duke e bllokuar procesin e konstituimit.

Dispozitat kushtetuese të pretenduara si të shkelura

Neni 65 (6) – Kompetencat e Kuvendit për zgjedhjen e Kryetarit;

Neni 67 (2) – Zgjedhja e Kryetarit nga grupi më i madh parlamentar;

Neni 74 – Ushtrimi i funksionit të deputetit në përputhje me Kushtetutën;

Neni 76 – Organizimi dhe funksionimi i Kuvendit.

Çfarë kërkohet nga Gjykata Kushtetuese

Ta shpallë kërkesën të pranueshme;

Të konstatojë se:

Vendimi për Komisionin për Votim të Fshehtë është në kundërshtim me Kushtetutën;

Ndërprerja e seancës konstituive nga Kryesuesi është po ashtu jokushtetuese;

Të urdhërojë vazhdimin e seancës konstituive me votim të hapur, sipas praktikave të mëparshme;

Të konfirmojë se dështimi për zgjedhjen e Kryetarit/Nënkryetarëve nuk nënkupton shpërndarje automatike të Kuvendit;

Të veprojë urgjentisht për të shmangur tejkalimin e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.

Ky hap është thelbësor për të ndalur tendencën për përmbysje të rendit demokratik dhe për të garantuar që asnjë shumicë e përkohshme parlamentare të mos e vë veten mbi Kushtetutën. Partia Demokratike e Kosovës mbetet e vendosur në mbrojtje të ligjshmërisë, demokracisë dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës”. - thonë nga PDK.

Ndryshe, deri më tani interpretimet për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, nga rradhët e Vetëvendosjes, çka janë edhe determinuese të veprimeve të deputetëve të tyre i ka bërë deputeti Hekuran Murati, ministri në detyrë i Financave.

Lajme të ngjashme