Vuçiq thotë se nuk do të diskutohet njohja dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB - NACIONALE

Vuçiq thotë se nuk do të diskutohet njohja dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sonte se nuk ka pasur marrëveshje dje në Bruksel, duke shtuar se do të ketë edhe shumë bisedime.

“Është e rëndësishme për mua që të përpiqem t'u tregoj njerëzve në Serbi se çfarë po bëjmë dhe çfarë po ndodh prej disa muajsh, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë pamjen e përgjithshme, sepse nuk është vetëm një çështje e një anëtari, një letre dhe një takimi,”- citohet të ketë thënë Vuçiq për RTS.

Sipas Kosovo Online, presidenti serb ka thënë se dje është rënë dakord vetëm të bisedohet, ndërsa ka theksuar se nuk mund të diskutohet për njohjen e Kosovës apo anëtarësimin e saj në OKB.

Bëhet e ditur se ai ka theksuar se u ka thënë shumë qartë edhe më parë presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz, se Serbia është e gatshme të punojë për zbatimin e shumë gjërave, por se nuk mund të diskutohet njohja apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Për çdo gjë tjetër jam i hapur për të biseduar, jo vetëm për shkak të rrugës së Serbisë drejt BE-së, por sepse është mirë për marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve, të bisedojmë dhe të negociojmë,”- citohet të ketë thënë Vuçiq.

Lajme të ngjashme