VV, PDK e LDK garojnë se kush ka më shumë merita për Marrëveshjen me MCC
Kryeministri i Kosovës mungon. Ministrja e Ekonomisë mungon. Por, nuk kanë munguar përplasjet në Kuvendin e Kosovës, edhe pse kësaj here ishin më të “lehta”. Çështja nuk ishte nëse duhej ratifikuar marrëveshja me MCC-së, por se kush kishte meritat mbi të.
Natyrisht, Vetëvendosjes i ra hise që ta nënshkruante marrëveshjen. Madje, kryeminsitri i Kosovës Albin Kurti bashkë me presidenten e vendit Vjosa Osmanin udhëtuan drejt ShBA-ve për ta asistuar në nënshkrim ministren e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli.
Ratifikimi pritej të ishte çështje formale, por si gati gjithçka tjetër në Kuvendi ne Kosovës, nuk i shpëtoi diskutimit.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tregoi përfitimet që do të kishte vendi nga kjo marrëveshje e nënshkruar me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në ShBA.
Të njëjtën gjë e bënë edhe deputetë të tjerë të pushtetit dhe opozitës, megjithëse u qortuan në një rast nga deputeti Jahja Kokaj që i ftoi të mos flisnin sepse nuk e kuptonin çështjen e baterive, energjisë dhe efiçiencës.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, u shpreh se Qeveria Kurti kishte më së paku merita për arritjen e marrëveshjes.
Ai tregoi edhe se si Qeveria në kohën sa udhëhiqej prej tij i kishte dërguar një letër MCC-së ku shprehej interesi për projekte të ndryshme, përfshirë edhe atë të gazit. Sipas z. Hoti, ishte vetëm projekti i akumulimit të energjisë, prej të cilës kishte përfituar Kosova nga marrëveshja e nënshkruar nga Kurti.
Sipas ish kryeministrit Hoti, meritat i takonin më së shumti Qeverisë Mustafa, por edhe qeverisë që udhëhiqej prej tij, Qeverisë Hoti. Ai përmendi edhe një emër tjetër, nga një institucion tjetër, ish presidenten Atifete Jahjaga si meritore.
Por, për merita luftoi edhe PDK-ja.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie me emrin Abelard Tahiri, u shpreh se projekti kishte nisur “tash e shtatë vite”. Ai shtoi se negociatat për projektin i kishin filluar ish Presidentja Jahjaga me ish kryeministrin Hashim Thaçi.
“Është finalizu për herë të parë në vitin 2017, me nënshkrimin e parë të këtij projekti, pra nga Presidenti Thaçi, në Kongresin amerikan,” – u shpreh ai.
Kjo marrëveshje u ratifikua pasi mori 86 vota pro, nga të gjitha partitë politike shqiptare. Lista Serbe nuk ishte e pranishme në sallën e Kuvendit në momentin e votimit të kësaj marrëveshjeje.

