VV forcon pozitën në garat komunale pasi fitoi dy komuna me shumicë serbe, kalon AAK-në dhe barazon Srpskan
Të dielën e 23 prillit janë mbajtur zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës. Me fitoren e dy komunave veriore me shumicë serbe, Lëvizja Vetëvendosje ka forcuar pozitën e saj në garat komunale, duke lënë pas AAK-në dhe duke barazuar listën Srpska me 6 komuna gjithsej. Partia Demokratike, nga ana tjetër, me fitoret e dy kandidatëve në komunat veriore me shumicë serbe, ka gjithsej 11 komuna në mbarë Kosovën.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje ka fituar Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin ndërsa PDK-ja Zubin Potokun dhe Zveçanin.
Në këto zgjedhje nuk morën pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Zgjdhjet e jashtëzakonshme në katër komunat verirore u bojkotuan nga Lista Srpska ndaj së cilës pati kritika të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, shprehu zhgënjimin e tij për faktin që Lista Serbe nuk mori pjesë në këto zgjedhje lokale. Ai ka bërë thirrje për të gjetur një rrugë përpara gjithëpërfshirëse, e drejtë, demokratike dhe paqësore, për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
“Është shumë zhgënjyese që Lista Serbe që përfaqëson serbët e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore,” – ka thënë Stano në një përgjigje për Zërin e Amerikës.
Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të vendit, renditja ka ndryshuar me Partinë Demokratike që mban primatin me 11 komuna të fituara. Lidhja Demokratike e Kosovës renditet pas PDK-së me gjithsej 7 komuna. Vendin e tretë e ndajnë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Srpska me nga 6 komuna, duke lënë pas AAK-në me 5.
Rezultatet preliminare
Në Mitrovicën e Veriut kandidati i kësaj partie, Erden Atiq ka marrë 372 vota apo 69.8%, ndërsa kandidati i PDK-së Taulant Kelmendi ka marrë 122 vota apo 22.9%, nga ana tjetër Betim Osmani nga Iniciativa qytetare Mitrovica ka marrë 39 vota apo 7.3%.
Në Zubin Potok kandidati Izmir Zeqiri ka marrë 196 vota apo 52.1%, duke fituar karshi kundërshtarit nga Lëvizja Vetëvendosje, Flatron Hasani i cili ka marrë 180 vota apo 47.9%.
Ilir Peci nga PDK-ja rrëmbeu 114 vota apo 60% në Zveçan duke u shpallur fitues, ndërsa Fetah Peci nga LVV-ja ka marrë 71 vota apo 37.4%. Në këtë komunë ka kandiduar edhe Sladjana Pantoviç, e cila ka marrë vetëm 5 apo 2.6%.
Pjesëmarrja
Në ora 19:00 ka përfunduar procesi zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës. Gjatë gjithë ditës është raportuar se vetëm një numër i vogël i qytetarëve kanë dal për të votuar në këto zgjedhje.
Mitrovica e Veriut, Leposaviqi Zubin Potoku e Zveçani janë katër komunat e veriut ku sot u zhvillua një proces zgjedhor. Megjithëse nuk ka pasur ndonjë problem, dalja ishte tejet e ulët.
Gjatë ditës është raportuar se vetëm një numër i vogël i qytetarëve kanë dal për të votuar në këto zgjedhje.
Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka konfirmuar për Nacionalen, numrin e saktë të votuesve në katër Komunat veriore.
1 mijë e 567 qytetarë del se e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.
Në Leposaviq votuan 141 qytetarë, apo 1.06%
Në Zubin Potok, 385 qytetarë, apo 5.75%
Në Zveçan, 204 qytetarë, apo 2.92%
Në Mitrovicën e Veriut, 837 votues apo 4.62%.
Zgjedhjet në veri
Në datën 5 nëntor të vitit 2022, kryetarët e komunave Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, të cilët ishin nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që kërkonte zëvendësimin e targave të makinave të tyre me targat “RKS”.
Kjo situatë krijoi një boshllëk institucional dhe u caktua një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në 18 dhjetor të atij viti. Megjithatë, kjo datë u anulua për shkak të rritjes së tensioneve në veri.
Pas kësaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi datën 23 prill të këtij viti si datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri.


