Po luhet me zjarrin: Gazeta zvicerane shkruan për mundësinë e një 'lufte të hapur' mes Kosovës dhe Serbisë - NACIONALE

Po luhet me zjarrin: Gazeta zvicerane shkruan për mundësinë e një 'lufte të hapur' mes Kosovës dhe Serbisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në gazetën e famshme zvicerane Blick është botuar një shkrim në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Ai titullohet “Beogradi dhe Prishtina po luajnë me zjarrin”. Çka thuhet aty?

Përtej atyre që tashmë i dimë e i stërdimë, pra ngjarjeve politike në veri të vendit, kjo gazetë i ka kushtuar vëmendje edhe asaj që thonë ekspertët për çështjen në fjalë.

“Ushtria serbe dhe ekstremistët e së djathtës ekstreme u mblodhën në kufirin me Kosovën. Çka po fshihet prapa tensionimit? A është e mundshme lufta e hapur? Shpjegimet e ekspertëve për fuqinë e barutit në Ballkan.” nis shkrimi në fjalë.

A mund të ketë luftë klasike mes Serbisë dhe Kosovës? – pra është dilema e shtruar nga kjo gazetë.

“KFOR-i është në gjendje alarmi. Koloneli Egon Frank, që drejton kontigjentin gjerman, ka deklaruar për “Die Welt” se ka një “rrezik permanent të përkeqësimit të situatës së sigurisë.” Një deklaratë e vetme nga Albin Kurti apo Aleksandër Vuçiqi mund të jetë e mjaftueshme...” – shkruan më tej kjo gazetë.

Por, Blick në këtë shkrim të përgatitur nga Guido Felder ka cituar edhe politologë dhe ekspertë të Ballkanit që e përjashtojnë mundësinë e një lufte klasike.

Aty përmendet se si Serbia po të hynte në Kosovë do të duhej të ballafaqohej me KFOR-in, që ndodhet në vendin tonë me mijëra trupa.

Në anën tjetër, ka edhe një shpjegim politik.

“Bashkësia ndërkombëtare, dhe në veçanti Shtetet e Bashkuara, po kërkojnë një zgjidhje të shpejtë të negociuar. Dhe sa më e tensionuar situata, aq më shumë mund të presin dy qeveritë në Kosovë e Serbi për koncesione.” – citon Felder ekspertin Daniel Bochsler.

Kujtojmë se barrikadat në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në veri të vendit vazhdojnë në ditën e njëmbëdhjetë të tyre. Ato ishin vënë pas arrestimit të ish zyrtarit policor Dejan Pantiq. Por, tensionet veçse kishin qenë të larta edhe paraprakisht kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte provuar që të organizonte zgjedhjet e parakohshme lokale për datën 18 dhjetor.

Megjithatë, zgjedhjet ishin shtyrë nga presidentja e vendit Vjosa Osmani për në muajin prill të vitit tjetër.

Kryeministri Kurti ndërkohë gjatë ditës së djeshme ka ripërsëritur deklaratat e tij se po e priste KFOR-in që t’i hiqte barrikadat.

Lajme të ngjashme