VV-ja dhe PDK-ja nuk e përshëndesin (ende) anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes të Trumpit, LDK-ja dhe AAK-ja po
- Qeveria jo. Ministria e Punëve të Jashtme jo. Vetëvendosje jo. Albin Kurti jo.
Nënshkrimit aderues të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, të iniciativën personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës–Bordi i Paqes–nuk i kanë kushtuar as një germë përshëndetëse deri tash krerët e qeverisë dhe pushteti i ditës.
Albin Kurti i Vetëvendosjes, vetë aktualisht në Davos të Zvicres, ku edhe Vjosa Osmani e kreu ceremoninë e aderimit në “Bordin e Paqes” të Trump, ende s’është bërë i gjallë me ndonjë vlerësim apo kumtesë.
Ka njoftuar lloj-lloj takimesh me ministra dhe funksionarë shtetesh të huaj, por jo edhe për këtë marrëveshje ndërkombëtare, e cila do të sillet në Kuvend të Kosovës për t’u ratifikuar siç njoftoi Vjosa Osmani.
As partia Vetëvendosje deri më tash nuk ka dhënë ndonjë reagim.
Forca e dytë politike në vend, Partia Demokratike e Kosovës, po ashtu ka qëndruar e heshtur në dhënien e ndonjë komenti apo vlerësimi për këtë ngjarje.
Por, ndryshe nga këto dy forca politike, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë lartësuar si gjë të madhe dhe me peshë për vendin, që Kosova të jetë krah-për-krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përshëndetje të madhe ngjarjes i bëri Lumir Abdixhiku.
“Përfshirja e Kosovës në një iniciativë ndërkombëtare për paqen, të udhëhequr nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është një moment që tejkalon secilin lajm ditor. Për një shtet që ka kaluar nga lufta në liri, falë edhe ndërhyrjes ndërkombëtare, prania në tryezat ku diskutohet paqja globale është edhe dëshmi, edhe përgjegjësi. Dëshmi e suksesit tonë, përgjegjësi për rolin tonë prej shtetit të ri. Është shenjë se Kosova nuk shihet vetëm si përfituese e paqes, por edhe si pjesë e saj”, shkroi Lumir Abdixhiku
“Në një botë gjithnjë e më të fragjile, çdo hap i përbashkët me SHBA-të është hap që forcon sigurinë tonë kombëtare, thellon aleancat tona strategjike dhe e vendos Kosovën aty ku i takon; në anën e paqes dhe aleancave të drejta. Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet këtë hap të madh drejt një kapitulli të ri dhe i gëzohet këtij fakti historik. Sepse sukseset e Kosovës janë arritje kombëtare para së cilave e me të cilat mburremi të gjithë”, tha ai.
Me urim, edhe para nënshkrimit të dokumentit nga Vjosa Osmani në prani të Donald Trump, i parapriu kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Është lajm i mirë ftesa e Presidentit Trump drejtuar Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, veçanërisht në këto kohë tejet kritike për sigurinë globale. Pjesëmarrja e Kosovës dhe e Shqipërisë në Bordin e Paqes, si pjesëtare të një strukture ku marrin pjesë liderët e botës demokratike në përpjekje për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Trump, është një dritare shprese për ne”, tha Haradinaj.
“Kjo pjesëmarrje përforcon rolin e Kosovës si një faktor konstruktiv i paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global dhe krijon mundësi konkrete për riforcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, i cili ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e sigurisë, shtetndërtimit dhe orientimit euroatlantik të Kosovës. Rikthimi i Kosovës si një partner i besueshëm dhe serioz i Shteteve të Bashkuara është jetik jo vetëm për garantimin e sigurisë kombëtare, por edhe për avancimin e interesave tona shtetërore, përfshirë integrimin euroatlantik, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit”, shkroi Ramush Haradinaj.