Rezultatet preliminare: VV fiton Leposaviqin dhe Mitrovicën Veriore, PDK Zubin Potokun dhe Zveçanin
Sot gjatë ditës janë mbajtur zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës. Zgjedhjet përfunduan pa incidente dhe me pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar rezultatet preliminare për katër komunat veriore.
Sipas rezultateve, kandidati i VV-së, Lulzim Hetemi ka dalë i pari në komunën e Leposaviqit me 100 vota apo 73.5%, ndërsa e dyta në listë është Albulena Behluli – Hetemi me 34 vota apo 25%. Ani pse u largu nga zgjedhjet, Aleksandar Jablanoviç ka figuruar në flet votimet, ku ka marrë 2 vota apo 1.5%.
Në këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje fitoi dhe një komunë tjetër.
Në Mitrovicën e Veriut kandidati i kësaj partie, Erden Atiq ka marrë 372 vota apo 69.8%, ndërsa kandidati i PDK-së Taulant Kelmendi ka marrë 122 vota apo 22.9%, nga ana tjetër Betim Osmani nga Iniciativa qytetare Mitrovica ka marrë 39 vota apo 7.3%.
Ani pse humbi Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar dy komunat e tjera.
Në Zubin Potok kandidati Izmir Zeqiri ka marrë 196 vota apo 52.1%, duke fituar karshi kundërshtarit nga Lëvizja Vetëvendosje, Flatron Hasani i cili ka marrë 180 vota apo 47.9%.
Ilir Peci nga PDK-ja rrëmbeu 114 vota apo 60% në Zveçan duke u shpallur fitues, ndërsa Fetah Peci nga LVV-ja ka marrë 71 vota apo 37.4%. Në këtë komunë ka kandiduar edhe Sladjana Pantoviç, e cila ka marrë vetëm 5 apo 2.6%.



Më shumë rreth zgjedhjeve në veri: Në ora 19:00 ka përfunduar procesi zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës. Gjatë gjithë ditës është raportuar se vetëm një numër i vogël i qytetarëve kanë dal për të votuar në këto zgjedhje.
Mitrovica e Veriut, Leposaviqi Zubin Potoku e Zveçani janë katër komunat e veriut ku sot u zhvillua një proces zgjedhor. Megjithëse nuk ka pasur ndonjë problem, dalja ishte tejet e ulët.
Gjatë ditës është raportuar se vetëm një numër i vogël i qytetarëve kanë dal për të votuar në këto zgjedhje.
Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka konfirmuar për Nacionalen, numrin e saktë të votuesve në katër Komunat veriore.
1 mijë e 567 qytetarë del se e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.
Në Leposaviq votuan 141 qytetarë, apo 1.06%
Në Zubin Potok, 385 qytetarë, apo 5.75%
Në Zveçan, 204 qytetarë, apo 2.92%
Në Mitrovicën e Veriut, 837 votues apo 4.62%.