Vuçiq viktimizohet në takim me komandantin e NATO-s: Kërkova që të mbrojnë popullin serb në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur pas takimit që ka pasur me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s, admiralin Stuart Mansch, ku i ka kërkuar atij që ta mbrojë popullin serb në Kosovë.
Vuçiq ka vazhduar me propagandën dhe vikitimizimin e tij duke i kërkuar admiralit Mansch po mbrojtjen e qytetarëve serbë të Kosovës.
“Bisedë e mirë me admiralin Manscha. I kërkova NATO-s të mbrojë popullin tonë në Kosovë dhe falënderova për mirëkuptimin e politikës së neutralitetit të Serbisë”, ka shkruar Vuçiq në profilin e tij në Instagram.
Ndërkohë, admirali i NATO-s në një intervistë për agjencinë serbe, Beta ka folur për situatën në veri të Kosovës.
Ai ka thënë se KFOR-i është duke monitoruar nga afër situatën në veri dhe se palët të përbahen nga provokimet.
“Që nga tetori ne kemi shtuar praninë, ndër të tjera, duke shtuar forcat, si dhe patrullimet në veri të Kosovës këtë javë. Presim që të gjithë aktorët të jenë në koordinim të ngushtë me misionin e KFOR-it dhe të përmbahen nga demonstrimet provokuese të forcës, në mënyrë që të ruhet siguria e të gjitha komuniteteve", ka thënë ai.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë në pritje të KFOR-it që t’i largojë barrikadat e vendosura në komunat veriore të vendi.
"Nuk do të lejohet që barrikadat në veri të qëndrojnë edhe shumë gjatë", ka thënë Kurti të hënën për mediat kosovare.
