Vuçiq thotë se Asociacioni është kusht për vazhdimin e dialogut
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur sërish se Asociacioni i Komunave Serbe është kusht, dhe pa të nuk mund të ketë bisedime të mëtejshme në dialogun Beograd-Prishtinë.
“Asociacioni është një “kusht” për çdo bisedë. Një kusht që nuk mund të bëhet pa të. Nëse dëshironi - dëshironi, nëse nuk dëshironi - nuk dëshironi. Vetëm mos na merrni më kohën,”- citohet të ketë thënë Vuçiq për mediat serbe, raporton Kosovo Online.
Ndër të tjera bëhet e ditur se presidenti serb ka folur edhe për takimin që do të mbahet në Ohër duke shtuar se edhe atje do ta përsërisë të njejtën gjë.
“Nuk e di se çfarë pret dikush nga Ohri... Unë do të shkoj në Ohër, dhe atje do të them të njëjtën gjë që po ju them këtu tani, dhe atë që e dinë edhe ata. Dikush thjesht duhet të më shpjegojë kuptimin e gjithçkaje,”- ka thënë Vuçiq.
Vuçiq ka përfunduar duke shprehur shqetësim se askush nuk do të reagojë ndaj deklaratave të Prishtinës, dhe se ndoshta “serbët sërish do të dalin fajtorë për diçka”.
