VV-ja kritikon Përparim Ramën për shpenzime enorme në dreka e darka, komuna: Ishin konform nevojave - NACIONALE

VV-ja kritikon Përparim Ramën për shpenzime enorme në dreka e darka, komuna: Ishin konform nevojave

3 vjet më parë

nga NACIONALE

5493 euro është shuma e vetëm dy faturave të komunës së Prishtinës, e cila i ka harxhuar për drekë dhe darkë. Në këto fatura të lëshuara, nuk jepen detaje se çfarë është porositur dhe shpenzuar, përveç shkrimit “ushqim dhe pije”. Kjo ka bërë që Lëvizja Vetëvendosje të kritikoi harxhimet e shumta, që sipas tyre janë vetëm për një drekë dhe darkë.

Asamblistët e kësaj partie kanë kërkuar llogari nga i pari i komunës, Përparim Rama, për këto shpenzime enorme.

“3,393 euro komuna e Prishtinës ka paguar brenda një dite në restorantin Soma në kryeqytet. Vazhdon abuzimi me fondet publike. Vazhdojnë skandalet. 3.393,44€ është vlera e një fature të paguar, në kategorinë dreka dhe darka zyrtare, prej taksave të qytetarëve të Prishtinës, nga Kryetari i Prishtinës. 3.393,44€ ushqim dhe pije. Një të premte të kësaj vere, në një nga lokalet e kryeqytetit, Përparimi vendosi të argëtohet pak. Nejse, jo bash pak. 3.393.44€ paguan qytetarët e Prishtinës për qefin e Kryetarit. Prishtina e përjetimeve, Përparimi për pije”, ka shkruar shefi i asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla.

Përveç kësaj fature, është publikuar edhe një faturë në një restorant tjetër në vlerë prej 3 mijë e 393 eurove.

Edhe asamblisti tjetër i VV-së, Petrit Reçica, e ka kritikuar kryetarin, duke thënë se kemi kërkuar përgjigje nga komuna.

“Ne i kemi shkruar komunës së Prishtinës për të marrë një përgjigje për këtë faturë, nëse bëhet fjalë për një ditë të vetme apo për gjithë muajin. Por, ende s'kemi marrë përgjigje. Sapo ta kthejnë ne do ta publikojmë”, ka thënë ai.

Komuna arsyeton shpenzimet

E i menjëhershëm ishte reagimi i komunës së Prishtinës, duke thënë se këto fatura janë konform nevojave protokollare të kryeqytetit.

“Pas shkrimeve të disa mediave, ju sqarojmë se të gjitha shpenzimet për dreka dhe darka janë konform nevojave protokollare të Kryeqytetit”, është thënë në njoftimin e komunës.

Tutje, komuna ka sqaruar se njëra nga fatura ishte për një muaj, jo për një ditë.

“Me këtë rast ju njoftojmë se përmbledhja e faturave të shpenzimeve në vlerë të 3,393 euro e 25 cent në restaurant ‘Soma’ është shpenzim brenda periudhës njëmujore për pritjen e mysafirëve dhe delegacioneve nga jashtë, si dhe shpenzime të dedikuara për dreka pune”, ka treguar komuna.

Ndërsa fatura tjetër është vetëm për një drekë, shpenzim për pritjen e organizuar për mysafirët e ardhur për Manifesta.

“Fatura tjetër në vlerë prej 2,100 eurove në restaurant “Tifanny", është shpenzim për pritjen e organizuar për mysafirët e ardhur për Manifesta”, thuhet nga komuna.

Komuna ka siguruar se qeverisja aktuale e Kryeqytetit të gjitha shpenzimet i ekzekuton me kujdes, në përputhje me rregullore dhe procedura, duke siguruar përfaqësim dhe mikpritje të denjë për mysafirët e Kryeqytetit.

Lajme të ngjashme