VV aktivizohet pas akuzave të një vajze rreth ngacmimeve seksuale në një kamping të partisë - NACIONALE

VV aktivizohet pas akuzave të një vajze rreth ngacmimeve seksuale në një kamping të partisë

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Gjatë ditës Nacionale raportoi për një Podcast të një vajze kosovare, e cila përmes rrjeteve sociale shtjelloi në detaje historikun e saj.

Ajo flet për një organizim të Lëvizjes Vetëvendosje të bërë para disa vitesh në Liqenin e Badovcit, ku aktivisti burrë i kësaj partie do të sulmonte seksualisht Hanën, që atëherë thotë se i kishte 16 vjet.

“Kur jam kanë në shkollë të mesme kam qenë aktiviste në Lëvizjen Vetvendosje. Ju e dini që ‘I love Albini”, por aktivistat që janë mbrenda nuk i zgjedh. Du me thonë që shumica janë në PSD dhe në VV.Patëm shku në Badovc për një kamping edhe patëm shku, edhe kena pi e sene. Kah fundi ja nisi m'u bo terr, edhe i patën shtru ata do qebe a ku di unë, edhe pata nevojë me u shtri. Kur jam shtri e kam pas një çikë anash, dhe një burrë rreth të 30-ve. Jam kanë mes tyre dhe kam qenë me fytyrë kah ajo çika. Dhe veç e kam ndi një dorë t'u më prek b****n edhe menjëherë u pata çu edhe reagova. Edhe ai tipi pat bë që është fjet”, - kishte rrëfyer Hana në Podcastin e saj.

Për këtë ngjarje, aktivistja tjetër, Liridona Sijarina ka kërkuar hetim nga Policia e Prokuroria e Kosovës.

Aktivizimi i VV-së

Nuk vonoi shumë dhe erdhi reagimi i figurave të VV-së.

Fillimisht, aktivistja Rinë Zhitia doli me një publikim, ku tha se angazhimi i grave në Lëvizjen Vetëvendosje përherë ka qenë përparimtar.

Sipas saj, aksionin publik gratë e Vetëvendosjes e kanë paguar më së larti, shpesh edhe me burg. Ky postim u shpërnda goxha nga figura të Vetëvendosjes, përfshirë këtu deputeten Tinka Kurti.

Por, aktivistja tjetër që në fakt edhe e ktheu në temë, Sijarina, i komentoi deputetes, duke thënë se nuk e kupton faktin pse duhet t'i dalin në mbrojtje abuzuesve.

Këtu pasoi kundërpërgjigja e deputetes. Kurti shtoi se kjo çështje ishte hapur edhe më herët nga vetë aktivistët.

Tutje, shtoi se atë që Sijarina po e pret nga gratë e VV-së, gjithnjë sipas përfaqësueses së legjislativit, tashmë është bërë në të kaluarën.

Lajme të ngjashme