10 ditë pa u ndërruar: Çka po ndodh me policët e Kosovës në Jarinjë dhe pse është heshtur pushteti? - NACIONALE

10 ditë pa u ndërruar: Çka po ndodh me policët e Kosovës në Jarinjë dhe pse është heshtur pushteti?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sot është dita e dhjetë që zyrtarët policorë afër pikës kufitare në Jarinjë nuk janë ndërruar përmes metodave të rregullta operacionale nga Policia e Kosovës. Çka po ndodh në veri të Kosovës?

Krenaria për policët e Kosovës pas çdo operacioni në veri të vendit gjatë 11 viteve të fundit ishte e madhe. Por, kushtet për ta megjithatë duket se nuk janë përmirësuar ndjeshëm.

Tash e dhjetë ditë, ose folur me orë tash e rreth 240 orë, zyrtarët policorë në pikën më të ndjeshme të vendit po qëndrojnë pa u ndërruar nga kolegët e tyre.

I.

Në kushte normale, zyrtarët policorë zëvendësohen çdo tetë orë por në plane operative zëvendësohen edhe çdo 12 orë. Megjithatë, gjërat duken jashta normales dhe jashta operacionales në këto momente për ata policë.

Burime të ndryshme i kanë thënë gazetës Nacionale se shumë prej këtyre policëve janë të lodhur nga qëndrimi i gjatë dhe se po kanë vështirësi edhe që të furnizohen me ushqime.

“Ushqim po i dërgojnë disa boshnjakë lokalë. KFOR-i ka refuzu me iu ndihmu,” – na tha një burim anonim, por ky informacion nuk ka qenë e mundur të verifikohet nga Nacionale në mënyrë të pavarur.

Nacionale bisedoi me kryetarin e Sindikatës së Policisë së Kosovës, z. Imer Zeqiri, nëse ndërrimi i policëve kishte ndodhur.

“Jo, nuk ka ndodhur. Jo në Jarinjë dhe Leposaviq,” – na tha ai përmes telefonit, për të thënë më pas që përmes rrugëve alternative ndërrimi bëhej vetëm në Bërnjak.

“A janë më pak se 100 policë,” - e pyeti më pas gazetari për të konfirmuar numrin e gazetarëve që i ishte thënë se ndodheshin në Jarinjë dhe Leposaviq.

“Po, janë më pak se 100 policë,” – ishte shprehur z. Zeqiri. Për shkak se kemi të bëjmë me një plan operacional, Nacionale nuk do të tregojë në këtë moment numrin e saktë të policëve që nuk janë ndërruar.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës për të marrë vesh më shumë në lidhje me këtë çështje, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

II.

Sindikata e Policisë së Kosovës kishte bërë një postim mjaft shqetësues në Facebook dy ditë më parë duke tregura për mosndërrimin e policëve që ndodhen në Jarinjë.

“Bllokimi i rrugëve ka hyrë në ditën e tetë dhe si pasojë... zyrtarët e rendit në Leposaviq dhe Jarinje kanë mbetur të bllokuar pa pasur mundësi që t’ju bëhet ndërrimi sipas rregullave për funksionim normal. Sindikata e Policisë dhe të gjithë pjesëtarët e policisë janë duke i përcjellur nga afër këto zhvillime si dhe janë shumë të shqetësuar për fatin e kolegëve të bllokuar...” – shkruhej mes tjerash në reagimin e tyre.

Për fat të keq, askush nga zyrtarët e lartë shtetëror nuk bëri një reagim për të sqaruar më mirë situatën.

III.

Po para dy dite, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla e kishte bërë një postim mjaft problematik në profilin e tij në Facebook.

Ai aty tregonte se si lokale dhe biznese familjare në Prishtinë po “përgatisnin ushqim” për zyrtarët policorë që po angazhohen në veri.

“Darkën e kaluam së bashku me zyrtarët policor në Bërnjak të cilët, si gjithë të tjerët, me moral të lartë e me përkushtim po punojnë sipas misionit të tyre në ofrimin e sigurisë e në mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë.”thoshte Sveçla, por pa përmendur askund Leposaviqin dhe Jarinjen.

Reagimet e opozitarëve ndaj këtij postimi të z. Sveçla ishin të shumta. "Të ndalen talljet me Policinë e Kosovës," - kishte shkruar gazetari Parim Olluri. “Marre! Falenderim per kete biznesin privat qe i qon ushqim policeve ne veri, ama eshte marre per shtetin e Kosoves me i lane policet atje ne meshire te lemoshave”, kishte shkruar ndërkohë gazeatari Ilir Mirena.

Derisa zyrtarët e lartë shtetërorë, përfshirë ministrin Sveçla dhe kryeministrin Kurti, nuk thonë fjalën e tyre nuk dihet se si do të përfundojë e gjithë kjo situatë e palakmueshme për policët tanë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është shprehur se po pret KFOR-in që të tërheq barrikadat nga rrugët. Por, deri më tash nuk ka ndonjë lëvizje konkrete që tregon se ato do të hiqen.

Lajme të ngjashme